Ndërlidhjet

Dallime për regjistrimin e popullsisë


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Anëtarët shqiptarë dhe maqedonas të komisionit shtetëror për regjistrim, ende nuk kanë kapërcyer dallimet rreth përbërjes etnike të grupeve që do të realizojnë regjistrimin. Derisa anëtarët maqedonas insistojnë në grupe të përziera, anëtarët shqiptarë thonë se grupet duhet të reflektojnë përbërjen etnike të popullatës. Sipas tyre, në zonat e banuara me shqiptarë, regjistrimin duhet ta bëjnë regjistrues shqiptar. Në kapërcimin e dallimeve pritet kyçja edhe e partive politike për të evituar dështimin e regjistrimit që pritet të realizohet në tetor.

Dallimet mes anëtarëve shqiptarë dhe maqedonas të komisionit shtetëror për regjistrimin e popullsisë, ende nuk janë tejkaluar, ndërsa pritet që të debatohet për to javën që vjen, në kuadër të këtij organi shtetëror i angazhuar për realizimin e regjistrimit në tetor të këtij viti.

Në fakt, kontestuese mbetet përbërja etnike e grupeve që do të bëjnë regjistrimin.

Anëtarët shqiptarë kërkojnë që ato të reflektojnë përbërjen etnike në zonat ku bëhet regjistrimi.

Nënkryetari i komisionit, Abdylemnaf Bexheti, thotë se për tejkalimin e këtij dallimi, ishte formuar një komisioni i posaçëm, por deri më tani nuk ka dhënë asnjë rezultat, ndërsa për këtë, fajëson edhe politikën, e cila, sipas tij, nuk bëri ndryshimet adekuate në ligjin për regjistrimin, përveç shtyrjes së tij dhe anulimit të vendimeve të miratuara nga Komisioni pa praninë e anëtarëve shqiptarë.

Çështja e tretë, e cila ishte shumë sensitive (e ndjeshme), e cila, ishte edhe shkaktare për të cilën ne braktisëm komisionin, është infrastruktura dhe struktura e trupave regjistruese në terren, posaçërisht në viset e ndryshme shumë-etnike por edhe në ato një-etnike. Ka mbetur qëndrimi i palës maqedonase që ne të jemi të mbikëqyrur, monitoruar dhe kontrolluar prej tyre”, thotë Bexheti, duke shprehur dyshimin për obstruksione të mundshme, që do të dëmtonin përqindjen reale të shqiptarëve gjatë realizimit 15 ditor të procesit të regjistrimit.

Anëtarët maqedonas, nga ana tjetër, insistojnë që regjistrimin ta bëjnë grupe të përziera etnike, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për zona të pastra etnike.

Kryetarja e Komisionit, Vesna Janevska, thotë se të gjithë anëtarët e komisionit duhet të respektojnë procedurat ligjore.

Ajo vlerëson se përbërja e kombinuar etnike e regjistruesve është mënyra më e mirë për realizimin e këtij operacioni statistikor.

Në bazë të konkursit të shpallur për zgjedhjen e regjistruesve në disa komuna me popullatë krejtësisht shqiptare, është paraparë që krahas një regjistruesi shqiptar të ketë edhe regjistrues serbë, pasi sipas komisionit, në këto komuna ende ka dy ose tre familje të përkatësisë etnike serbe.

Ligji është i qartë dhe nëse punojmë në bazë të ligjit, mendoj se nuk do të kemi probleme dhe do të arrijmë të miratojmë edhe vendimin për strukturën etnike të regjistruesve. Përveç këtij segmenti ne thuajse kemi përfunduar të gjitha përgatitjet tjera sa i përket realizimit të procesit të regjistrimit të popullsisë”, deklaroi Janevska, duke mos komentuar pretendimet e anëtarëve shqiptarë, por, duke shprehur besimin në tejkalimin e dallimeve mes tyre.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se pas pushimeve do të japin edhe ata kontributin për të kapërcyer dallimet mes anëtarëve që mos rrezikohet procesi i regjistrimit.

Dallimet që kanë qenë mes anëtarëve të komisionit, besoj se duhet të tejkalohen, që të mundet procesi i regjistrimit të realizohet në kohën e paraparë më ligj”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së.

Regjistrimi i popullsisë ishte paraparë të realizohet në prill të këtij viti, por ishte shtyrë pikërisht për shkak të dallimeve rreth përbërjes etnike të grupeve regjistruese dhe me pas për shkak të caktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG