Ndërlidhjet

Vlerësime të ndryshme për raportin e BB-së


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Qeveria e Maqedonisë vlerëson se raporti i fundit i Bankës Botërore “Të Bërit Biznes” do të shërbejë si stimulim për kompanitë e huaja të investojnë në vend, duke shprehur optimizëm se deri në fund se deri në fund të vitit, investimet e huaja do të arrijnë vlerën prej 350 milion euro.

Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, gjatë shatëmujorit të parë të këtij viti, kapitali i huaj në vend, në formë të investimeve, arrin vlerën prej 167 milionë euro.

Por, Mirçe Çekrexhi, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, vlerëson se Maqedonia për të shënuar trend pozitiv në planin zhvillimin ekonomik duhet të mbështetet më shumë në kapitalin e brendshëm se sa atë të huaj, në rrethana të krizës globale.

Që të shënohet përparim, sa i përket zhvillimit ekonomik, autoritetet qeveritare duhet të fokusohen në krijimin e një biznesi me klimë pozitive për investitorët e brendshëm.

Vetëm në këtë rast mund të shpresohet për një trend të mirëfilltë në planin e zhvillimit të ekonomisë së vendit, thekson Mirçe Çekrexhi.

Nga ana tjetër ekspertët thonë se raportet e këtilla, të cilat pjesërisht i prezantohen opinionit, nuk paraqesin gjendjen reale të ekonomisë së vendit.

Nikolla Popovski, ish ministër i financave, ligjërues në fakultetin e ekonomisë në Shkup, vlerëson se Maqedonia është shumë larg për zhvillimin e ekonomisë.
Asnjë raport, i cili e rangon Maqedoninë lart sa i përket gjendjes ekonomike nuk mund ta shlyejë realitetin...

“Asnjë raport, i cili e rangon Maqedoninë lart sa i përket gjendjes ekonomike nuk mund ta shlyejë realitetin, ku papunësia në Maqedoni arrin mbi 30 për qind nga popullata e përgjithshme e vendit, ku varfëria gjithnjë e më shumë thellohet. Vendi shënon deficit të lartë sa i përket eksportit të prodhimeve vendore, si dhe janë më se të dukshme problemet rreth arkës shtetërore për çka gjithnjë e më shpesh Maqedonia është e detyruar të marrë linja kreditore”, thekson Popovski.

Nga ana tjetër, Blerim Zllatku, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se ekonomia e Maqedonisë është e varur nga kapitali i huaj.

Ai thotë se raportet e këtilla jo rrallë herë prezantohen vetëm përmes pikave të ndritura, duke anashkaluar problemet për zhvillimin e të biznesit vetëm e vetëm për të krijuar imazh para investitorëve të huaj.

“Sido që të jetë, trendi pozitiv ekziston por akoma nuk mund të thuhet se çdo gjë është perfekte. Maqedonia akoma duhet të punojë në fushën e financave, në fushën e ndryshimit të politikave për thithjen e investimeve ë huaja si dhe në lëmin e promovimit të prodhimeve vendore për eksport”, thotë Zllatku.

Ndërkaq, sipas renditjes më të re të Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, Maqedonia është në vendin e 22-të nga 183 vende.
XS
SM
MD
LG