Ndërlidhjet

Shton cilësinë dhe çmimin derivateve(?)


Ilustrim
Ilustrim

Në fund të muajit të kaluar ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për cilësinë e karburanteve të naftës, me të cilin ndalohet importi i derivateve të naftës me njësinë matëse të sulfurit “50 ppm”, dhe lejohet vetëm me atë “10 ppm”, që i bie 1 pikë sulfur në 50 litra naftë, thonë zyrtarë qeveritarë.

Ramadan Buzhala, kryesues i Këshillit për Licencim të Naftës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se ky udhëzim administrativ do të ndikojë në ngritjen e kualitetit të derivateve në treg dhe rregullimin e kontrollit të cilësisë.

Buzhala, pohon se të gjitha kompanitë importuese të naftës janë të obliguara të respektojnë këtë udhëzim.

Është kërkuar nga shitësit me pakicë që të lejohet edhe një muaj hapësirë, që të shiten sasitë e mbetura në depot e tyre, derisa ata të furnizohen më produktin e ri 10 ppm. Kështu, që nga 1 nëntori e tutje, edhe në tregun me pakicë, subjektet, sipas udhëzimit administrativ, duhet të kenë naftë të cilësisë me 10 ppm, përbërës të sulfurit”, thotë Buzhala.

Ndryshe, Kosova ka qenë shteti i vetëm në rajon që deri tani ka lejuar importin e derivateve të naftës dhe vajrave me sasi të madhe të sulfurit.

Në Bashkimin Evropian, që prej vitit 2005, në treg mund të gjendet naftë makinash vetëm me njësinë matëse të sulfurit 10 ppm.

Shqipëria, që nga fillimi i këtij viti ka qenë e detyruar që për tregtim të ketë këtë nivel të derivateve.

Ndërsa, që nga viti 2007, shitja e naftës 10 ppm, ka filluar të zbatohet edhe në Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Edhe kompanitë kosovare importuese të naftës, kanë mundësi të zbatojnë këtë udhëzim administrativ, në mënyrë që tregu i Kosovës të furnizohet me këto parametra të sulfurit në naftë, si të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, thotë Nazmi Bytyqi, kryetar i Shoqatës se Naftarëve të Kosovës.

Megjithatë, Bytyqi, pohon se pas kësaj do të ketë një ngritje të lehtë të çmimeve të derivateve të naftës.

Normal, nafta është e cilësisë më të lartë, çmimi është më i lartë; por është punuar kohë të gjatë në këtë drejtim, edhe pse nuk ka qenë i firmosur udhëzimi administrativ”, shprehet Bytyqi.

Edhe Ramadan Buzhala, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nuk e përjashton mundësinë e rritjes së çmimeve të karburanteve të naftës.

Po sigurisht, secili produkt pak më cilësor e ka një kosto më të lartë”, thotë Buzhala.

Ndërmarrja për qarkullimin e naftës “Kosova Petrol”, është një ndër kompanitë kosovare që importon naftë kryesisht nga Maqedonia.

Menaxherja e kësaj ndërmarrjeje, Leonora Selmani, thotë se tashmë kanë filluar të importojnë naftë 10 ppm.

Edhe Selmani pohon se udhëzimi administrativ do të shtojë nivelin e cilësisë së derivateve, por sipas saj, do të rrit edhe në mënyrë simbolike çmimin e tyre.

Në rafinerinë ku ne furnizohemi, për një ton është 5 dollarë diferenca, nuk besoj se do të ndikojë në ngritje të çmimeve, sepse është një diferencë shumë e vogël. Mund të ketë një përqindje tejet simbolike, por jo diçka serioze që mund të ndikojë në xhepin e konsumatorit”, thekson Selmani.

Në anën tjetër, ekspertë të kësaj fushe, shprehin dyshimin në zbatimin e këtij udhëzimi administrativ.

Lirije Karaxha- Pula, thotë se udhëzimi administrativ do të mund të zbatohet në Kosovë, vetëm nëse autorizohet ndonjë trup inspektues, i cili është kompetent për inspektimin e naftës dhe derivateve të saja, sipas standardeve ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Lirije Karaxha- Pula, tregon rëndësinë e shfrytëzimit të naftës me përmbajtje të sulfurit 10 ppm.

Është i shumëfishtë, edhe në mbrojtje të shëndetit, në mbrojtje të mjedisit, por, edhe në mbrojtje të pajisjeve tona, jo vetëm të automjeteve, por edhe në mbrojtje të atyre industriale. Deri më tani, me të vërtetë kurrfarë kontrolli për cilësi të karburanteve të lëngëta nuk është bërë”, shprehet Karaxha- Pula.

Ndryshe, niveli prej 50 ppm-ësh, aq sa shitet në Kosovë, që prej gjashtë vjetësh është nivel i tejkaluar dhe lejohet vetëm nëpër autostrada të caktuara të vendeve të zhvilluara perëndimore.
XS
SM
MD
LG