Ndërlidhjet

Rriten remitancat


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Mjetet financiare të emigrantëve kanë shënuar rritje rreth katër për qind, në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Njohës të çështjeve ekonomike, thonë se dërgesat e emigrantëve ndikojnë në zbutjen e varfërisë, por jo në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Në anën tjetër, zyrtarë të qeverise, pohojnë angazhimet për trajtim institucional të emigrantëve.

Të dhënat preliminare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, tregojnë se dërgesat e emigrantëve për tre muajt e parë të vitit 2011, kanë shënuar një rritje prej rreth 4 për qind, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit 2010.

Sokol Havolli, ekonomist i lartë në këtë bankë, thotë se në tremujorin e parë të këtij viti, dërgesat e emigrantëve kanë arritur në 111,3 milionë euro, ndërsa prej muajit janar deri në muajin mars të vitit të kaluar, në Kosovë kishin arritur rreth 103 milionë euro.

Havolli, pret se në pjesën e dytë të vitit, të rriten dërgesat e emigrantëve, pasi gjatë kësaj periudhe, thotë ai, diaspora viziton Kosovën.

BQK-ja këto të dhëna i nxjerr nëpërmes shumë mënyrave, përfshirë bankat komerciale, agjencitë për transferimin e parave. Gjithashtu ka një bashkëpunim të mirë më doganat, në lidhje më dërgesat e emigrantëve të cilat janë deklaruara në doganë”.

Mirëpo edhe nëpërmjet anketave të cilat realizohen në terren, nëpërmjet këtyre anketave përfshihen këto dërgesat që vijnë në mënyrë joformale, apo sillen drejtë për drejtë nga emigrantët”, thekson Havolli .

Diaspora kosovare, që jeton kryesisht në shtetet perëndimore, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, vazhdon të jetë një nga burimet kryesore e të ardhurave për shumë familje.

Rudina Heroi, nga Instituti Për Studime të Avancuara, GAP, thotë se të hyrat materiale nga diaspora janë shumë të nevojshme në Kosovë, pasi konsiderohen si mekanizëm i rëndësishëm për zbutjen e varfërisë në Kosovë.

Sipas saj, 50 për qind e remitancave shpenzohen vetëm për konsum, rreth 10 për qind për arsim, ndërsa një përqindje tjetër investohen në biznes.

Heroi, thotë se menaxhimi më i mirë i dërgesave nga jashtë, do të mund ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Për këtë, ajo shpreson tek Ministria e Diasporës.

"Për t’i krijuar kushte më të mira atyre për të investuar në Kosovë, do të thotë, është një shumë mjaft e madhe e parave të cilat hyjnë në Kosovë, të cilat mund të shfrytëzohen për përmirësimin e gjendjes ekonomike, e që fatkeqësisht për momentin ato kontribuojnë në zbutjen e varfërisë, por jo edhe në ekonominë e vendit”, shprehet ajo.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Diasporës, thonë se prioritet në agjendën e vetë e kanë krijimin e një ambienti më të favorshëm për tërheqjen e investimeve të kosovarëve që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Ndërsa, sa i përket remitancave, Xhevdet Sfarça, këshilltar politik në këtë ministri, thotë se janë duke identifikuar mundësitë, që mjetet financiare të mërgimtarëve të arrijnë në Kosovë pa paguar kamatë nëpër bankat komerciale.

Pa dyshim është edhe menaxhimi remitancave, zgjerimi i kanaleve dhe korridoreve të lëvizjes se tyre, drejtë vendeve të origjinës se emigrantëve. Një plan mirë i organizuar, midis përdorimit të remitacave dhe rritjes ekonomike”.

Ministri Ibrahim Makolli, tashmë ka biseduar më drejtuesit e BQK-së, ku ka ngritur çështjen e identifikimit të mundësive ku mjetet financiare të mërgimtarëve në Kosovë do të vinin duke paguar zero kamatë, e jo siç është deri më tash, ku për pagesat e tyre, diaspora jonë paguan normë të lartë të kamatave”, bën të ditur Sfarça.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, në gjysmë-vjetorin e parë të vitit 2010, dërgesat e emigrantëve kosovarë kanë shënuar vlerën prej 225.8 milionë eurosh.
XS
SM
MD
LG