Ndërlidhjet

Punësimi sezonal: Marketing apo realitet?!


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet kompetente në Kosovë vazhdimisht po bëjnë përpjekje për uljen e shkallës së papunësisë dhe të varfërisë në vend, thonë përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Si alternativë për zvogëlimin e numrit të të papunëve, kjo ministri, vitin e kaluar, ka nënshkruar marrëveshje me shtetin gjerman për punësim sezonal të studentëve kosovarë.

Nga kjo marrëveshje, edhe gjatë këtij viti, kanë përfituar 320 studentë, thotë Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në bazë të marrëveshjes, e cila zbatohet që disa vite radhazi, këtë vit numri i studentëve që ka aplikuar dhe është përzgjedhur që të udhëtojë për në Gjermani, është 170. Nëse flasim për shifrën totale, të kontingjentit të parë dhe të dytë, kemi 320 të punësuar sezonalë”, sqaron Gaxhiqi.

Sipas tij, Qeveria e vendit po bën përpjekje të vazhdueshme që të nënshkruajë marrëveshje edhe me vendet tjera të Bashkimit Evropian për punësim sezonal, qoftë për studentë apo punëtorë të interesuar për këtë lloj punësimi.

“Kriza globale ka ndikuar në disa vende të Bashkimit Evropian dhe kjo ka bërë të vështirësohen mundësitë e dërgimit të punëtorëve sezonalë. Ndonëse kemi bërë përpjekje të vazhdueshme dhe jemi duke punuar në këtë drejtim, kemi vështirësi, sidomos sa i përket punësimit të punëtorëve fizikë”, thotë Gaxhiqi.

Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve thonë se në momente të caktuara, punësimi sezonal më tepër po përmendet si marketing, sesa si çështje që po zbatohet në praktikë.

Alush Sejdiu, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, vlerëson se në këtë drejtim mungon angazhimi i institucioneve kompetente.

“Punësimi sezonal është tepër i nevojshëm në Kosovë, sidomos kur dihet niveli i lartë i papunësisë. Mirëpo, ne aspak nuk jemi të kënaqur, sepse më tepër është propagandë, sesa realitet zbatimi i këtij projekti”.

“Kësaj çështjeje duhet t’i jepet një rëndësi shumë më e madhe dhe më serioze, e jo vetëm të bëhet marketing në momente të caktuara për interesa politikë”,
thotë Sejdiu.

Ekspertët për çështje ekonomike thonë se punësimi sezonal është projekt që ndikon në uljen e shkallës së papunësisë, por, sipas tyre, autoritetet duhet të zbatojnë projekte që punësimi të jetë i përhershëm.

Eksperti Sefedin Sefa thotë se përmes projekteve të ndryshme kapitale, ekzekutivi duhet të gjejë mënyra që punësimi sezonal të zbatohet edhe në Kosovë.

“Duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë në vend, gjendjen momentale që e kemi, krijimi i mundësive të nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale për punësim sezonal, duhet të jetë i përhershëm”, thotë Sefa.

Sipas hulumtimeve të fundit të bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 48 për qind, ndërsa shkalla e të punësuarve sillet rreth 26 për qind.
XS
SM
MD
LG