Ndërlidhjet

Larg marrëveshjes për menaxhim të kufirit


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Menaxhimi i integruar i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërkon kohë dhe negociata shtesë nëse synohet një marrëveshje eventuale, thonë zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Para takimit të shtatë të mbajtur në Bruksel, ishte paralajmëruar me goxha pompozitet se të dyja delegacionet do të mund të nënshkruanin një marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit, me të cilën besohej se mund t’i kontribuohej edhe uljes së tensioneve në veri të Kosovës.

Por, pas takimit doli se palët qëndrojnë mjaft larg në pozicionet e tyre lidhur me këtë çështje.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Ketrin Eshton, thotë se për këtë temë ka nevojë të vazhdojnë diskutimet.

Maja Kocijançiq
Maja Kocijançiq
“Mendoj se rreth kësaj çështjeje është diskutuar, siç e kemi thënë edhe në njoftimin për media, por për këtë temë do të bisedohet edhe më tutje”, thotë Kocijançiq.

Duke mos shpalosur shumë detaje të pikave që janë të pranueshme dhe të papranueshme për palët në bisedime, Kocijançiq vetëm potencon atë se kjo temë ka nevojë të trajtohet në të ardhmen.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryenegociatore e palës kosovare në dialogun me Beogradin, thotë se pozicioni i Prishtinës mbetet i pandryshuar dhe se çdo marrëveshje eventuale, sipas saj, do të jetë mbi parimet evropiane dhe e nivelit ndërshtetëror.

“Ne pranojmë një model evropian sipas ligjeve evropiane, por ajo që nuk pranojmë është çfarëdo tendence e palës serbe për ta politizuar këtë çështje. Pozicioni ynë është i qartë që ky model evropian ka të bëjë me të gjitha pikat kufitare që janë me Serbinë, fjala është për gjashtë pika kufitare, dhe zakonisht këto modele zbatohen duke vendosur godina të përbashkëta me zonën neutrale”, deklaron Tahiri.

Kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se pala serbe është munduar që bisedimet t’i paraqesë si negociata për pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Kjo temë, sipas Tahirit, nuk ekziston në këtë dialog dhe potencon se për Prishtinën është e pranueshme vetëm marrëveshja që bazohet mbi parimet dhe modelet tashmë të njohura evropiane.

Edita Tahiri
Edita Tahiri
“Dua ta ritheksoj se modeli evropian ka definicion të qartë dhe quhet menaxhim i integruar i kufirit dhe nuk mund të ndryshojë, sepse është i definuar me ligjet evropiane. E dyta, kufi ka midis shtetesh. Pra, janë gjëra të definuara tashmë me ligjet evropiane, kështu që ajo që ne jemi të gatshëm është që të plotësojmë një standard evropian duke zbatuar këtë koncept edhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”, thekson Tahiri.

Rrethi i ardhshëm i bisedimeve Prishtinë - Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së, pritet të mbahet më 30 nëntor, në Bruksel. Maja Kocijançiq thotë se në atë takim do të diskutohen tema të ndryshme të diskutuara dhe paralajmëruara edhe në takimet e mëhershme, si dhe do të debatohet çështja e zbatimit të marrëveshjeve tashmë të arritura.

Çështja e menaxhimit të integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë doli si propozim pas takimeve të ndara të ndërmjetësuesit të BE-së, Robert Kuper, me delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi.

Ky propozim shënon një përpjekje për të zhbllokuar gjendjen e ngrirë në veri, e cila pasoi vendimet e institucioneve të shtetit të Kosovës bashkë me mekanizmat ndërkombëtarë për të dërguar doganierë e policë kufitarë në Portat 1 dhe 31 në kufi me Serbinë, që më pas ishte përcjellë me reagimin e serbëve lokalë të mbështetur nga Beogradi zyrtar me bllokimin e rrugëve, gjendje kjo që po zgjat për më shumë se katër muaj.
XS
SM
MD
LG