Ndërlidhjet

Fondi i Privatizimit dhe mundësitë e kthimit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Autoritetet kompetente në Kosovë vazhdimisht po kërkojnë kthimin e Fondit të Privatizimit, fond ky i siguruar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore. Sipas tyre dhe ekspertëve të ekonomisë, problem në këtë kuadër mbetet mungesa e Ligjit për Letra me Vlerë. Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Financave pohojnë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ky projektligj do të dërgohet në Qeveri.


Mbi 520 milionë euro është shuma e mbledhur nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. Por, kjo vlerë e mjeteve vazhdon të mbetet e pashfrytëzuar.

Disa nga këto mjete mbahen në banka të ndryshme të Bashkimit Evropian, kurse pjesa tjetër mbahet e ngrirë në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Drejtues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thonë se kanë kërkuar në vazhdimësi që Fondet e Mirëbesimit të kthehen në funksion të tregut financiar të Kosovës.

Arta Gosalci, zëdhënëse në këtë agjenci, thekson se AKP-ja ka kërkuar që të krijohen mundësi ligjore që mjetet të kthehen në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Edhe në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Bordit të AKP-së ka kërkuar që të përshpejtohet procesi i hartimit dhe aprovimit të Ligjit për Letrat me Vlerë, në mënyrë që AKP-ja t’i kthejë mjetet e privatizimit në tregun financiar të Kosovës”
, thotë Gosalci.

Edhe njohës të çështjeve ekonomike e vlerësojnë të domosdoshëm kthimin e këtyre mjeteve në funksion të ekonomisë së vendit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, konsideron se në radhë të parë duhet të krijohet baza ligjore për kthimin e këtij fondi.

“Është koha që duhet të punohet më tepër në aspektin ligjor, që vërtet të kemi siguri ligjore që ato mjete dhe mjetet tjera që janë jashtë përdorimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, të gjenden mundësi që të jenë në Kosovë”.

“Ju e dini se sot në Kosovë nuk është i miratuar Ligji mbi Letrat me Vlerë dhe në këtë drejtim, do të jetë një ndër pengesat kryesore që këto mjetet të jenë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe në aspekt të përkrahjes së sektorit privat
”, konsideron Gërxhaliu.

Por, Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, thotë se deri në fund të muajit qershor, projektligji për Letrat me Vlerë do të dërgohet për shqyrtim në Qeveri.

“Faktikisht, Ministria e Financave, duke marrë parasysh edhe strategjinë legjislative të Qeverisë së Kosovës për vitin 2011, brenda këtij gjashtëmujori do të përfundojë së hartuari edhe projektligjin për Letrat me Vlerë dhe do ta dërgojë në Qeveri brenda gjashtëmujorit të parë. Pastaj, pritet që të procedohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim”, shpjegon Shahini.

Pas miratimit të këtij ligji dhe zhbllokimit të Fondit të Privatizimit, Safet Gërxhaliu thekson nevojën për krijimin e një banke investuese në mënyrë që, siç thotë ai, të financohen projektet e sektorit privat.

Po qe se kryhet një detyrë e tillë dhe ato mjete do të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe proceseve ekonomike, atëherë përfundimisht duhet të përkrahet sektori privat dhe prodhuesit, në veçanti”.

“E, nëse me këto mjete nuk arrijmë që të krijojmë vende të reja të punës, të minimizojmë tensionet sociale dhe të përmirësojmë bilancin e pagesave që Kosova të mos jetë vendi i vetëm që eksporton para të gatshme, atëherë me siguri efekti i tyre nuk do të jetë ai i prituri”,
vlerëson Gërxhaliu.

Ndryshe, përveç 520 milionë eurove të Fondit të Privatizimit, jashtë funksionit ekonomik të vendit vazhdojnë të mbesin edhe afër 500 milionë euro të Trustit të Kursimeve Pensionale.
XS
SM
MD
LG