Ndërlidhjet

Japoni: Vazhdon operacioni masiv i shpëtimit


Prefektura Mijagji, 13 mars 2011.
Prefektura Mijagji, 13 mars 2011.
Ekipet e shpëtimit në prefekturën Mijagji, në veri të Japonisë, kanë parë shkatërrime të jashtëzakonshme nga tërmeti me intensitet 8.9 shkallë dhe cunami që pasoi. Janë shkatërruar qytete, komunikime, transporti dhe infrastruktura.

Tërmeti e ka shkaktuar aksidentin më të madh bërthamor në botë prej Çernobilit në vitin 1986, pasi një reaktor në centralin atomik të rrymës, Fukushima, që është 240 kilometra në veri të kryeqytetit Tokio, eksplodoi, për shkak të dështimit të sistemit të ftohjes. Zyrtarët janë përpjekur për ta ndalur rrjedhjen e gazit radioaktiv.

Centrali përsëri është ballafaquar me kërcënim të rrjedhjes radioaktive, pasi sistemi i ftohjes dështoi edhe në reaktorin e dytë, ku inxhinierët po merrnin ujë me pompa nga deti për ta parandaluar shkrirjen, për të cilën autoritetet thonë se vështirë mund të ndodhë.

Pasojat e tërmetit...
Auto-amulancat dhe autobusët kanë ndihmuar në evakuimin e mijëra njrëzve, pasi operatori i centralit “Tokyo Electric Power” njoftoi se niveli i rrezatimit përreth centralit Fukushima Daiçi ka arritur mbi kufizimin e lejuar.

Megjithatë, është thënë se rrezatimi nuk paraqet një “kërcënim të menjëhershëm” për shëndetin e njerëzve.

Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan, ka ftuar popullin të bashkohet.

“Në këtë periudhë, unë kam shumë besim se populli japonez do të jetë i bashkuar për të tejkaluar fatkeqësinë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i qeverisë, Juko Edano, ka tërhequr vërejtjen për rritjen e rrezatimit gjatë procedurave të lirimit të avullit në reaktorin numër tre.

“Nëse ka rrjedhje nga reaktori numër tre, kjo është pjesë e procesit të çajrosjes, që është lëshim i kontrolluar”, ka deklaruar Edano.

Madhësia e plotë e dëmit ndoshta nuk do të dihet, derisa punëtorët t’i hapin reaktorët, operacion ky që mund të zgjasë me muaj të tërë.

Në qytetin Korijama, jashtë zonës 20 kilometërshe të sigurisë, të krijuar rreth centralit atomik, zyrtarët e qytetit me rroba mbrojtëse kanë bërë kontrolle për rrezatim.

Agjencia japoneze për sigurinë bërthamore tha se 160 veta mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj rrezatimit.

Tërmeti i së premtes ishte njëri nga tërmetet më të fuqishme deri më tash.

Shumë ndërtesa duket se i qëndruan tërmetit, por u shkatërruan nga cunami.

Autoritetet thonë se 10 mijë veta mund të kenë vdekur ose të jenë zhdukur vetëm në prefekturën Mijagji.

Pamjet televizive tregonin se shumë prej atyre që kishin mbijetuar, ishin mbështjellur me batanije, ndërsa disa prej tyre edhe qanin.

Porti i provincës Sendai, sipas një video-incizimi më të ri, ishte goditur nga vala 10-metërshe e cunamit.

Banori Nobuo Ishigamori kështu e ka përshkruar gjendjen:

“Atë që ndodhi, askush nuk e pa pritur. Askush nuk ka menduar se dëmet do të jenë të këtilla. Ka pasur shumë tërmete të mëdha, por ky ishte i pari i këtij intensiteti dhe ju bën të kuptoni se kurrë nuk e dini se kur mund të sulmojë katastrofa”.

Nga cunami...
Njerëzit në rajon janë të shokuar, por raportohet se ata nuk i ka përfshirë paniku, derisa shumë dridhje të fuqishme, pas tërmetit, e kanë goditur Japoninë.

Banorët në masë të madhe ishin të organizuar në përpjekjet e tyre për siguri dhe në përpjekjet për gjetjen e ushqimit, derisa punëtorët e shpëtimit e kanë ndërmarrë një operacion të shkallës së gjerë për t’i gjetur të mbijetuarit.

Qeveria thotë se 3 mijë njerëz deri tash janë shpëtuar nga ekipet në terren. Më se 50 vende kanë ofruar ndihmë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, që kanë tri luftanije në bregdetin japonez.

Agjencia japoneze e lajmeve Kjodo raportoi se afro 300 mijë njerëz janë evakuuar në mbarë Japoninë dhe se 5.5 milionë njerëz kanë mbetur pa rrymë, ndërsa 20,800 ndërtesa janë shkatërruar ose dëmtuar.

Afro 100 mijë ushtarë të forcës së vetëmbrojtjes së Japonisë janë urdhruar për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit. Vlerësohet se ky është mobilizimi më i madh ushtarak në Japoni prej Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarët ende po e krijojnë ndjenjën e shkallës së dëmit. Por, gazetat dhe OJQ-të kundër atomit tashmë e kanë fajësuar qeverinë për përgatitje të dobët për këtë krizë, që kërcënon ta pengojë ripërtritjen e ndjeshme ekonomike të Japonisë. (f.b.)

Lexoni edhe këtë:
Japonia goditet nga tërmeti dhe cunami


XS
SM
MD
LG