Ndërlidhjet

Kuvendet Komunale: Korrupsion në katër sy


Ilustrim
Ilustrim

Dukuria e korrupsionit përveç se është e pranishme në nivelin qendror, në përmasa të mëdha është e pranishme edhe në nivelin komunal, thonë zyrtarë të institucioneve kompetente dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tyre, investimet publike, prokurimet dhe zbatimi i projekteve kapitale, janë fushat ku më se shumti zhvillohet fenomeni i korrupsionit.

Avni Zogiani, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë se zyrat e prokurimit publik janë zyrat ku më se shumti bëhen keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Edhe në këtë nivel korrupsioni është shumë i pranishëm, dhe ky nivel i qeverisjes shpesh përdoret për të orientuar paranë publike në një drejtim, në të cilin ka interes politika, gjegjësisht partia që mban pushtetin në një komunë të caktuar”, thotë Zogiani

Ndryshe, zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, tashmë kanë pohuar se në mesin e katër institucioneve të dyshuara si më të korruptuarat, është pushteti lokal.

Sipas kësaj agjencie, gjatë vitit të kaluar, 28 persona, zyrtarë të nivelit lokal, janë evidentuar si të dyshuar për veprime korruptive.

Zyrtarë qeveritarë pranojnë se ka shkelje të procedurave ligjore në komunat e Kosovës, por rastet, sipas tyre, nuk janë të shpeshta.

Ndërsa, sa i përket dukurisë se korrupsionit, Basri Musmurati, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë se ky fenomen vështirë identifikohet.

Korrupsioni bëhet në katër sy, në forma të ndryshme, që është vështirë për ta përcjellë.
Ka pasur aty - këtu ndonjë rast për këtë çështje, nuk kanë qenë raste të rënda, por më shumë ka pasur raste që kanë bërë shkelje procedurash. Korrupsioni bëhet në katër sy, në forma të ndryshme, që është vështirë për ta përcjellë”, thekson Musmurati.

Përfaqësues të Policisë se Kosovës thonë se po luftojnë këtë fenomen si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal.

Arbër Beka, zëdhënës në këtë institucion, thotë se gjatë periudhës janar – shtator të këtij viti, janë evidentuar 75 raste të shpërdorimit të detyrës zyrtare, duke përfshirë këtu qeverinë qendrore dhe atë lokale.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë se Kosovës, për periudhën janar -shtator të këtij viti, për shpërdorim të pozitës zyrtare ka iniciuar 75 raste në nivel të tërë territorit të Republikës se Kosovës”, bën të ditur Beka.

Edhe Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të merren me rastet e korrupsionit edhe në nivelin lokal.
XS
SM
MD
LG