Ndërlidhjet

Me strategji për lobim


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Në funksion të koordinimit të aktiviteteve diplomatike për shtimin e njohjeve, Qeveria e Kosovës miratoi strategjinë e saj për lobim. Kjo strategji u tha se përfshin aktivitete diplomatike-lobuese nga institucionet dhe miqtë ndërkombëtarë, duke i ndarë edhe shtetet te të cilat do të lobohet në kategori specifike.

Qeveria e Kosovës miratoi strategjinë për njohje, me anë të cilës synon një mobilizim të përgjithshëm diplomatik në shërbim të shtimit të numrit të vendeve që do ta njohin Republikën e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se lobimi i deritashëm, si edhe aktiviteti që pritet tash e tutje me anë të kësaj strategjie, do t’i sjellin Kosovës njohje të reja.

Natyrisht se këto takime do të jenë jashtëzakonisht inkurajuese për vazhdimin e procesit për njohje të reja të mbetura për Republikën e Kosovës”, vlerësoi Thaçi.

Ndërkohë, sponsoruesi i kësaj strategjie, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se strategjia përfshin aktivitetet që institucionet, krerët e institucioneve, por edhe miqtë ndërkombëtarë do të angazhohen në fushën e lobimit për njohje të reja.

Ai tha se kjo strategji përfshin pesë fusha, nëpër të cilat janë të renditura vendet me karakteristikat e tyre, veç e veç.

Kabineti qeveritar...

Ka pesë grupe të shteteve, të cilat kanë të bëjnë me relacionet bilaterale dhe të njohjes së Kosovës. Në grupin e parë janë shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës; grupi i dytë janë një grup i shteteve që janë shumë afër njohjes së Kosovës; grupi i tretë është ai i vendeve që kanë dhënë sinjale pozitive se mund të lëvizin drejt njohjes së Kosovës; ka një grup të katërt që ka qëndrim neutral dhe të cilat nuk janë deklaruar sa i përket njohjes së Kosovës dhe është grupi i pestë - ai i vendeve kundërshtare të pavarësisë së Kosovës”, theksoi Hoxhaj.

Punët në hartimin e kësaj strategjie janë koordinuar edhe me Zyrën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Përderisa zyrtarë të Qeverisë nga partia partnere e PDK-së në koalicionin qeverisës, ata të Aleancës Kosova e Re, lanë të nënkuptohet se kjo strategji nuk është koordinuar mjaftueshëm me këtë subjekt politik.

I ngarkuari i Qeverisë për lobim, zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, tha se e kishte shfletuar sot këtë strategji, në ditën kur ajo është publikuar në mediat lokale.

“Atë që s’e kam parë e s’e kam lexuar, e kam lexuar sot”, u shpreh Pacolli.

Në anën tjetër, ministri për Diasporën, po nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, tha se ministrat janë fare pak të informuar me përmbajtjen e kësaj strategjie.


“E vlerësoj dhe do të duhej vlerësuar puna e bërë rreth kësaj strategjie, por besoj se sot është e ngutshme që ne të votojmë për një dokument që e kemi para vetes para pak çastesh. Do të ishte mirë që të shihet se çfarë përmban brendia, se cila do të jetë edhe mundësia e involvimit edhe e të tjerëve në këtë proces dhe konsideroj që do të ishte më mirë që të krijohet një hapësirë kohore kur ne do të jepnim një vlerësim të drejtë dhe kjo do të ishte në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”, nënvizoi Makolli.

Sidoqoftë, pavarësisht kërkesave që konsultimet të vazhdojnë, strategjia është miratuar unanimisht nga Qeveria e Kosovës. Kurse, disa detaje të saj, u tha se do të mbeten konfidenciale, pasi që kanë të bëjnë me interesin strategjik të politikës dhe interesit të Kosovës.

Kosovën deri më tash e kanë njohur 75 shtete. Ndërkaq, synimet e institucioneve janë që të sigurohet edhe një numër njohjesh të reja, që të arrihet numri prej 100 njohjesh, për t’i shmangur pengesat që po i shkaktohen shtetit të Kosovës në anëtarësimin dhe përfaqësimin e saj në organizata e mekanizma ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG