Ndërlidhjet

Koordinim me KFOR-in


Veri...
Veri...
Qeveria e Kosovës është në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in për heqjen e barrikadave nëpër rrugë, të vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, thonë zyrtarët e lartë të ekzekutivit.

Sipas tyre, institucionet vendase kanë konsensus të plotë me faktorët ndërkombëtarë që rrugët të lirohen për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se në veri do të ketë qarkullim të lirë, pavarësisht rezistencës së grupeve që, sipas tij, kanë interes nga vazhdimi i krimit dhe kontrabandës, të cilat mbështeten edhe nga Beogradi zyrtar.

Ne jemi në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in, dhe në këtë drejtim kemi një konsensus për vendosjen e rendit dhe ligjit, për heqjen e barrikadave dhe për funksionalizmin normal të asaj pjese të territorit tonë. Natyrisht që edhe KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë parasysh ambientin, dhe unë besoj që ata janë të kujdesshëm bashkë me ne, në rezultate që do të jenë pozitive dhe që do të jenë në përputhje me rendin dhe ligjin”, thotë Kuçi.

Ndonëse gjendja në veri mbetet mjaft e tensionuar, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se atje do të ketë lëvizje të lirë si për kosovarët, ashtu edhe siç u shpreh ai, për turistët që do të vijnë ta vizitojnë këtë pjesë.

Ai tha se në të kaluarën, për shtrirjen e ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit në territore të caktuara të ish-Jugosllavisë janë zhvilluar edhe luftëra, dhe se kjo tani në veri nuk po ndodhë.

Në emër të qeverisë, Kuçi kërkoi durim, ngase sipas tij, veriu do t’í nënshtrohet sundimit të rendit dhe ligjit.
Ne po tentojmë ta shtrijmë rendin dhe ligjin në territorin tonë. Dikush tjetër po tenton të na zaptojë një pjesë të territorit tonë.

Ne po tentojmë ta shtrijmë rendin dhe ligjin në territorin tonë. Dikush tjetër po tenton të na zaptojë një pjesë të territorit tonë. Më herët kanë lindur luftëra për këto çështje, tash luftëra nuk do të ketë, po telashe do të ketë”, shprehet Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi nuk është pajtuar as me konstatimet e partive opozitare se vazhdimi i dialogut me Serbinë përderisa ka një gjendje të tillë në veri, mund ta imponoj temën e gjetjes së zgjidhjes për këtë pjesë në këto bisedime.

Çështja e dialogut është diçka që është pranuar me rezolutën e OKB-së, me kërkesën e partnerëve tanë, BE-së dhe SHBA-ve, dhe ka filluar një dialog i tillë. Në kuadër të kornizave të dialogut, Kosova nuk do ta pengojë asnjëherë dialogun dhe asnjëherë nuk do të jetë ajo që nuk i respekton vendimet ndërkombëtare, në këtë rast rezolutën e OKB-së dhe sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë".

"Veriu është çështje e ndarë, ka të bëjë me sundimin e rendit dhe ligjit, me zhvillimin ekonomik dhe me shtrirjen e sovranitetit brenda territorit tonë. Mund të kryhet dialogu dhe vazhdojë me veriun, apo të kryhet veriu e të vazhdojë dialogu. Kjo nuk është pikë nisëse dhe mbarimi në të njëjtën kohë”, shprehet Kuçi.

Sidoqoftë, partitë opozitare kanë kritikuar në vazhdimësi qeverinë se po qëndron anash dhe nuk po angazhohet në përpjekjet e KFOR-it për normalizimin e gjendjes në veri.
XS
SM
MD
LG