Ndërlidhjet

Punimet për “Kosovën e Re” më 2012(?)


Termocentrali "Kosova A"
Termocentrali "Kosova A"
Punimet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, mund të fillojnë në fund të vitit 2012, pasi gjatë këtij viti pritet të shpallet kompania fituese, thonë drejtues të këtij projekti. Në anën tjetër, ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, thotë se projekti për termocentralin “Kosova e Re” është kthyer në pikën zero.


Nga mesi i këtij viti pritet që të zgjidhet kompania fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, ndërsa në fund të vitit 2012 apo në fillim të vitit 2013, pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e këtij termocentrali, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritar.

Ndryshe, katër konsorciume, nga gjashtë sa kishin aplikuar, i kanë përmbushur kriteret për realizimin e këtij projekti. Lorik Haxhiu, drejtues i këtij projekti, thotë se pas vlerësimit të ofertave, do të dihet se kush do të jetë fitues për ndërtimin e këtij termocentrali.
Lorik Haxhiu

“Tash kjo varet se kur ne jemi në gjendje të shpallim draft-kërkesën për propozime dhe besoj se kjo do të bëhet para pushimeve verore. Pas shpalljes së kompanisë fituese vjen faza e përmbylljes financiare, faza e transferit të aseteve dhe kjo zgjat disa muaj. Kështu që realisht mund të presim që ndërtimi në terren, mund të fillojë në fund të vitit 2012, apo në fillim të vitit 2013”, thotë Haxhiu.

Në anën tjetër, Ethem Çeku, ministër i Energjisë dhe Minierave, në kohën kur është hartuar projekti, shprehet skeptik se kompanitë që janë në garë, do të investojnë në termocentralin “Kosova e Re”.

Ai konsideron se ofertat që do të bëjnë këto kompani, do të jenë të pamjaftueshme që Kosova të arrijë të krijojë profit nga ky projekt.

“Ajo është e vështirë, sepse vonesat e mëdha, kriza, situata politike, e cila mbizotëron, është shumë e vështirë që edhe këto kompani të mbetura të mendojnë se a do të mbesin më në Kosovë, apo do të hulumtojnë tregjet e jashtme. Ne duhet të vetëdijesohemi se Kosova nuk është epiqendër e prodhimit të energjisë botërore. Por, jemi vetëm një sektor i vogël”, thekson Çeku.

Çeku, madje, shprehet se projekti “Kosova e Re” dikur “Kosova C” tashmë është kthyer në pikën zero.

“Ajo është kthyer në pikën zero, sepse ne ende nuk e kemi dizajnin e projektit, nuk e kemi pakon ofertuese. Unë mendoj se ky zhvillim i institucioneve tona e ka mbytur, e ka ngulfatur projektin “Kosova e Re”, dhe tani këto janë vetëm neglizhenca kohore. Llogariteni – ndërtimi është dashur të fillojë në vitin 2008, dhe tashmë jemi në vitin 2011 dhe ne nuk e kemi as pakon tenderuese!”, vlerëson Çeku.

Por, ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, muajin e kaluar ka deklaruar se termocentrali “Kosova e Re” është zvarritur për shkak të presioneve të bëra nga ndërkombëtarët dhe jo vetëm nga këshilltarët e transaksionit, por edhe nga zyrtarë diplomatikë që janë në Kosovë.

Lidhur me këtë, Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, thekson se zonja Shiroka-Pula, këto deklarata është dashur t’i bëjë publike në kohën kur, sipas saj, ka pasur presione.

Besim Beqaj
“Do të ishte mirë që ministrja të tregojë se çfarë presionesh kanë qenë ato dhe, fundi i fundit, pse tani flitet për presione, kur ka mundur të flitet më herët?! Pse është lejuar të merren vendime që konsiderohen që janë veprime të gabueshme konform presioneve? Gjithmonë deklarimet post-postum nuk janë deklarime shumë parimore”.

“Unë e kam gjetur një gjendje në MEM, projekte të cilat kanë filluar, të dizajnuara nga vetë ministrja, do të vazhdojnë aty ku kanë mbetur për të siguruar çdo veprim që të jetë në harmoni me ligjin dhe gjithçka të ndodhë në të mirën e qytetarëve të vendit
”, shprehet Beqaj.

Vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri, me të cilin do të përmirësohej gjendja e furnizimit me energji elektrike në Kosovë, ishte marrë në vitin 2005, kur edhe ishte hartuar Strategjia për Zhvillimin e Energjisë.

Mirëpo, puna për realizimin e këtij projekti, që konsiderohet një ndër projektet kapitale më të mëdha në vend, nuk ka filluar ende, edhe pse zyrtarë të Qeverisë, vitin e kaluar patën deklaruar se punimet për këtë projekt do të fillojnë gjatë këtij viti.
XS
SM
MD
LG