Ndërlidhjet

PS-ja paralajmëron sërish ankesë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Socialistët do të çojnë një ankesë të re në Kolegjin Zgjedhor për garën për Tiranën. Kjo pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar dhe në 368 qendra votimi, bazuar në një vendim të Kolegjit Zgjedhor.

Deputeti Blendi Klosi përmend disa prej argumenteve ku Partia Socialiste do ta bazojë ankesën, që shkon deri te kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve.

“Ankesa do të vazhdojë të jetë për pavlefshmërinë e këtyre fletëve të votimit, dhe më pastaj ne kemi një proces, i cili është mbarsur me shumë parregullsi. Gjithë qytetarët e panë drejtpërdrejt se si ishte tjetërsuar vullneti i qytetarëve pasi kutitë ishin dëmtuar, kodet ishin të ndryshuara”.

“Në 11 njësitë e qytetit kemi mospërputhje të fletëve të votimit. Prandaj, në qoftë se në komuna të caktuara apo në njësi të vogla bashkiake ka ndryshuar rezultati, apo është quajtur pavlefshmëri, qoftë edhe për 3 vota, 5 ose 8 vota, si mundet në Tiranë, me qindra vota që përbëjnë pavlefshmërinë, të quhet një proces normal?!”,
thotë Klosi.

Por, përfaqësuesi i LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve,Ylli Manjani, thotë se Partia Socialiste tashmë ka pak hapësirë për t’u ankuar në Kolegj.

Praktikisht, Partia Socialiste nuk ka të drejtë të ankohet për shumëçka. Ka të drejtë të ankohet - në qoftë se do të ankohet vetëm për procedurën që ndoqi KQZ-ja në zbatim të vendimit të Kolegjit”, shprehet Manjani.

Duke përforcuar argumentin e tij, Manjani thotë se pretendimi për pavlefshmëri është jashtë afatit dhe logjikës juridike.

Nga zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri

“Arsyet se si shkohet në pavlefshmërinë e zgjedhjeve, janë të parapara në Kodin Zgjedhor. Dhe, për të kërkuar apo deklaruar pavlefshmërinë e zgjedhjeve, do të thotë që në Shqipëri të ketë ndodhur një hata aq e madhe sa të jetë dëmtuar rëndë procesi zgjedhor dhe zakonisht pavlefshmëria e zgjedhjeve vjen gjatë ditës së votimit”, shpjegon Manjani.

Por, Partia Socialiste vazhdon të këmbëngulë se procesi është tërësisht i manipuluar, madje që prej nisjes së tij, kur KQZ-ja numëroi votat e hedhura në kutitë e gabuara për 117 qendra.

Klosi ngre dyshime për avantazhin prej 81 votash që prodhuan këto kuti, në një kohë kur nga numërimi i 368 qendrave, u prodhuan më pak vota.

“Pas fitores së Edi Ramës dhe shpalljes së tij fitues me 10 vota në numërimin e drejtpërdrejtë që u bë, u shpik kjo shkenca e re e numërimit të votave të hedhura në kutitë jopërkatëse. Që në atë moment ndodhi një çudi e madhe, e cila në vetëm 117 kuti prodhoi një diferencë shumë të madhe për Lulzim Bashën, diferencë që, faktikisht, nuk u shfaq edhe në numërimin e 1800 kutive tjera”, thekson Klosi.

Ai shprehet i bindur se vendimi i pak ditëve më parë i Kolegjit Zgjedhor u mor nën presionin politik të mazhorancës.

Megjithatë, siç thotë Klosi, kjo nuk e ka zbehur besimin për një vendim ligjor me rastin e kësaj ankese të re:

“Se çfarë ne ndiejmë, apo se çfarë ne logjikojmë, është shumë e vështirë të përputhet me atë që Sali Berisha mendon dhe urdhëron, dhe le të shpresojmë që Kolegji nuk do t’i mbyllë sytë si herën e kaluar, por do të japë një gjykim të drejtë të kësaj çështjeje “.


Ndërkaq, për Manjanin, sulmi që i bën PS-ja Kolegjit Zgjedhor është pjesë e strategjisë së tyre për të justifikuar humbjen në Tiranë.

“E gjithë logjika e humbësit është kjo, që kur ballafaqohet me faktin e humbjes, fillimisht fajin e ka kundërshtari pse ai ka humbur. Pastaj, kur s’i del gjë me kundërshtarin, fajin e kanë institucionet, njëherë KQZ-ja, pastaj Kolegji. Dhe, kur nuk del asgjë nga institucionet, fajin e kanë ambasadorët – është një rrjedhë logjike që ka ndjek zoti Rama në logjikën e humbësit”,
shprehet Manjani.

Numërimi i kutive për 368 qendra rriti në 95 avantazhin e kandidatit Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kundrejt kundërshtarit të tij nga partia Socialiste, Edi Rama.

Por, përballja ligjore për Tiranën vazhdon dhe certifikimi përfundimtar i fituesit do të bëhet vetëm pas vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor.
XS
SM
MD
LG