Ndërlidhjet

Veprim i (pa)matur


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Përfaqësues të punëtorëve kosovarë, edhe pse të shqetësuar, shpresojnë se qeveria në dorëheqje do ta zbatojë vendimin për rritje pagash mënjeherë pas miratimit të buxhetit të këtij viti.

Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, gjatë fushatës parazgjedhore, ka premtuar rritje pagash për disa kategori që paguhen nga buxheti i Kosovës, prej 30 deri në 50 për qind, ndërkaq vendimin e mori në muajin janar, para rivotimeve të pjesshme.

Dje, zyrtarë të qeverisë në dorëheqje kanë thënë se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave mbetet në fuqi dhe se i njëjti do të zbatohet në mënyrë retroaktive pas aprovimit të buxhetit të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës.

Gjatë premtimeve të qeverisë në dorëheqje, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës vazhdimisht kanë thënë se do të jenë kujdestarë të realizimit të tyre.

Sot, në një konferencë me gazetarë, Haxhi Arifi, udhëheqës i kësaj sindikate, shprehu shpresën se pas miratimit të buxhetit 2011, punëtorët do t’i marrin pagat me rritje. Në të kundërtën, tha ai, BSPK-ja do të organizojë greva dhe protesta.

“Me aprovimin e buxhetit, duhet të realizohet... Jam i bindur se kjo do të realizohet përmes dialogut, ose përmes hapit tjetër - që unë kurrë nuk e dëshiroj”, tha Arifi.

Edhe Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, tha se do t’i jepet kohë qeverisë deri në miratimin e buxhetit. Nëse as atëherë nuk do të rriten pagat, ashtu siç është premtuar, Shabanaj tha SBASHK-u do të ndërmarrë hapa.

Në këtë rast, ende nuk ka vakuum institucional. Ata e kanë përgjegjësinë. Ne bashkërisht ishim në qeveri për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për problemet që aktualisht po ndodhin”.

“Në momentin kur kalon afati kohor, për të cilin jemi pajtuar të gjithë, atëherë do të veprohet sindikalisht”,
tha Shabanaj.

Në shenjë pakënaqësie me mospagesën e rritjes së premtuar të pagave për muajin janar, një shkollë në Prishtinë ka filluar grevën. Remzi Salihu, drejtor i Drejtorisë Komunale për Arsim në Prishtinë, tha se bëhet fjalë për Shkollën “Sami Frashëri”.

“Në Shkollën ‘Sami Frashëri’, ndërrimi i paradites në një formë e ka ndërprerë mësimin, në reagim për mosrritje pagash... do të thotë, është një sensibilizim më tepër. Besoj se pasdite do të fillojë ta mbajë mësimin”, u shpreh Salihu.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike dhe përafqësues të opozitës, vendimin e qeverisë për rritje pagash vazhdimisht e kanë cilësuar si të parealizueshëm dhe joligjor.

Madje, sipas tyre, ky vendim ka qenë në kundështim me marrëveshjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar - marrëveshje kjo e cila nuk lejon rritje pagash mbi 8 për qind.

Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, tha se mosrealizimi i premtimeve tregon pamaturinë e qeverisë në dorëheqje.

“Tani gjenden në një moment kur nuk mund t’iu përgjigjen zotimeve që kanë dhënë. Kryesisht, këto zotime kanë të bëjnë me çështje ligjore, të cilat kanë të bëjnë me vitin fiskal”.

“Viti fiskal duhet aprovuar nga parlamenti gjegjës dhe të zbatohet nga qeveria. Në këtë moment nuk e kemi as njërën dhe as tjetrën. Qeveria tashmë është në një situatë të pazakontë dhe jo aq të mirë, si rezultat i veprimeve të veta të pamatura”,
deklaroi Musa.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se shtyrja e rritjes së pagave është pritur të ndodhë.

Ka qenë fare e qartë se një dukuri e tillë do të jetë shumë e vështirë. Do të jetë e vështirë për dy arsye: në radhë të parë në aspektin intern, ku fare mirë dihet se nuk kemi buxhet të konsoliduar dhe një buxhet i tillë duhet të miratohet në parlament”.

“E dyta, nuk ia vlen për shkak të premtimeve të acarohen raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me siguri se ky është një hap që qeveria e ka analizuar fare mirë”,
tha Gërxhaliu.

Sociologu Fadil Maloku, drejtues i Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike, shprehu drojën se mosrritja e pagave do t’i rrisë edhe më shumë pakënaqësitë sociale në vend.

Frustrimi rreth problemeve sociale që i përkasin shoqërisë sonë do të rritet edhe më shumë. Nëse edhe më tutje vazhdon kjo mospërmbushje, unë kujtoj se gjithnjë e më tepër do të shkohet drejt një tensionimi të mëtejmë social”, u shpreh Maloku.

Para shtyrjes së pagesës për rritje pagash nga qeveria në dorëheqje, jozyrtarisht është thënë se vendet e Kuintit, përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe zyrtarë të qeverisë në dorëheqje kanë mbajtur disa takime, ku është parashikuar krizë e madhe buxhetore nëse hyn në fuqi vendimi.

Madje, sipas këtyre njoftimeve, është kërkuar nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare që të anulojë këtë vendim.

Por, zyrtarë të qeverisë në dorëheqje kanë hedhur poshtë mundësinë e presioneve nga jashtë për rritje pagash.

Në anën tjetër, Ambasada amerikane në Prishtinë ka mirëpritur vendimin e kryeministrit Thaçi për të shtyrë pagesën e rritjes së pagave, derisa Kuvendi të miratojë buxhetin e vitit 2011.

“Vendimi i kryeministrit tregon respekt për sundimin e ligjit dhe rendin kushtetues në Kosovë”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

“Udhëheqësia kërkon marrjen e vendimeve të vështira. Kryeministri tregoi se qeverisja e mirë është prioritet i Kosovës. Ky ishte vendim i drejtë”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG