Ndërlidhjet

Serbët për dhe kundër marrëveshjeve


Marrëveshjet e arritura, përshëndeten nga përfaqësuesit politikë serbë nga pjesa qendrore e Kosovës. (Graçanicë, foto nga arkiv)
Marrëveshjet e arritura, përshëndeten nga përfaqësuesit politikë serbë nga pjesa qendrore e Kosovës. (Graçanicë, foto nga arkiv)
Përfaqësuesit politikë nga veriu i Kosovës i cilësojnë si të dëmshme dhe të papranueshme marrëveshjet e arritura në bisedimet Prishtinë - Beograd. Ndërsa, politikanë serbë nga pjesët qendrore të Kosovës i vlerësojnë marrëveshjet si pozitive dhe presin zbatimin e tyre.



Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me marrëveshjet e arritura gjatë procesit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Për serbët e pjesës veriore, marrëveshjet si edhe bisedimet me palën kosovare, shihen si të dëmshme dhe të panevojshme, kurse ata të pjesëve tjera i shohin si inkurajuese rezultatet e para të dialogut.

Milan Ivanoviq, një nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, thotë se marrëveshjet janë rezultat i trysnive ndërkombëtare mbi Beogradin, si dhe rezultat i ambicieve të Serbisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Por, ato dëmtojnë interesat e serbëve të Kosovës, thotë ai, dhe si të tilla i konsideron të papranueshme.

Millan Ivanoviq

Këto janë marrëveshje që nënkuptojnë pranim të dokumenteve që lëshon Prishtina dhe ky është faktikisht pranim i pavarësisë së Kosovës apo një hap drejt këtij qëllimi”, shprehet Ivanoviq.

Me këto marrëveshje, nënvizon Ivanoviq, institucionet e Kosovës po trimërohen dhe kjo, sipas tij, do t’i shtojë më pas ambiciet e Prishtinës zyrtare për të shtrirë pushtetin edhe në veri të Kosovës.

“Ne jemi kundër vazhdimit të bisedimeve dhe është evidente që nuk po respektohet as Rezoluta e Kombeve të Bashkuara, kurse EULEX-i nuk po i përmbahet neutralitetit ndaj statusit të Kosovës, por është pozicionuar pro-shqiptarëve, kurse Tomas Kantrimen dhe Robert Kuper nuk mund të jenë ndërmjetësues, ngase ata vijnë nga vendet që e kanë krijuar gjithë këtë çështje rreth pavarësisë së Kosovës”, thotë ndër tjera Milan Ivanoviq.

Një mendim të përafërt shpreh edhe Marko Jakshiq, po ashtu politikan serb nga veriu.

Përderisa i cilëson të panevojshme bisedimet, ai shprehet edhe kundër marrëveshjeve të arritura. Ai thotë se Serbia është dashur që luftën për Kosovën ta vazhdojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe jo përmes bisedimeve me Prishtinën.

Marko Jakshiq

“Mendoj se të gjithë serbët janë të pakënaqur me këtë projekt, të cilin e ka punuar Borko Stefanoviq. Serbët mbi lumin Ibër, por edhe ata poshtë tij, do të lëvizin, siç kanë lëvizur edhe deri më tani. Kurse, qëllimi i marrëveshjes ishte që edhe shqiptarëve t’u mundësohet që me dokumentet e lëshuara nga shteti i vetëshpallur i Kosovës, të lëvizin nëpër Serbi, kryesisht për interesa tregtie”, thekson Jakshiq.

Ai mendon se Beogradi i ka bërë këto marrëveshje për shkak të interesit që ka për të fituar statusin e vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, kurse kjo, sipas tij, po shfrytëzohet nga Bashkimi Evropian që t’i shtojë trysnitë mbi Beogradin për t’i bërë koncesione palës kosovare.

Për dallim nga politikanët serbë në veri, ata të pjesës qendrore të Kosovës i kanë parë me optimizëm rezultatet e para të dialogut.

Marrëveshjet e arritura, përshëndeten nga Ranxhel Nojkiq, një përfaqësues serb nga Graçanica. Liria e lëvizjes, librat amzë, si edhe diplomat shkollore e universitare janë me rëndësi për qytetarët dhe ato ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës, thotë, ai.

Arritja e marrëveshjeve, thotë Nojkiq, tregon se për Beogradin është shumë me rëndësi përafrimi me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Me këto marrëveshje, sipas Nojkiqit, Beogradi për herë të parë ka shikuar problemin serb në Kosovë si tërësi duke mos i ndarë serbët e veriut dhe ata të pjesëve poshtë lumit Ibër.

“Mendoj se është me rëndësi që Beogradi për herë të parë e shikoi problemin e serbëve në Kosovë si tërësi dhe jo vetëm nga aspekti i veriut dhe mendoj se më të pakënaqurit me këto marrëveshje janë serbët e veriut, përderisa ata të pjesëve tjera janë të kënaqur dhe besojnë në realizimin e tyre”, thotë Nojkiq.

Andaj, një marrëveshje e tillë, nënvizon ai, u shton atyre besimin në procesin e bisedimeve.

Pas tri marrëveshjeve të para, palët në bisedime kanë paralajmëruar se mund të dakordohen edhe për disa çështje tjera, si energjia, telekomi dhe fusha tjera, për të cilat do të debatohen diku në fund të korrikut.

Lexoni edhe këto:
Kosovë, Serbi: U arritën tri marrëveshje

Kush fitoi nga marrëveshjet?!
XS
SM
MD
LG