Ndërlidhjet

Vazhdon debati


Ligjvënësit e Kosovës
Ligjvënësit e Kosovës

Me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ligjvënësit kosovarë pritet që në një nga seancat e radhës në Kuvendin e Kosovës, të shtrojnë për debat raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian.

Partia inicuese e këtij debati, LDK-ja, pret që Kuvendi t’i potencojë të gjitha sfidat që i përmban raporti i fundit i progresit, përderisa analistët e çështjeve të integrimeve evropiane presin që edhe Kuvendi fillimisht të merret me përmbushjen e sfidave legjislative që përmenden në raportin e fundit të progresit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se nga debati nuk pret ndonjë vendim që do të ndikojë ndopak në përmbushjen e sfidave në këtë raport, por ai pret që të paktën opinioni të njihet me vlerësimet që i bën Komisioni Evropian përparimit në Kosovë.

Në mos asgjë tjetër, ky debat së paku do t’i demaskojë tentimet për të fshehur apo kamufluar si dhe tentimet e krijimit të një lloj marketingu për një apo disa çështje në të cilat ka përparime apo përparime fare të vogla dhe përmes kësaj forme t’i mbulojnë ato që realisht paraqesin shqetësimin kryesor për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, siç janë ngecja në zhvillimin ekonomik, korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit, krimi i organizuar e tjera”, thotë Beqiri.

Lidhur me debatin e thirrur nga partia opozitare, LDK-ja, eksperti i çështjeve të integrimeve evropiane, Fatmir Curri, thotë se Kuvendi ka përgjegjësi në mbikëqyrjen e qeverisë në lidhje me përmbushjen e kritereve evropiane, duke ftuar ministrat rregullisht që të raportojnë për punën e tyre nëpër komisione parlamentare.

Kuvendi ka një rol shumë të fuqishëm në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Raporti i Progresit. Ajo që duhet të bëjë Kuvendi është që të analizohet në secilin Komision pjesë që i takojnë atij Komisioni, pra fushat e kritereve të Kopenhagës që i takojnë atij Komisioni dhe në këtë mënyrë të kërkojë qoftë interpelancë të ministrave apo dëgjim publik”, thekson Curri.

Kuvendi ka një rol shumë të fuqishëm në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Raporti i Progresit.


Ai thotë po ashtu se Qeveria dhe Kuvendi duhet të harmonizojnë agjendën legjislative për vitin vijues.

Curri inkurajon edhe pjesëmarrjen qytetare dhe përfshirjen e shoqërisë civile në debate publike në çështjet e rëndësisë së veçantë.

Ndryshe, Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit bën matjen e përparimeve, ngecjeve dhe sfidave tek vendet që aspirojnë integrimet evropiane.

Në rastin e Kosovës, raporti evidenton si ngecje çështjet që kanë të bëjnë me mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, mangësi në fushën e prokurimit publik, evidenton një gjyqësor jo të pavarur nga politika, pastaj mangësi në sundimin e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës si dhe kritikon gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes dhe medieve.

Sidoqoftë, Komisioni Evropian në këtë Raport ka potencuar edhe faktin se shumë ngecje mund të jenë pasojë e zvarritjes së konstituimit të institucioneve në Kosovë pas një procesi të tej zgjatur zgjedhor në fillim të këtij viti.
XS
SM
MD
LG