Ndërlidhjet

Ende larg liberalizimit të vizave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në mungesë të udhërrëfyesit, i cili nuk i është lëshuar ende nga Brukseli, Kosova vazhdon t’i përmbushë njëanshëm kriteret për liberalizimin e vizave. Derisa në Qeverinë e Kosovës shpresojnë se kriteret teknike do të plotësohen nga fillimi i vitit vijues, në Komisionin Parlamentar për integrime evropiane thonë se përfshirja e Kosovës në këtë proces është ende e largët.


Bashkimi Evropian nuk ia ka qartësuar ende Kosovës perspektivën e liberalizimit të vizave, thonë zyrtarët në Prishtinë.

Megjithatë, në Qeverinë e Kosovës besojnë se vendi tashmë është gati për këtë proces. Përderisa në Komisionin për Integrime Evropiane në Parlament ka skepticizëm, si në raport me gatishmërinë e BE-së për të pranuar kosovarët në Evropën pa viza, ashtu edhe në përgatitjet e Kosovës për këtë proces.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, pret që BE-ja shumë shpejt t'i nisë bisedimet me autoritetet e Kosovës, si për liberalizimin e vizave ashtu edhe për marrëveshjet tjera kontraktuale me Kosovën.

Vlora Çitaku

Ne do të punojmë njëanshëm në përmbushjen e kritereve dhe shpresojmë që shpejt edhe Komisioni Evropian të vijë me një përgjigje pozitive për lansimin e dialogut për vizat, presim dhe avancimin e marrëdhënieve tregtare, e kështu me radhë”, thekson Çitaku.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane në Parlamentin e Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se Kosova mbetet getoja evropiane, për shkak të pengesave që po i bëhen asaj, si nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur atë si shtet, apo edhe për faktin se Kosova nuk i ka plotësuar kriteret e parapara.

Duke iu referuar deklaratave të përsëritura të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili para gjysmë viti pati premtuar se brenda 15 muajve Kosova do të përfshihej në liberalizim, deputeti Haziri thotë se nuk ka kurrfarë afati që garanton përfshirjen e Kosovës në këtë proces.

Përderisa Kosova nuk e ka para vetes as udhërrëfyesin për vizat, nuk mund të ketë afate tjera, thekson Haziri.
Kosova nuk e ka të qartë se kur e merr udhërrëfyesin...

“Mund të them lirisht se edhe 8 muaj kanë mbetur nga premtimi i kryeministrit. Por, absolutisht, nuk guxojmë të shkaktojmë pritje të qytetarëve të Kosovës sa i përket këtij procesi, sepse nuk ka asnjë datë, asnjë orar, as kalendar që Kosovën e çon në këtë proces. Kosova nuk e ka të qartë se kur e merr udhërrëfyesin dhe udhërrëfyesi i jep detyrat, standardet dhe kushtet teknike e politike që duhet të plotësohen në këtë proces”, thotë Haziri.

Sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës, pasaportat biometrike si një nga kushtet për liberalizim, do të fillojnë të prodhohen nga tetori i këtij viti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se Kosova mund t’i plotësojë kushtet teknike qysh në fillim të vitit 2012, por ai nuk e fsheh shqetësimin se sjellja e vendeve tjera të rajonit në procesin e liberalizimit të vizave mund t’i kushtojë me vonesa edhe Kosovës.

“Në pjesën e parë të vitit 2012 ne i plotësojmë kushtet teknike, mirëpo tash këtu mund të ketë edhe dëme kolaterale. E dini që në muajin qershor do të bëhet një vlerësim për Serbinë dhe Maqedoninë se si ata e kanë përdorur procesin e liberalizimit, a ka pasur keqpërdorime. Kështu që ne nuk mund të jemi të ndarë nga ky proces, por ajo çka duhet të bëjmë ne, është t’i kryejmë punët tona”, shpjegon ministri Rexhepi.

Në anën tjetër, deputeti Lutfi Haziri e sheh si sfiduese çështjen e riatdhesimit dhe drojës së vendeve të BE-së se me anë të liberalizimit do të nisej një fluks i ri i kosovarëve drejt Evropës, duke shpresuar se do të marrin strehim në vendet e BE-së.

Lutfi Haziri
“Ajo që vërtet është e paqartë, ka të bëjë me procesin e përmbushjes së standardit të riatdhesimit dhe riintegrimit. Është një prej detyrave më sfiduese, të cilën Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta përmbushë. Ka të bëjë me njerëzit e Kosovës që janë azilkërkues, për arsye të caktuara në vende të ndryshme të BE-së. Kosova nuk ka arritur që në mënyrë bilaterale të nënshkruajë marrëveshje me shumë shtete, të cilat kërkojnë që ky standard në Kosovë të vendoset dhe Kosova t’i marrë obligimet e veta”, thekson Haziri.

Gjatë muajit qershor, pritet që Kosovën ta vizitojë një komisariat për punë të brendshme i BE-së, që do të dërgojë në Kosovë një komision vlerësues, i cili do të nxjerrë përfundime në lidhje me përmbushjen e kritereve të parapara për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.

Lexoni edhe këto:
Çitaku: BE-ja po përdor standarde të dyfishta
Kosova nuk dëshiron të mbetet e izoluar
XS
SM
MD
LG