Ndërlidhjet

Privatizimi i PTK-së: Deri ku ka arritur procesi?


PTK
PTK
Gjatë këtij muaji pritet të shpallet tenderi për privatizimin e 75 për qind të aseteve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, ndërsa pjesa më e madhe e aktiviteteve të projektit do të përfundojë brenda këtij viti, thonë përfaqësues qeveritarë.

Arsim Bruçaj, menaxher i Njësisë për Implementimin e Projektit, thotë se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së tashmë ka përgatitur të gjitha dokumentet e transaksionit, përfshirë dhe dokumentet e tenderit dhe dhomën e të dhënave

“Për momentin, në garë për blerjen e aksioneve të PTK-së janë dy kompani. Por, Komisioni Qeveritar i Privatizimit, bazuar në kërkesat e dy kompanive pjesëmarrëse në proces, ka vendosur që, me qëllim të trajtimit të barabartë dhe fer të të gjithë pjesëmarrësve, sipas kritereve të parapara në kërkesat për para-kualifikim, t’iu japë kohë shtesë për kualifikim të gjitha kompanive që kanë shprehur interesin e tyre për privatizimin e aksioneve të PTK-së”, thotë Bruçaj.

Sindikata e Postë-Telekomit të Kosovës nuk është pajtuar asnjëherë me privatizimin e kësaj kompanie.

Sipas saj, PTK-ja ka dëshmuar se është kompani profitabile, pasi që nga viti 2007 e deri më tani, buxhetit të Kosovës i ka dhënë mbi 350 milionë euro.

Milazim Alshiqi, udhëheqës i kësaj sindikate, thotë se autoritetet kompetente nuk janë treguar transparente në procesin e përgatitjes së privatizimit të aksioneve të kësaj kompanie.

“...nuk ka asnjë njoftim zyrtar se kush ka konkurruar, kur ka qenë afati i fundit për ofertë, cilat janë kushtet, asgjë nuk është transparente”.

“Në bazë të kësaj, punëtorët e PTK-së janë shumë të shqetësuar, nuk kanë kontratë kolektive. Ne kemi kërkuar që kur të bisedohet për PTK-në, të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të sindikatës”,
thotë Alshiqi.

Ndonëse zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se ky proces tashmë është drejt finalizimit dhe se të gjithë punëtorët e PTK-së do të jenë të garantuar, sindikalistët kërkojnë nga kompanitë e interesuara të mos nxitojnë të konkurrojnë për blerjen e kësaj kompanie.

“U bëjmë apel kompanive të interesuara që të mos konkurrojnë, sepse nuk kanë siguri se do të përkrahen nga punëtorët e PTK-së në këtë proces. Jam shumë skeptik, këtu do të ketë pakënaqësi që do të reflektohen në formën e vet”, thotë Alshiqi.

Por, njohës të çështjeve ekonomike thonë se privatizimi i PTK-së është i nevojshëm për ekonominë e vendit. Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, shpjegon arsyet:

“Unë do të thosha se është nevojë imediate që të privatizohet PTK-ja, jo vetëm sa i përket buxhetit, por edhe sa i përket menaxhimit, modernizimit, uljes së shpenzimeve dhe shumë aspekteve që lidhen me PTK-në”.

Edhe Arsim Bruçaj, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, thotë se shitja e aksioneve të PTK-së është reformë strukturore drejt ekonomisë së tregut.

Sipas tij, investimet e huaja në sektorë strategjikë do të japin impakt edhe në sektorë të tjerë, ndërsa kapitali i ri do të përdoret në infrastrukturën e vendit.
XS
SM
MD
LG