Ndërlidhjet

Qeveria i drejtohet Kushtetueses


Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me imunitetin e zyrtarëve më të lartë të vendit, përfshirë presidentin, kryeministrin, ministrat dhe deputetët.


Vendimi i Qeverisë ka pasuar kërkesën e përsëritur të EULEX-it drejtuar Kuvendit të Kosovës që të qartësohet imuniteti i deputetëve nën hetime.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Qeveria që ai drejton, megjithatë i kanë adresuar Kushtetueses kërkesën që imuniteti të sqarohet për të gjithë zyrtarët e lartë.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka përmbushur një kërkesë të përsëritur të faktorit ndërkombëtar këto dy javët e fundit, pas refuzimit të Parlamentit që të hyjë në çështje të tilla.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se vendimi i Qeverisë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese është plotësisht në harmoni me Kushtetutën e vendit.

Duke u nisur nga fakti se Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, Qeveria e Kosovës i referon Gjykatës Kushtetuese parashtresë për sqarim në lidhje me imunitetin e presidentit, kryeministrit, anëtarëve të Qeverisë, deputetëve të Republikës së Kosovës, si dhe bartësve tjerë të institucioneve të Republikës”, ka deklaruar Thaçi.

Çështja e imunitetit të deputetëve nën hetime ishte bërë tashmë tema dhe interesimi kryesor në diskutimet e zyrtarëve evropianë dhe atyre të institucioneve të Kosovës.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, i ka këshilluar deputetët kosovarë që janë nën hetime të mos fshihen prapa imunitetit, por të japin dorëheqje.


Ajo ka thënë do të jepte dorëheqje si euro-parlamentare në rast se do të zhvilloheshin hetime ndaj saj. Askush nuk është mbi ligjin dhe nuk është i paprekshëm, ka thënë Lunaçek.

“Mendoj se kjo e dëmton imazhin e parlamentit dhe qytetarëve, sepse ne, si ligjvënës, jemi ata që prezantojmë qytetarët”, ka thënë Lunaçek.

Andaj, ka shtuar ajo, deputetët nuk mund të fshihen prapa imunitetit dhe të thonë se kjo na mbron, pasi që veprat kriminale janë përgjegjësi individuale e secilit.

Në interesimin e gazetarëve se a bëhet fjalë për dorëheqjen e Fatmir Limajt, Lunaçek ka thënë:

“Do të ishte gjëja më e lehtë. Por, nëse kjo nuk ndodhë, atëherë duhet të qartësohet çështja e imunitetit”.

Nuk e di se çka përmban Kushtetuta, por Kuvendi duhet ta gjejë një zgjidhje”, ka theksuar euro-parlamentarja Ulrike Lunaçek, e cila ishte një prej zyrtarëve të Brukselit që këto ditë kishin rritur trysninë mbi institucionet e Kosovës që të qartësohet imuniteti i deputetëve në rastet kur ata janë nën hetime, apo edhe kur ka vendime për arrestimin e tyre.
XS
SM
MD
LG