Ndërlidhjet

Të enjten, seancë e jashtëzakonshme për bisedimet


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës
Kuvendi i Kosovës do mblidhet të enjten në një seancë të jashtëzakonshme ku do t’i shqyrtojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd. Opozita i ka cilësuar të papranueshme marrëveshjet e arritura në bisedimet me Beogradin. Përderisa PDK thotë se Kuvendi do të vendosë nëse marrëveshjet ishin apo jo në kundërshtim me vijat e kuqe të përcaktuara në lidhje me bisedimet e nisura me Beogradin.

Me nismën e opozitës, Kuvendi i Kosovës mblidhet të enjten në një seancë të jashtëzakonshme për t’i shqyrtuar marrëveshjet e arritura në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Opozita thotë se është unike në qëndrimet e saj se këto marrëveshje janë të dëmshme për Kosovën dhe fton partitë në pushtet që të reflektojnë pozitivisht ndaj kërkesës për anulimin e tyre.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha pas mbledhjes së Kryesisë dhe shefave të grupeve parlamentare, se marrëveshjet janë të pa pranueshme pasi që ato nuk janë ratifikuar nga Kuvendi.

Ato, të ashtuquajtura konkluza përmbajnë elemente të cilat e devalvojnë, e rrezikojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës, dhe për mos me i përsërit, por shkurt po e them, keni një pikë aty ku thuhet se me letërnjoftim qarkullohet në një shtet. Dhe ne nuk jemi pjesë e Serbisë për të qarkulluar me letërnjoftimet e tyre. Nëse qeveria këtë e interpreton si sukses ajo vazhdon t’i bën qejf veti dhe ta gënjej opinionin”, tha Beqiri.

Mendime të ngjashme me LDK-në kanë shprehur tashmë edhe dy partitë tjera të opozitës, Vetëvendosje dhe AAK.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, ende është në fazën e studimit të këtyre marrëveshjeve.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci thotë se Kuvendi duhet të shqyrtojë se a janë tejkaluar apo jo vijat e kuqe në këto bisedime, të përcaktuara me rezolutën e Kuvendit të Kosovës.

Ai nuk beson që do të ketë anulim të marrëveshjeve, ndonëse pret që Kuvendi ta thotë fjalën e vet të enjten.

Mendoj se duhet të vlerësohet se janë tejkaluar apo jo rregullat të cilat i përcakton rezoluta të cilën e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës. Në rast se janë tejkaluar kompetencat që i ka përcaktuar rezoluta e Kuvendit, atëherë vërtetë duhet të merret masa apo të kërkohet anulimi i atyre marrëveshjeve apo konkluzave. Por nëse ato janë në përputhje me rezolutën, normalisht që aty nuk kemi të drejtë askush që të kërkojmë anulimin e tyre, dhe nuk e besoj që do të vjen deri te anulimi i tyre”, sqaroi Grabovci.

Ndryshe, delegacionet në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas disa takimeve të mbajtura në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së janë pajtuar më 2 korrik që të kenë një marrëveshje të pa nënshkruar, por që është nxjerrë si konkluzion i ndërmjetësuesit (BE-së), për tri fusha: lëvizjen e lirë, regjistrat civil dhe diplomat.

Shefja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, Edita Tahiri, ka paralajmëruar se marrëveshje të tilla së shpejti do të ketë edhe për energjinë, telekomin dhe çështje tjera.
XS
SM
MD
LG