Ndërlidhjet

Zhvillim apo humbje?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës, deputetët diskutuan dokumentin për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Përderisa opozita e vlerësoi rëndësinë e këtij dokumenti, kritika dhe vërejtje paraqitën deputetët nga opozita. Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se dokumenti do të rishikohet gjatë muajit korrik dhe gusht.



Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH), për periudhën 2012-2014, do të sigurojë qëndrueshmëri buxhetore dhe zhvillim të përgjithshëm ekonomik, tha ministri i Financave, Bedri Hamza, në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës.

Por, kritika dhe vërejtje për këtë dokument paraqitën përfaqësues të opozitës, pasi, sipas tyre, në këtë propozim-kornizë nuk paraqitet situata e krijuar pas ndërprerjes së marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se kjo parti nuk e përkrah këtë dokument, pasi, sipas saj, nuk siguron qëndrueshmëri buxhetore.

Analiza e LDK-së, për këtë kornizë lidhet shumë me realitetin e krijuar, siç tha ajo, nga degradimi i marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Cila Qeveri në botë dhe cili institucion do t’i besojë një vendi që në fund të vitit ka vetëm 10 milionë euro, që do të thotë është para falimentimit?



Pas humbjes së 157 milionë eurove, po të shtojmë edhe 300 milionë euro nga shitja e aseteve të PTK-së, të cilat nuk janë të sigurta që do të hyjnë në këtë vit, atëherë në fund të vitit Qeveria do të ketë minus 457 milionë euro, duke pasur kështu vetëm 10 milionë llogarinë e saj në fund të vitit. Cila Qeveri në botë dhe cili institucion do t’i besojë një vendi që në fund të vitit ka vetëm 10 milionë euro, që do të thotë është para falimentimit?”, u shpreh Bajrami.

Por, ministri i Financave, Bedri Hamza, shpjegoi se Ligji mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, që flet për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, e obligon Qeverinë që deri më 30 prill të secilit vit kalendarik, t’ia dorëzojë Kuvendit këtë dokument për vitin e ardhshëm fiskal, si dhe vlerësimet për dy vitet e ardhshme fiskale.

Prandaj, në kohën kur është përgatitur ky dokument, Hamza tha se marrëveshja me FMN-në ka qenë në fuqi.
Ngjarjet janë zhvilluar pas përgatitjes së këtij dokumenti, siç është edhe relacioni
me FMN-në.



“Ne e kemi kryer këtë obligim ligjor. Ngjarjet janë zhvilluar pas përgatitjes së këtij dokumenti, siç është edhe relacioni me FMN-në. Misioni i FMN-së ka qëndruar në Kosovë nga 17 deri më 30 maj. Dhe, këto nuk kanë mundur të reflektohen në këtë dokument. Këto do të jenë pjesë e dokumentit të rishikuar, të cilin ne planifikojmë ta bëjmë gjatë muajit korrik dhe gusht”, shpjegoi Hamza.

Sipas Visar Ymerit, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve ka shumë mangësi.

Korniza i rendit prioritetet e Qeverisë së Kosovës, nga e cila kuptohet se asgjë nuk do të ndryshohet nga qeverisja e deritashme. Ndërtim të rrugëve, privatizim të vazhdueshëm të çdo gjëje publike, qoftë privatizim të plotë, apo të pjesshëm përmes partneritetit publiko-privat, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe faza tjera të tilla, të cilat në realitet nuk po shihet se po ndodhin”, theksoi Ymeri.

Ndërsa, Blerim Shala, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha:

Dokumenti i tillë synon të ofrojë garanci që të ketë zhvillim ekonomik stabil, që do të ketë rritje të punësimit apo ulje të papunësisë, që do të ketë një stabilitetit social apo do të arrijë mirëqenie sociale - asnjëra prej këtyre synimeve, nëse lexohet me kujdes ky dokument, nuk do të garantohet”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në fund të muajit prill kishte miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2012-2014.

Kjo kornizë shërben si dokument kryesor i planifikimit të politikave qeveritare dhe, si e tillë, paraqet komponentë të rëndësishme të procesit të përgjithshëm buxhetor.

Lexoni edhe këtë:
FMN: S'ka qasje në fonde
XS
SM
MD
LG