Ndërlidhjet

Tadiq premton përmirësim raportesh


Presidenti i Serbisë Boris Tadiq, në vizitën e tij në Sarajevë
Presidenti i Serbisë Boris Tadiq, në vizitën e tij në Sarajevë

Presidenti serb Boris Tadiq ka zhvilluar një vizitë të rrallë në Bosnje, duke synuar kështu përmirësimin e lidhjeve në mes të Beogradit dhe Sarajevës, të cilat u dëmtuan në luftën e viteve 1992-95.

Tadiq, që ka lindur në Sarajevë, e viziton shpesh entitetin serb të Bosnjës, por kjo është vizita e tij e dytë në Sarajevë si president.

Takimet e Tadiqit me anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës si dhe me ligjvënësit u fokusuan në përmirësimin e lidhjeve bilaterale dhe bashkëpunimit rajonal.

Tadiq ka thënë se shteti i tij dëshiron që të ndërtojë “relacione të afërta, miqësore me Bosnjën në frymë të bashkëpunimit të plotë”.

Serbia tashmë ka ofruar dhe do të ofrojë edhe në të ardhmen çfarëdo lloj ndihme për drejtësinë, dhe do të ndihmojë në ekstradimin e të gjithë të dyshuarve për krime lufte. Ne presim që institucionet e krimeve të luftës të ofrojnë procese të drejta dhe korrekte”.

Kushdo që ka kryer krime lufte duhet të marrë dënimin e merituar. Është e rëndësishme jo vetëm për rindërtimin e besimit dhe ripajtimit, por po ashtu edhe për ndërtimin e një shoqërie ku sundon ligji. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të ndërtojmë shoqëri që kanë të ardhme, vetëm kështu mund të ndërtojmë institucione te besueshme dhe më e rëndësishmja, mund të ndërtojmë institucione, të cilat besohen nga qytetarët në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Tadiq.

Relacionet Serbi-Bosnje mbesin të trazuara pas luftës së hidhur të viteve 1992-1995, gjatë së cilës, Beogradi ofroi mbështetje politike dhe ushtarake për serbët e Bosnjës.

Vizita e sotme shënon udhëtimin e dytë të Tadiqit në Bosnje, që kur përfundoi konflikti. Vizita vjen pothuaj dy muaj pas arrestimit të komandantit të luftës, Ratko Mlladiqit, i cili akuzohet ndër të tjera për gjenocid dhe krime lufte.

Mlladiqi akuzohet se është përgjegjës për rrethimin e Sarajevës nga viti 1992 deri në vitin 1995 si dhe për masakrën e Srebrenicës, masakra më e madhe në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Vlerësohet se 10 mijë njerëz janë vrarë ose zhdukur gjatë rrethimit të Sarajevës, ndërsa 8 mijë djem dhe burra myslimanë janë vrarë nga trupat serbe të Bosnjës në masakrën e Srebrenicës.

Bosnja ka kërkuar për kohë të gjatë arrestimin e Mlladiqit, i cili ishte në arrati për 16 vjet.

Pavarësisht, arrestimit të Mlladiqit, një numër i madh çështjesh mbesin të pazgjidhura mes Beogradit dhe Sarajevës, çështje këto që vënë hije në marrëdhëniet në mes të dy shteteve.

Lufta e ka ndarë shtetin në dy entitete gjysmë-autonome, Republikës Serbe dhe Federatës-Myslimano-Kroate.

Tadiqi është akuzuar se ka mbështetur liderin radikal të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili ka kërkuar ndarjen nga Bosnja të Republikës Serbe.

Por, Tadiq ka theksuar se nuk mbështet ndarjen e Bosnjes.

Serbia e ka nënshkruar Marrëveshjen e Dejtonit, por kjo nuk do të thotë se Serbia ka ndonjë të drejtë që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Bosnjës.
Duke nënshkruar atë marrëveshje, Serbia ka marrë disa obligime dhe një nga to është respektimi i integritetit dhe sovranitetit të vendit fqinj
".

"Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Serbia ka të drejtë që të ruajë relacione të afërta dhe paralele me Republikën Serbe. Serbia dëshiron që të ndërtojë raporte të njëjta edhe me Federatën Myslimano-Kroate”, ka thënë Tadiq në Sarajevë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG