Ndërlidhjet

Kantrimen: Zhvillimi i demokracisë, pastaj dialogu


Tomas Kantrimen gjatë konferencës me gazetarë, Prishtinë 11 shkurt 2011.
Tomas Kantrimen gjatë konferencës me gazetarë, Prishtinë 11 shkurt 2011.
Mendimi ynë dhe i popullit të Kosovës është se Kosovës i duhet një qeveri me duar të pastra, e aftë dhe e përkushtuar në zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe ekonomisë, tha të premten në Prishtinë, zëvendës-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Tomas Kantrimen. Në Prishtinë, Kantrimen u prit nga kryeministri në largim, Hashim Thaçi, i cili e informoi zyrtarin amerikan edhe në lidhje me procesin e formimit të qeverisë së re të Kosovës.


Kosovës i duhet një qeveri kredibile dhe e aftë, e cila do të garantonte zhvillimin e brendshëm ekonomik dhe demokratik, tha të premten në Prishtinë zëvendës-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Tomas Kantrimen.

Këto komente, zyrtari amerikan i bëri pas një takimi me kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, i cili zgjati rreth tri orë.

Kantrimen tha se qeveria amerikane është krenare me zhvillimin e Kosovës në tri vitet e saj si shtet i pavarur. Ndërkaq, katër vitet e ardhshme kërkojnë edhe më shumë angazhime nga qeveria e re, tha Kantrimen, duke shpresuar se kandidati për postin e kryeministrit, Hashim Thaçi, do ta formojë qeverinë e re shumë shpejt.

Tomas Kantrimen, Prishtinë, 11 shkurt 2011

“Kryeministri dhe partitë tjera e kanë dëgjuar mendimin tonë dhe e kanë dëgjuar edhe mendimin e popullit të Kosovës për një qeveri me duar të pastra, të aftë dhe të përkushtuar dhe pres që ky do të jetë kahu që do të çojë deri te formimi i kabinetit të ri qeveritar”
, tha Kantrimen.

Duke folur për negociatat aktuale në Prishtinë rreth formimit të qeverisë së re, Kantrimen tha se suksesi i një qeverie nuk matet nga gjithëpërfshirja ose jo e klasës politike, por nga efikasiteti i qeverisë.

Ndërkaq, nuk deshi të komentojë për emrat e përfolur si kandidatët më seriozë për postet e larta, përfshirë edhe emrin e Behxhet Pacollit, si kandidat tashmë i shpallur nga Aleanca Kosova e Re për president të ardhshëm të Kosovës.

Në vazhdim, zyrtari amerikan foli edhe për dialogun e ardhshëm Kosovë - Serbi. Bashkimi Evropian, tha ai, do t’i bindë palët të ulen dhe bisedojnë, si dhe do ta caktojë agjendën, kurse roli i Uashingtonit do të jetë në mbështetje të këtij dialogu.

Kantrimen, megjithatë, sugjeroi kosovarët, që para dialogut, të përqendrohen në radhë të parë në zhvillimin e demokracisë së brendshme, si dhe në zhvillimin e ekonomisë.

“Vendi parësor ku duhet fokusuar energjitë është në reformat dhe angazhimet që i ka qeveria e këtushme. Nëse Kosova dështon, dështon edhe dialogu”, tha Kantrimen, duke nënvizuar se po të ndodhte e kundërta dhe të dështonte dialogu, atëherë nuk mund të thuhet se do të dështonte edhe Kosova.

Ndërkaq, sa i përket implikimeve të raportit të Dik Martit në këtë dialog, zyrtari amerikan tha se SHBA-ja mbështet hetimet e pavarura dhe të pandikuara politike për të gjitha dyshimet e shprehura dhe se ato nuk mund të kenë implikime politike.

“Këto nuk janë negociata, në kuptimin e zanafillës së kësaj fjale, andaj edhe ne i quajmë dialog ndërmjet dy vendeve”
, u shpreh ai.

Kantrimen theksoi se rruga e vendeve të rajonit është drejt BE-së, mirëpo para se ta mbërrijnë këtë qëllim, ai sugjeroi që këto vende të shënojnë përparime në fushën e sundimit të ligjit.

Ndërkohë, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, e siguroi zyrtarin amerikan se ai i ka në finalizim e sipër marrëveshjet për koalicion me një pjesë të partive politike, ku përfshihen edhe pakicat. Thaçi tha se numrat në Kuvend janë siguruar për formimin e qeverisë, duke folur edhe për emrat e subjekteve politike që do të përfshihen në qeverinë e re.
Hashim Thaçi në konferencën me gazetarë pas takimit me zv/ndihmëssekretarin e Shtetit Tomas Kantrimen, Prishtinë 11 shkurt 2011.

“Themelimi i institucioneve të reja duhet të udhëhiqet nga njerëzit që mbi interesat partiake apo individuale, e shikojnë interesin e Kosovës, prandaj kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes në mes partive që do të jenë pjesë e koalicionit që tashmë dihet se kush do të jenë pjesë e tij, PDK - AKR, Lista Ibrahim Rugova si dhe të gjitha komunitetet serbe dhe jo serbe me një mazhorancë të mjaftueshme, por shumë të konsoliduar”
, tha Thaçi.

Kryeministri në largim, Thaçi, e siguroi mysafirin e tij nga SHBA-të se qeveria e re do të ketë një përbërje me njerëz të aftë që t’i kryejnë punët e veta, madje edhe më mirë sesa të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse.

Përderisa Tomas Kantrimen tha se tri vjet nga pavarësia, Kosova po dëshmon se është një shtet i aftë që pavarësisht sfidave, të ketë një perspektivë të qartë euroatlantike dhe një ditë edhe vend anëtar në Kombet e Bashkuara.

Para Prishtinës, Kantrimen kishte vizituar edhe vende tjera të rajonit. Ai ka qëndruar edhe në Bruksel, ku ka marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND) për Kosovën. Atje ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të Kosovës.
XS
SM
MD
LG