Ndërlidhjet

Festohet Kurban Bajrami


Reflektimi në ujë i Xhamisë së Madhe në Prishtinë
Reflektimi në ujë i Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Besimtarët islamë po festojnë sot Kurban Bajramin me lutjet që paqja dhe mirëkuptimi të mbretërojnë te të gjithë njerëzit e Kosovës.

Si zakonisht, festa ka nisur me faljen e Bajramit. Ceremonia qendrore u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet- Fatih” në Prishtinë.

Porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë, flijimit dhe sakrificës, pasi përveç tjerash është edhe kurorëzim i Haxhit, kushtit të pestë të Islamit, në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti, devotshmëria, tha me këtë rast kryeimami Sabri Bajgora.

Ai ftoi të gjithë që të tregojnë tolerancë e respekt për njeri tjetrin për të ndërtuar shtetin e Kosovës.

Përfitoj nga rasti që nga ky vend i bekuar të ju ftoj që të kontribuojmë edhe më shumë për ndërtimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të atdheut tonë, Kosovës. E kemi amanet nga krijuesi ynë fuqiplotë, që si qytetarë të japim kontributin tonë që në këtë vend të mbretërojë rendi, ligji e rregulli. Të ndërtojmë një shoqëri e cila do të respektojë vlerat qytetëruese të popullit të Kosovës, duke respektuar etninë, gjuhën, dhe besimin e çdo qytetari të saj”, tha Bajgora. 

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, besimtarët islamë i kanë uruar edhe udhëheqësit e institucioneve më të larta dhe ata të partive politike.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në urimin e saj thotë se “Festa e Bajramit të Vogël është ditë e besimit në Zotin, ditë e nderimit, mirëkuptimit e respektit për njëri-tjetrin, ditë e paqes dhe lumturisë së të gjithë njerëzve”.

Kurse, kryeministri Hashim Thaçi thotë se “kjo festë lartëson shpirtërisht besimtarët islamë kudo në botë, duke forcuar vlerat e besimit në Zot”.

Festa e Kurban Bajramit e gjen Kosovën në rrugën e rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim feje dhe etnie, ku respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore janë kushte themelore të demokracisë së shtetit tonë të ri”, thuhet në urimin e Thaçit.

Thaçi nënvizon po ashtu se “Festa e Kurban Bajramit Kosovën e gjen si shoqëri me harmoni të plotë midis diversiteteve etnike, fetare dhe kulturore, duke respektuar vlerat universale, si kusht për integrim në institucionet euroatlantike.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG