Ndërlidhjet

Bisedime me vija të kuqe


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Qeveria e Kosovës do t’i japë lejen kryenegociatorit serb në bisedime, Borko Stefanoviq, që të vizitojë zyrtarisht Kosovën. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se është i gatshëm të bisedojë me Stefanoviqin për raportet ndërshtetërore. Pikërisht për dialogun Kosovë - Serbi pritet të debatohet nesër në Parlamentin e Kosovës, sipas një nisme të Lëvizjes Vetëvendosje.


Kosova i ka vijat e kuqe në kuadër të bisedimeve me Serbinë, thonë zyrtarë të Qeverisë. Sipas tyre, nuk mund të ketë dialog jashtë Kushtetutës dhe jashtë mandatit të përcaktuar nga Kuvendi i Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se dialogu, mes tjerash, ka për qëllim të nxisë një bashkëpunim ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërlidhet me proceset integruese në Bashkimin Evropian.

Por, sipas tij, dialogu nuk do të përfshijë çështje të brendshme të Kosovës.

Hajredin Kuçi
Ne i kemi vënë vijat e kuqe, e kemi platformën për dialog, e cila nuk nënkupton se do të bisedohet për tërësinë territoriale, as për sovranitetin, as për balancat brendapërbrenda vendit dhe rendin juridik kushtetues".

“Në këtë drejtim, raportet ndërshtetërore për fqinjësi të mirë, që u hapin rrugë për integrim të dyja shteteve, mund të bisedohen, por të gjitha të tjerat janë të papranueshme për ne. Po e them se nuk ka dialog jashtë Kushtetutës dhe jashtë mandatit të Kuvendit të Republikës”,
thotë Kuçi.

Është pikërisht dialogu me Serbinë që e ka shtyrë Lëvizjen Vetëvendosje të thërrasë në interpelancë para Kuvendit kryeministrin Hashim Thaçi. Seanca është thirrur për të enjten. Pjesëmarrjen e kryeministrit Thaçi në këtë seancë e ka konfirmuar zëvendëskryeministri Kuçi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se ka disa arsye pse Thaçi është ftuar në interpelancë. Ndër arsyet kryesore, sipas tij, janë sqarimet që duhet t’i japë kryeministri në lidhje me agjendën e dialogut dhe marrëveshjet që po paralajmërohen se do të arrihen në kuadër të bisedimeve me Serbinë.

“Zonja Tahiri ka deklaruar se ka përafrim të qëndrimeve me Serbinë për sa i përket çështjes së regjistrit civil, librave amzë, e po ashtu edhe në fushën e energjisë dhe telekomunikacionit. Pra, janë këto çështje për të cilat ne kërkojmë interpelancë dhe e thërrasim kryeministrin që të japë përgjegjësi para deputetëve dhe publikut të Kosovës për këto kompromise të reja që po arrihen me Serbinë”, thekson Ymeri.

Në vend të bisedimeve me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje, sipas deputetit Ymeri, kërkon që Kosova të ushtrojë sovranitetin e saj në gjithë territorin. Njëherësh, Vetëvendosje e kundërshton edhe mundësinë që si garant i zbatimit të marrëveshjeve eventuale, të jetë EULEX-i.

Visar Ymeri
“Për sa u përket tendencave që EULEX-i të jetë garantues i zbatimit të marrëveshjeve, kjo është e njëjta gjë që ka ndodhur me Kosovën si në kohën e UNMIK-ut, kur bashkësia ndërkombëtare edhe sundonte me Kosovën, por, në njëfarë mënyre, edhe ndërmjetësonte në negociatat me Serbinë”.

“Pra, kjo është një prej padrejtësive kryesore që i bëhet Kosovës në këtë proces negociator dhe që i bëhet Kosovës në përgjithësi, në aspektin e ndërtimit dhe funksionalizimit të shtetësisë së saj”,
thotë Ymeri.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Kuçi ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës do t’i japë leje shefit të delegacionit të Serbisë, Borko Stefanoviq, që ta vizitojë Kosovën.

Kuçi thotë se Stefanoviqit dhe zyrtarëve të tjerë serbë u janë vënë kushtet paraprake, të cilat ata duhet t’i respektojnë, e që nënkuptojnë kryesisht përmbajtje nga fjalori nxitës politik.

“Ai ka paralajmëruar një vizitë zyrtare dhe unë po them se do t’ia jap lejen që të vijë. Ne jemi për dialog dhe nuk do t’i pengojmë lëvizjet”.

“Jemi të gatshëm ta takojmë, të bisedojmë për raportet ndërshtetërore. Jam i bindur se edhe ai do të jetë i kujdesshëm në fjalorin e tij”,
thotë Kuçi.

Dialogu Prishtinë - Beograd ka nisur dhe po zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me asistencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shqetësimet kryesore të opozitës dhe një pjese të shoqërisë civile kanë të bëjnë me atë se sa mund të jenë të dobishme këto bisedime për Kosovën, marrë parasysh gjendjen faktike në veri të vendit, ku Serbia ka një shtrirje të pushtetit paralel, si dhe deklaratat e zyrtarëve serbë se edhe ndarja e Kosovës mund të jetë pjesë e dialogut.

Për këto arsye, këto bisedime nga një pjesë e spektrit politik nuk janë përkrahur dhe shihen si kërcënim për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG