Ndërlidhjet

Buxheti dhe PTK-ja (s') shkojnë bashkë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Opozita në Prishtinë konsideron se futja e privatizimit të PTK-së në kuadër të miratimit të buxhetit për vitin 2011, është një veprim jokushtetues i Qeverisë së Kosovës.


Përfshirja e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2011 mund ta pozicionojë opozitën që të votojë kundër apo të abstenojë gjatë miratimit të buxhetit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si grupi më i madh opozitar, ka vendosur që vendimin për apo kundër votimit të buxhetit, ta bëjë publik gjatë seancës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se, përveç vërejtjeve të shumta në projektimin e buxhetit, neni 4, ku parashihet që bashkë me buxhetin të privatizohet edhe PTK-ja, nuk mund të përfshihet në një vendim.
Projektligji për buxhet dhe procesi i privatizimit nuk shkojnë bashkë. Është shumë e qartë se janë dy procese dhe punë të ndara.

Ky buxhet ka një mori të metash dhe mbi të gjitha nuk siguron qëndrueshmëri ekonomike - pa hyrë në detaje të tjera, pasi që të gjitha vërejtjet do t’i thonë deputetët tanë. Normalisht që neni 4, është shumë e qartë, nuk e ka vendin aty, sepse projektligji për buxhet dhe procesi i privatizimit nuk shkojnë bashkë. Është shumë e qartë se janë dy procese dhe punë të ndara”, thotë Beqiri.

Privatizimi i PTK-së në pako me miratimin e buxhetit, sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është një veprim në kundërshtim me Kushtetutën.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se kjo parti nuk është kundër privatizimit, por shpreh rezerva në lidhje me privatizimin e PTK-së, për shkak të mungesës së transparencës.
Është jokushtetuese që këto dy vendime të merren në pako.

Aleanca mendon se është gabim që çështja e privatizimit të PTK-së të ndërlidhet drejtpërdrejt me buxhetin, për shkak se janë dy vendime të ndryshme. Është jokushtetuese që këto dy vendime të merren në pako. Mendojmë që buxheti dhe privatizimi i PTK-së duhet të votohen veçmas”, thotë Gjini.

Një qëndrim tjetër ka Lëvizja Vetëvendosje. Zyrtarë të saj kanë përsëritur se janë në përgjithësi kundër privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha publike, siç janë: Trepça, PTK-ja, KEK-u dhe Aeroporti i Prishtinës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, vlerëson se “këto ndërmarrje, përmes një organizimi më të mirë publik, do të mund të funksionalizoheshin dhe të sillnin një profit shumë më të madh për Kosovën”.

Qeveria pret që Kuvendi të zhvillojë një debat, të sugjerojë plotësim e ndryshime në projekt-buxhet dhe me procedura të shpejtuara, të miratohet ky buxhet para datës 1 prill, në mënyrë që vendi të mos futet në krizë makrofiskale.

Qeveria e Kosovës
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pret që Kuvendi ta miratojë buxhetin e këtij viti, i cili edhe po vihet në miratim me një vonesë prej tre muajsh.

“Mendoj se është një lajm i mirë që tashmë është proceduar, është arritur një pajtueshmëri apo një debat edhe me grupet tjera parlamentare. Presim që të premten, Parlamenti ta ketë një debat të mirë, t’i japë sugjerimet e veta, ta mbështesë projektbuxhetin. Ai është buxhet për tërë Kosovën dhe nuk është për pozitën apo opozitën”, thotë Kuçi.

Për seancën e së premtes, opozita, përjashtuar Vetëvendosjen, nuk e ka përjashtuar si mundësi që ta votojë projektbuxhetin në leximin e parë, duke kërkuar që për leximin e dytë të hiqet nga votimi në pako privatizimi i PTK-së.

E nëse qeveria dhe partitë shumicë nuk pajtohen, atëherë opozita do të abstenonte apo votonte kundër, kurse buxheti do të miratohej vetëm me votat e partive në pushtet.
XS
SM
MD
LG