Ndërlidhjet

Përkujtojnë të rënët, falënderojnë miqtë







Në trevjetorin e pavarësisë, Kosova përulet para të rënëve për lirinë e saj dhe falënderon përjetësisht miqtë ndërkombëtarë që e ndihmuan atë në realizimin e aspiratës shekullore për të qenë shtet i pavarur e sovran, thuhet në mesazhet e liderëve kosovarë.

Ndërsa adresuan mesazhe publike, liderët kosovarë të enjten bënë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë, si dhe te kompleksi memorial i komandantit të UÇK-së, Adem Jashari në Prekaz.

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, falënderoi popullin e Kosovës, miqtë ndërkombëtarë dhe të gjithë ata që kontribuuan që Kosova të jetë një shtet i lirë e i pavarur.

Këto komente ai i bëri pas homazheve te varri i presidentit Rugova.

“Jemi këtu për të nderuar dhe për të shprehur respektin për kontributin e presidentit Rugova në vazhdimësi, një kontribut i rëndësishëm dhe i madh për pavarësinë e Kosovës. Sot, kur shënojmë përvjetorin e pavarësisë, kujtojmë të kaluarën tonë krenare, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, të gjithë luftëtarët e lirisë, meritën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës për pavarësinë e Kosovës”
, tha Thaçi.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, në adresimin e tij për opinionin, tha se shpallja e pavarësisë përmbushi aspiratat e brezave të tërë që sakrifikuan veten për lirinë e Kosovës. Ndërsa të enjten, Krasniqi bëri homazhe te kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz. Ai tha se Prekazi është shtrati pavarësisë së Kosovës.

“Është bërë sakrifica më e madhe në historinë, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe në historinë e përbotshme për të qenë vend i lirë dhe lirisht mund të themi se këtu është shtrati i pavarësisë së Kosovës që e gëzojmë sot, i cili është formalizuar më 17 Shkurt 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës”,
theksoi Krasniqi.

Një përgëzim qytetarëve të Kosovës për Ditën e Pavarësisë iu adresua edhe nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith. Përveçse uroi Kosovën në këtë përvjetor, i ftoi edhe vendet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në trevjetorin e pavarësisë mesazhe urimi qytetarëve iu drejtuan edhe subjektet politike.

Kryetari i Prishtinës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se Dita e Pavarësisë është një ditë, e cila na bën të kujtojmë se si jetuam në të kaluarën dhe se si po jetojmë sot.

Ai përkujtoi të rënët për liri dhe pavarësi, kurse veçoi figurat më të reja të historisë së Kosovës, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, dhe sakrificën e familjes Jashari.

“Shpresoj që edhe përvjetorët e tjerë do të na shërbejnë për të treguar rezultate edhe më të fuqishme në realizimin e projekteve dhe në realizimin e rolit tonë”, tha Mustafa.

Përmes një komunikate me shkrim, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se “puna e palodhur e gjeneratave të tëra dhe sakrifica e vazhdueshme për liri, u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Por, AAK-ja vlerësoi, po ashtu, se të arriturat e deritashme në udhëheqjen e shtetit, zhvillimi i brendshëm, mosfunksionimi i shtetit në gjithë territorin dhe njohjet e pakta ndërkombëtare, lënë shumë për të dëshiruar dhe janë tregues se vendit i duhet një qeverisje më e përkushtuar.


* * * * *

Tre vjet shtet

Në ditëlindjen e tretë si shtet i pavarur, Kosova njihet nga 75 vende të botës dhe shtetësia e saj është bekuar edhe nga mendimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Por, edhe në këtë përvjetor, Kosova po shënon jo më pak sfida se më parë - në mos më shumë.

Shtetit të ri, të vogël, me ekonomi të dërmuar nga e kaluara, me shkallë të lartë të papunësisë, iu shtuan këtë vit edhe një sërë telashesh tjera.

Këtë vit Kosova ditëlindjen e feston me një ushtrues detyre të presidentit, qeveri në dorëheqje dhe Kuvend të shpërbërë, ndonëse java që vjen pritet t’i japë fund këtij ngërçi politik, i cili e ka kapluar vendin që nga 2 nëntori i 2010-s.

Mbi të gjitha, është reputacioni ndërkombëtar ai që ka pësuar goditje, të paktën sipas përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, nisur nga mashtrimet që kanë ndodhur në zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit dhe përpjekjet jo të mjafueshme për të luftuar korrupsionin.

Shtet prej tre vjetësh, Kosova po hyn në këtë periudhë edhe me barrën e raportit të hartuar nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, i miratuar po nga ky institucion, për dyshimet mbi “trafikim organesh nga ish-zyrtarë të lartë të UÇK-së”.

Me këtë “barrë”, Prishtina pritet të hyjë edhe në bisedime mbi çështje teknike me Beogradin, për të cilat një numër vëzhguesish vendorë e ndërkombëtarë, kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të jenë edhe aq teknike sa proklamohen.

Por, për faktorin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, rëndësi të madhe ka fillimisht zhvillimi i demokracisë dhe i ekonomisë, si dy shtyllat kryesore që do të mund ta çonin Kosovën drejt përmirësimit të përditshmërisë për kosovarët dhe imazhit që shteti i ri ka në rrafshin ndërkombëtar.

Pritjet janë që institucionet e ardhshme të Kosovës, me gjithë skepticizmin që mund të ekzistojë mbi qëndrueshmërinë e tyre, ta çojnë shtetin e ri drejt përmbushjes së zotimeve për integrime evropiane, duke qenë se mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit duhet të kërkojnë leje për të lëvizur lirshëm. (a.v.)
XS
SM
MD
LG