Ndërlidhjet

Politizimi i bordit të AKP-së


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Shpërndarja e 20-përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit vazhdon të mbetet problem për sindikatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Sipas tyre, ky proces vazhdon të zvarritet, përderisa zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) thonë se agjencia ka bërë hapa të rëndësishëm në përshpejtimin e shpërndarjes së këtij fondi.


Përfaqësues të sindikatave të punëtorëve kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse përshpejtimin e shpërndarjes së 20-përqindëshit. Sipas një rregulloreje të administratës ndërkombëtare, 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve u takon punëtorëve.

Hasan Abazi, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se shumë ndërmarrje tashmë janë privatizuar, porse obligimet ndaj punëtorëve nuk kanë përfunduar. Ai thotë se mungesa e seriozitetit të autoriteteve përgjegjëse ka bërë që ky proces të zvarritet.

“Njëzet-përqindëshi për shumë ndërmarrje nuk është paguar për vite të tëra. Është një joseriozitet, si i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, po ashtu edhe i Agjencisë Kosovare të Privatizimit”.

“Megjithatë, tani e kemi një dinamikë pak më të shtuar të dhënies së 20-përqindëshit, por ne nuk jemi të kënaqur në këtë drejtim, për arsye se shumë punëtorë kanë mbetur të papunë, bredhin rrugëve dhe presin që një ditë ta marrin këtë shumë“,
thotë Abazi.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thotë se Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk i ka përmbushur obligimet që ka pasur në raport me punëtorët e ndërmarrjeve të shitura. Madje, ai akuzon bordin e drejtorëve të AKP-së, duke thënë se ky bord është i politizuar dhe nuk mbron interesat e punëtorëve.

“Bordi është organi përgjegjës. Anëtarët e bordit, që kanë shkuar në mbrojtje të interesave të punëtorëve, absolutisht nuk janë në krye të kësaj detyre. Ata mbrojnë interesat e tyre personale, partiake dhe shtetërore, e më se paku ato të punëtorëve”, thotë Dragusha.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thonë se bordi i drejtorëve është jopolitik. Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, deklaron se bordi nuk ndikon në zvarritjen e shpërndarjes së 20-përqindëshit. Përkundrazi, shton ai, ky bord, vitin e kaluar, ka miratuar strategjinë për përshpejtimin e ndarjes së 20-përqindëshit.

Kaloshi thotë se që nga fillimi i procesit të privatizimit janë shpërndarë 34 milionë euro për punëtorët. Ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ka shpërndarë rreth 14 milionë euro, kurse AKP-ja për dy vjet ka arritur ta dyfishojë këtë shumë dhe të shpërndajë rreth 20 milionë euro, thotë ai.

Sipas Kaloshit, vetëm vitin e kaluar kjo agjenci ka shpërndarë 7.8 milionë euro për 36 ndërmarrje të privatizuara.

“Në muajin dhjetor u miratuan për shpërndarje edhe 4-5 milionë euro të tjera, ku u përfshi edhe ‘Feronikel’-i. Shuma për ‘Feronikel’-in e 20% në total është 6.1 milion euro”, pohon Kaloshi.

Ai thotë se Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka mundësi t’i shpërndajë fondet e 20-përqindëshit për çdo listë para vendimit përfundimtar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në total, 72 lista që mbulojnë 11,000 punëtorë me të drejtë në 28.5 milionë euro, janë përfunduar nga agjencia. Megjithatë, vetëm 4 raste janë miratuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme. Si pasojë, AKP-ja nuk mund t’i paguajë këto ankesa”, thekson Kaloshi.

Mbi 90 milionë euro është fondi i 20-përqindëshit, që është grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
XS
SM
MD
LG