Ndërlidhjet

Toleranca, element i rëndësishëm


Prishtina
Prishtina
Toleranca është element i rëndësishëm për një shoqëri, thonë të rinj shqiptarë dhe të komuniteteve tjera, pa të cilën, sipas tyre, nuk mund të ndërtohet e ardhmja. Ndërsa, edukata familjare dhe arsimimi, thonë ata, radhiten si vlerat më të rëndësishme individuale.


Shëndeti, edukimi, kultura, arsimi, toleranca janë vetëm disa nga vlerat individuale dhe shoqërore të të rinjve kosovarë. Si shqiptarët, ashtu edhe të rinj nga komunitetet tjera, një vend të rëndësishëm i japin tolerancës, pa të cilën, sipas tyre, nuk mund të ndërtohet e ardhmja.

Për Enver Gashin, besimi dhe edukata familjare radhiten si vlerat më të rëndësishme individuale, ndërsa arsimi, kultura e përgjithshme dhe identiteti evropian janë gjëra, për të cilat shoqëria duhet të përpiqet.

“Edukimi ka një rëndësi të madhe, sepse jemi një shoqëri larg vlerave evropiane të edukimit, prandaj përmes edukimit cilësor mund ta gjejmë veten në raport më këtë shoqëri dhe me vlerat evropiane. Sa i përket kulturës, besoj se një kulturë substanciale e shoqërisë mungon në raport me kulturat tjera si në rajon, Evropë dhe më gjerë”, thotë Gashi.

Shëndeti dhe arsimi janë vlerat më të rëndësishme individuale, thotë Sandra Cvetkoviq. Por, toleranca, sipas saj, renditet e para në mesin e vlerave shoqërore.
Mendoj se toleranca është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë në Kosovë, për rininë.


“Te ne, toleranca, mbi të gjitha, do të duhej të ishte në vendin e parë. Mendoj se toleranca është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë në Kosovë, për rininë. Rinia ndoshta do të duhej të harronte atë çfarë ka ndodhur dhe të kthehej kah e ardhmja”.

“Për komunitetin serb, mendoj se do të ishte shumë e rëndësishme edhe kultura, meqë rinia serbe, në mjediset serbe, ka farë pak mundësi të ndjekë ndonjë manifestim kulturor”, shprehet Cvetkoviq.

Edis Galushi, rom nga Prizreni, thotë se është shumë e rëndësishme që një person të integrohet në shoqërinë ku jeton. Ai do të donte që secilit t’i ofrohet mundësia të avancohet në atë që dëshiron dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojë shoqërisë.
Nuk duhet të ndahemi ose t’i formojmë shoqëritë veç e veç. Vendi u takon të gjithëve dhe duhet të jetojmë së bashku.


Galushi shpreh besim në bashkëjetesën e të gjitha komuniteteve:

“Motoja jonë e re është ‘Kosova, të rinjtë evropianë’. Mendoj se edhe serbët duhet ta pranojnë dhe ta kuptojnë këtë. Nuk duhet të ndahemi ose t’i formojmë shoqëritë veç e veç. Vendi u takon të gjithëve dhe duhet të jetojmë së bashku”.

Në anën tjetër, Skënder Boshtrakaj, ish-drejtor i Departamentit për Rini në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke u bazuar në përvojën e tij, thotë se rinisë i mungon mobilizimi, në kuptimin e lëvizjes së lirë, krijimit të komunikimit, bashkëpunimit dhe lëvizjes drejt krijimit të karrierës.

Ai thekson se në botën moderne më nuk është trend që të shkohet në pension me profesionin që është ushtruar që në rininë e hershme.

“Kur them mobilizimin mendoj, jo vetëm në lirinë e lëvizjes brenda Kosovës, në rajon dhe në Evropë, që është shumë e rëndësishme, por mendoj edhe në mobilizimin brenda profesionit, brenda sistemit të shkollimit dhe mobilizimin në tregun e punës në Kosovë, rajon dhe në Evropë”, thekson Boshtrakaj.

Ndërsa, sa i përket jetës kulturore, Boshtrakaj thotë se për dallim nga vitet ‘90, kur dy mundësitë e vetme për të rinjtë kanë qenë solidariteti dhe demonstratat, sot të rinjtë janë të organizuar në klubet dhe organizatat e veta.

Megjithatë, Boshtrakaj shton se e gjithë ajo, për të cilën dikur është folur për të rinjtë, se ata janë e ardhmja e vendit, duhet pasur parasysh që të rinjtë janë edhe e sotmja e tyre.
XS
SM
MD
LG