Ndërlidhjet

Ku mbeti MTPT-ja dhe MEM-i?


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Qeveria e re i ka ndërruar emrat e disa ministrive. Njohës të çështjeve ekonomike e konsiderojnë të paarsyeshëm ndërrimin e emrave, për shkak se nuk përputhen me përmbajtjen e ministrive përkatëse. Ndërsa, ish-udhëheqës të ministrive përkatëse e quajnë ide të qëlluar ndërrimin e emrave, apo shkrirjen në ministri tjera.


Qeveria e re vjen me ministri të reja, apo me emra të ndryshuar. Kështu, Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit më nuk ekziston, por në vend të saj është Ministria e Infrastrukturës.

Ministria e Ekonomisë dhe e Financave është ndarë në Ministri të Zhvillimit Ekonomik dhe Ministri të Financave. Ndërsa, Ministria e Energjisë dhe Minierave është shkrirë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë të paarsyeshëm ndërrimin e emrave të ministrive, përderisa për ish-udhëheqës të këtyre ministrive ky vendim është i qëlluar.

Musa Limani, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se Qeveria e re ka gabuar me emërtime të reja, pasi emërtimi i tyre nuk përputhet më përmbajtjen dhe funksionin e ministrive përkatëse.

Musa Limani

“Unë mendoj se aty është bërë një gabim, sepse edhe Ministria e Energjetikës dhe Minierave duhet të jetë me emërtimin e caktuar, sepse vetë proceset dhe funksioni i veprimit të kësaj ministrie ka të bëjë me energjetikën dhe minierat. Prandaj, është një ndarje shumë negative dhe një emërtim jo adekuat”,
vlerëson Limani.

Lumir Abdixhiku, nga Instituti “Riinvest” thotë se ky institut parimisht ka qenë për shkurtimin e Qeverisë dhe grumbullimin e ministrive sipas sektorëve të ngjashëm. Ndërsa, kjo lëvizje apo ky ndryshim i emrave, në shikim të parë duket e qëlluar, mirëpo, thotë ai, Qeveria e ka bërë rritjen e numrit të zëvendësministrave dhe ekzistencën e disa ministrive të panevojshme.

Lumir Abdixhiku

“Besoj se ka pasur hapësirë shumë më të madhe, që të vihen interesat nacionale dhe të vihet një strukturë qeverisëse sa më e vogël, pra të vazhdohet me shkurtime. Mirëpo, ajo çfarë kemi parë, ka qenë ekzistenca e disa ministrive që kanë përmbushur më tepër nevojat personale dhe individuale të disa njerëzve të fuqishëm politikë”
, thekson Abdixhiku.

Por, Justina Shiroka-Pula, ish-ministre e Energjisë dhe Minierave, e quan ide të qëlluar bartjen e kësaj ministrie tek ajo e Zhvillimit Ekonomik. Ajo e argumenton këtë me faktin se, sipas saj, Ministria e Energjisë dhe Minierave vetëm ka krijuar strategji dhe politika, ndërsa monitorimi dhe zbatimi i tyre gjithnjë është bërë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, tashmë Ministria e Zhvillimit Ekonomik .

“Prandaj, është më e arsyeshme që këto dy ministri të jenë Ministri e Zhvillimit Ekonomik, sesa që kanë qenë të ndara. Ne i kemi shtyrë projektet, ndërsa ata, në një mënyrë, i kanë stopuar për shkak të prioriteteve të tyre të ndara. Për zhvillimin ekonomik të Kosovës është më mirë se janë në një vend”,
thotë Justina Shiroka- Pula.

Edhe Adem Grabovci, ish-zëvendës ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, ndërrimin e emrit të kësaj ministrie, të quajtur tash Ministria e Infrastrukturës, e quan vendim të drejtë.

Grabovci thotë se Ministria e Transportit ka qenë e ngarkuar me disa departamente, kështu që ndryshimet dhe bartjet e një ministrie në tjetrën, sipas tij, do të japin rezultate pozitive për vendin.

“Kjo vetëm e lehtëson punën dhe për përgjegjësit aktual do të jetë shumë më lehtë për të qenë më të suksesshëm, më efikas në punën e tyre”,
shprehet Grabovci.

Ndryshe, Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit është udhëhequr nga Fatmir Limaj, ndërsa tashmë në ministrinë e quajtur Ministria e Infrastrukturës është emëruar Fehmi Mujota.

Kurse, në krye të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave ka qenë Justina Shiroka- Pula, ndërkaq tash udhëhiqet nga Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik.
XS
SM
MD
LG