Ndërlidhjet

BE obligon palët në dialog?


Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri...
Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri...
Roli lehtësues i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, mund të marrë një formë tjetër kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjeve të paralajmëruara ndërmjet palëve, vlerësojnë analistët politikë në Kosovë.

Profesori i së drejtës evropiane dhe zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Asllan Bilalli, përmend një varg masash politike të cilat Brukseli zyrtar mund të përdorë për t'i shtyrë palët të zbatojnë marrëveshjet eventuale.

Në kuadër të Bashkimit Evropian, ekzistojnë mekanizma të ndryshëm duke u nisur nga bllokimi, nga izolimi i shteteve, nga mosdhënia e mundësisë për anëtarësim në Bashkimi Evropian, duke dhënë mundësi që të lehtësohen kushtet për qasje në BE, në qoftë se shtetet kanë marrëdhënie të zhvilluara fqinjësore”, thotë Bilalli.


Komenti i tij pason deklaratën e shefes së delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri, e cila tha se i takon BE-së të vendosë për formën e nënshkrimit dhe të zbatimit të marrëveshjeve eventuale me palën serbe. Ligjvënësit kosovarë kanë kundërshtuar, deri më tani, zbatimin e çfarëdo marrëveshjeje pa miratimin e Kuvendit të Kosovës.

Udhëheqësi i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në interesimin e BE-së për të pasur sukses në dialog, ky mekanizëm mund t'i shtyjë palët të nënshkruajnë marrëveshje obliguese pa pasur nevojë që ato të kalojnë për ratifikim në parlamentet e të dyja vendeve.

Me siguri se nuk është e pëlqyeshme për qytetarët e Kosovës edhe për vetë Kosovën, por në anën tjetër janë problematike edhe vendimet, të cilat duhet të kalojnë nëpër Parlamentin e Kosovës dhe atë të Serbisë. Nëse kërkohet patjetër ratifikimi i tyre, nuk garantohet ndonjë sukses eventual në bisedime, sepse secila palë do të kishte mundësi vetoje, të bllokimit të procesit të negocimit apo marrëveshjeje eventuale”, shprehet Baliqi.

Në fillim të muajit mars, Kuvendi i Kosovës, edhe pse në mungesë të votave të opozitës, kishte miratuar një rezolutë, përmes së cilës mbështetej dialogu me Serbinë, ndërsa caktoheshin të ashtuquajturat “vija të kuqe” në proces.

Askush nuk imponon biseda të asaj natyre që me çdo kusht të kalojë ajo marrëveshje.

Sipas Asllan Bilallit, anashkalimi i Kuvendit të Kosovës lidhur me zbatimin e marrëveshjeve eventuale me Beogradin zyrtar do të zbehte fuqinë shtetërore të Prishtinës zyrtare në këtë proces. Ai thekson rëndësinë që autoritetet kosovare të veprojnë të unifikuara, sidomos kur bëhet fjalë për marrëveshje me një shtet, i cili vazhdon ta vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës.

Kosova tash është subjekt ndërkombëtar, i plotëson të gjitha kriteret që parasheh e drejta ndërkombëtare për subjektivitet juridik. Kështu që, pa dhënë pëlqim, subjekti politik shqiptar nuk duhet të kalojë asnjë marrëveshje. Askush nuk imponon biseda të asaj natyre që me çdo kusht të kalojë ajo marrëveshje”, vlerëson Bilalli.

Në fund të muajit qershor delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit pritet të ulen përballë njëra-tjetrës në zyrën e lehtësuesit evropian, Robert Kuper, për t’i shikuar mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të para.
XS
SM
MD
LG