Ndërlidhjet

Opozita (s’)voton buxhetin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Deputetët e partive politike opozitare në Kuvendi e Kosovës, shprehin mendime të ndryshme lidhur me atë se a do ta votojnë apo jo projekt-buxhetin për vitin 2011. Disa thonë se projekt - buxheti i cili pritet të diskutohet, ka mangësi të mëdha dhe si i tillë nuk mund të votohet, kurse disa deputetë të partive të tjera konsiderojnë se buxheti duhet të votohet që vendi të mos hyjë në krizë buxhetore.


Projekt-buxheti për vitin 2011 pritet të diskutohet në seancën e paraparë për 25 mars. Përfaqësues të partive politike opozitare shprehin mendime të ndryshme sa i takon asaj se a do ta votojnë apo jo buxhetin.

Deputeti i Kuvendit të Kosovë, Ali Sadriu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se buxheti, i cili pritet të diskutohet në Kuvend, ka mangësi të mëdha dhe si i tillë nuk mund të votohet.

“Nuk mund ta votojmë një buxhet të tillë, sepse në shtator do të shkojë deri te bankroti, prandaj nuk mund ta marrim atë përgjegjësi. Ky buxhet ka nevojë për parametra të tjerë”.

Ky buxhet nuk i përmbahet as kornizës afatmesme, nuk u përmbahet as rekomandimeve, marrëveshjeve të bëra me FMN-në. Dhe, mbi të gjitha, tri prioritet që ia ka shtruar vetes - zhvillimi ekonomik, qeverisja e mirë dhe mirëqenia sociale - nuk figurojnë askund”, thotë Sadriu.

Veç kësaj, sipas Sadriut, buxhetin e Kosovës do ta ngarkojnë edhe disa ligje që kanë kosto të lartë buxhetore, e të cilat ligje pritet të implementohen këtë vit.

“Do të jetë një sfidë e madhe, duke pasur parasysh që edhe ashtu janë shtyrë dhe janë tejkaluar të gjitha mundësitë. Nga ana tjetër, ta miratojë kështu siç është prezantuar, ky buxhet ka defekte të rënda”.

“Buxheti nuk siguron qëndrueshmëri fiskale për shumë arsye; çështja e pagave që është ngritur në opinion është vetëm për konsumin e brendshëm, që dihet se atë e ka bërë për vota”, deklaron Sadriu.

Në anën tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se janë duke e analizuar projekt-buxhetin, të cilin e ka dorëzuar Qeveria në Kuvend. Por, ata tashmë janë të bindur se nuk do ta votojnë atë në Kuvend.

“Sipas të gjitha gjasave, ne do ta kundërshtojmë një buxhet të tillë, për shkak se ne e shohim një buxhet që nuk është në përputhje me interesat ekonomike dhe shoqërore, të cilat i ka Kosova sot. Pra, është një buxhet sikurse në vitet e kaluara, që i përbush më shumë nevojat e ministrave dhe ministrive të caktuara, sesa nevojat e popullit”, shprehet Visar Ymeri.

Visar Ymeri thotë se në buxhetin e miratuar nga ekzekutivi, shihet se një pjesë e madhe e shpenzimeve, janë të orientuara në infrastrukturë, kryesisht në autostradë.

“Në kohën që pjesët e tjera produktive të ekonomive, siç janë bujqësia, industria, marrin vetëm një shumë tejet të vogël të parave dhe kjo është në kundërshtim të plotë, jo vetëm me programin e Vetëvendosjes, por po ashtu edhe me interesat e Kosovës si shtet dhe si popull”, shton Ymeri.

Por, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se projekt-buxheti ndoshta do të votohet nga kjo parti, për shkak të, siç thotë ai, shpëtimit të vendin që të mos futet në krizë buxhetore.

Nuk pres që buxheti të mos kalojë, jo për shkak të Qeverisë, por për shkak të qytetarëve të Kosovës. Asnjë parti politike nuk do të donte që Kosova të futej në një krizë të re, por si AAK, ne duam që të kemi përmirësime për shkak të ndarjeve jo të mira që janë bërë në buxhet”, thotë Ramadani.

Ndryshe, projekt-buxheti për këtë vit nuk ka arritur që të miratohet për shkak të shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës në fund të vitit të kaluar.

Në bazë Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajt e parë të këtij viti, shpenzimet buxhetore janë bërë me 1/12 e buxhetit paraprak.

Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, nëse projekt-buxheti nuk miratohet deri në fund të muajit mars, Kosova mund të futet në krizë buxhetore.
XS
SM
MD
LG