Ndërlidhjet

Roqen: Ka kaluar koha e ndarjeve


Millan Roqen - foto arkiv
Millan Roqen - foto arkiv

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Millan Roqen, ka qëndruar sot në Prishtinë, me ç’rast është pritur nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë për ndarjen e Kosovës, Roqen tha se ka kaluar koha e ndarjeve dhe e rishkrimit të kufijve dhe se tani është koha e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.



Koha e ndarjeve dhe e rishkrimit të kufijve në Ballkan ka përfunduar, deklaroi sot në Prishtinë ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Millan Roqen.

Këto komente, ai i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Roqen tha se idetë e lansuara kohë pas kohe në Beograd për ndarje e shkëmbim territoresh, nuk përkojnë me kohën, ngase tani është koha e integrimeve dhe jo e ndarjeve.
Mendoj se ka kaluar përgjithmonë koha e projekteve për shtete të mëdha, të cilat kurrë nuk i kanë sjellë të mira askujt.

“Mendoj se ka kaluar koha e ndarjeve dhe e rishkrimit të kufijve të rinj në rajonin tonë. Për të gjithë ata që ëndërrojnë këso ëndrrash, pavarësisht se a janë në Serbi, Mal të Zi, Kosovë apo Shqipëri, mendoj se ka kaluar përgjithmonë koha e projekteve për shtete të mëdha në këtë rajon, të cilat kurrë nuk i kanë sjellë të mira askujt”, u shpreh Roqen. 

Ai tha se Mali i Zi ka raporte të mira me Serbinë dhe se këto marrëdhënie nuk janë prishur për shkak të njohjes së Kosovës. Njëherësh, potencoi Roqen, Podgorica nuk është penduar në asnjë rast që e ka njohur shtetin e Kosovës. 

Duke iu referuar vizitës së tij në Prishtinë, ai tha se Kosova dhe Mali i Zi kanë rikonfirmuar gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ministrat e Jashtëm, Millan Roqen dhe Enver Hoxhaj, thanë se Kosova dhe Mali i Zi do të vendosin  marrëdhënie në nivel ambasadash vitin e ardhshëm. Të dy ministrat u angazhuan edhe për marrëveshje ndërfqinjësore, për lirinë e lëvizjes, të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, si dhe për zbatimin e marrëveshjes për riatdhesimin.

Ministri Enver Hoxhaj tha se Kosova tashmë ka vendosur që komuniteti malazez në Kosovë të fitojë statusin e pakicës dhe se kjo pozitë e re, këtij komuniteti do t’i njihet me Kushtetutën e Kosovës, e cila aktualisht është në procesin e amendamentimit.  

Republika e Kosovës është e përkushtuar që komunitetin malazez në Kosovë ta përcaktojë në Kushtetutën e ardhshme të Republikës së Kosovës. Biseduam për marrëveshje në fushën e riatdhesimit, biseduam për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar në Çakor, pastaj për çështjen e lëvizjes së qytetarëve në të dyja vendet vetëm me letërnjoftim”, tha ministri Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm malazez është pritur edhe nga presidentja Aifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi. Gjatë kësaj vizite është biseduar edhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për të cilin është thënë se nuk paraqet ndonjë çështje problematike. Të dyja palët kanë shprehur besimin se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG