Ndërlidhjet

Mbikëqyrje ndërkombëtare për veriun?



Zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës kanë nxitur debate në skenën e politike të Kosovës në lidhje me gjetjen e zgjidhjeve për normalizimin e gjendjes atje.

Ndërsa si ofertë politike përmendet vetëm Pakoja e Ahtisarit, ka ide që deri në fillimin e zbatimit të saj, veriu të vendoset në një fazë kalimtare administruese nga ndërkombëtarët.

Ish koordinatori i Ekipit Negociues për statusin e Kosovës, Blerim Shala, thotë se pala kosovare duhet të përgatitet për sfidën e veriut.

Ai mendon se oferta e vetme mbetet Pakoja e Ahtisarit, por ndërkohë ai e sheh si të domosdoshme edhe vendosjen e veriut në një fazë mbikëqyrëse ndërkombëtare.

Ne do të mund të mendonim për një lloj bashkëpunimi midis nesh, BE-së dhe SHBA-së, për një periudhë të mbikëqyrjes ndërkombëtare të zbatimit të Pakos së Ahtisarit, e cila gjithsesi do të nënkuptonte, midis tjerash, organizimin e zgjedhjeve lokale në komunat e veriut, regjistrimin e popullsisë dhe së fundi edhe organizimin e një lloj konference donatore për ta krijuar një buxhet të veçantë për zhvillimin e veriut të Kosovës”, thotë Shala.

Idetë e proklamuara nga Blerim Shala janë kundërshtuar këto ditë nga shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.

Edhe pse nuk u prononcua për këtë çështje, në deklarimet e mëhershme, ajo e ka cilësuar fazën kalimtare mbikëqyrëse ndërkombëtare në veri si të papranueshme.

Në anën tjetër, Blerim Shala thotë se faza kalimtare nuk nënkupton në asnjë formë devijimin nga Pakoja e Ahtisarit. Kurse e sheh thuajse të pamundur që pa një fazë të tillë të bartet pushteti aktual që mbahet nga strukturat ilegale tek autoritetet e reja komunale që do të formoheshin atje.

Kjo nënkupton krijimin e rrethanave lehtësuese, që Pakoja e Ahtisarit të zbatohet shumë më mirë dhe kjo nënkupton që partneritetin e krijuar qysh moti midis nesh, Brukselit e Uashingtonit, ta zbatojmë edhe kur bëhet fjalë për veriun".

"Është më se e qartë dhe këtë e kemi parë veçmas pas 25 korrikut, se koordinimi ynë me KFOR-in e EULEX-in, me Uashingtonin e Brukselin, është i domosdoshëm nëse duam ta rivendosim rendin dhe Kushtetutën në veri të Kosovës
”, thekson Shala.

Ndërkohë, analisti Ardian Arifaj, thotë se vendosja e veriut nën administrimin e përkohshëm ndërkombëtar do të nënkuptonte pranimin e gjendjes faktike atje.

Ai thotë se mbikëqyrjen e kësaj faze do të mund ta merrnin mekanizmat aktual ndërkombëtar të pranishëm në Kosovë.

Atje nuk e ka pushtetin në dorë as qeveria serbe, pa marrë parasysh se a pretendon ajo që e kontrollon veriun e Kosovës.
Atje nuk e ka pushtetin në dorë as qeveria serbe, pa marrë parasysh se a pretendon ajo që e kontrollon veriun e Kosovës. Veriu i Kosovës, faktikisht, më së shumti është në duart e grupeve kriminale të cilat operojnë atje në veri. Por, nëse thuhet që veriun duhet ta marrin ndërkombëtarët mbi vete, nuk është asgjë tjetër veçse konstatim i gjendjes faktike në terren”, thotë Arifaj.

Analisti Ardian Arifaj thotë se pretendimet që veriu të fitojë nga kjo gjendje një status special, do të ishte fitore e strukturave ilegale.

Plani i Ahtisarit, edhe nga Arifaj shihet si zgjidhja më e mirë. Ai thotë po ashtu se Prishtina dhe Beogradi në këtë proces bisedimesh nuk kanë mandat që të përfshijnë në agjendë tema politike, krahas atyre teknike që po diskutohen në Bruksel.

Bisedimet janë negociata me Brukselin. Kjo është një garë se kush po duket më bukur para Brukselit dhe asnjëra palë, as Prishtina dhe as Beogradi, nuk janë të interesuara t’i japin apo bëjnë një të mirë njëra tjetrës në këto bisedime".

"Në anën tjetër për bisedimet politike, grupi i cili po i zhvillon aktualisht bisedimet nuk ka mandat. Për bisedime politike lejen dhe mandatin duhet ta jap Kuvendi i Kosovës
”, thekson Arifaj.

Sidoqoftë, bazuar në shumë deklarata, në Beograd, opsionet për veriun kanë qenë kryesisht ato të ndarjes së kësaj pjese nga Kosova, përderisa Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe as devijim nga plani i Ahtisarit.

Megjithatë, tani po shtrohen edhe opsione shtesë se si të vijë fillimisht në shprehje zbatimi i këtij plani; me ndihmën e ndërkombëtarëve apo me angazhimet vetanake të autoriteteve kosovare.
XS
SM
MD
LG