Ndërlidhjet

Politika - preokupim edhe për të rinjtë


Foto nga arkivi (Fushata parazgjedhore e 12 dhjetorit 2010)
Foto nga arkivi (Fushata parazgjedhore e 12 dhjetorit 2010)
Politika, me apo pa dashje, është bërë e pashmangshme nga jeta e shumicës së të rinjve kosovarë.

Në rubrikën e përjavshme ”VOX” të programit tonë, gjatë kësaj jave kemi marrë mendimet e disa të rinjve në lidhje me këtë çështje.

Ata shprehen të irrituar me faktin se në Kosovë, siç thonë, çdo gjë është e politizuar.

Zyrafete Sylejmani është 26-vjeçare dhe vjen nga Podujeva. Para tre vjetësh, thotë se ka diplomuar në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, porse ajo vazhdon të mbetet e papunë.

Për këtë, Zyrafetja fajëson pikërisht politikën, e cila, siç shprehet ajo, e bën detyrimisht të interesohet për situatën politike në vend.

“Politika ndikon në jetën time në çdo moment. Kjo për arsye se, sipas paragjykimeve të partisë në pushtet në komunën time, unë i përkas ndonjë partie tjetër, prandaj kam mbetur pa vend pune edhe pas tre vjetësh që kam marrë diplomën”, tregon Zyrafete Sylejmani.

Bujari, një i ri nga Prishtina, thotë se me dëshirë do ta largonte vëmendjen nga politika, por, sipas tij, janë ngjarjet e përditshme ato që e nxisin vazhdimisht ta përcjellë çështjen në fjalë. Bujari veçon bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si ngjarje që i kushton më shumë vëmendje.

“Është një demoralizim i përgjithshëm që e ka kapluar popullsinë. Më duket se ka ardhur një kohë që njerëzit më shumë duhet të preokupohen me përditshmërinë e tyre, se sa me politikë, pasi politika asgjë nuk po sjell risi, vetëm zhgënjime. Unë kam qenë ithtar i asaj që të largohem nga politika, por deshe s’deshe përfundon në ballafaqime me politike, ose me realitetin politik që ndodh këtu” thotë Bujari

Politika është bërë pjesë e jetës edhe për të riun Fidaim Zeqiri. Ai është nga Skenderaj dhe punon në një kompani private në këtë qytet. Ndonëse më me dëshirë do të interesohej për çështje dhe ngjarje të tjera, Fidaimi thotë se vazhdimisht përcjell ngjarjet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës.

Edhe pse nuk kisha pasur dëshirë të merrem me politikë, rrethanat po na detyrojnë të merremi me të dhe t’i përcjellim zhvillimet politike. Si i ri që jam, normalisht që kisha pasur dëshirë të merrem me aktivitete tjera dhe jo me politikë, por ja që rrethanat po na detyrojnë të merremi me këtë çështje. Për momentin, më së shumti më intereson se çfarë po ndodh me veriun e Kosovës”, shprehet Fidaim Zeqiri.

Politika ndikon në të gjitha sferat e jetës dhe te të gjitha kategoritë, prandaj është pjesë e pashmangshme edhe te të rinjtë, thotë Herolind Beqiri, nga Vitia, student në Fakultetin Juridik.

“Politika ka ndikim në të gjitha sferat e jetës, prandaj ndikon edhe në jetën studentore. Të gjitha temat aktuale që po shtjellohen nëpër media, më interesojnë. Fatkeqësisht, mungojnë aktivitetet për të rinjtë, prandaj detyrohemi që shumicën e kohës të shikojmë televizorin, e rrjedhimisht të futemi edhe në ujërat e politikës” thekson studenti Herolind Beqiri.

Ndërsa, 19-vjeçari, Gramos Rugova, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, duket të jetë tejet i preokupuar me zhvillimet politike, sepse nga politika po varet edhe zhvillimi ekonomik dhe vetë jeta, e që është fusha që pikërisht i intereson atij:

“Po e përcjelli shumë, sidomos lajmet e fundit. Më shumë më interesojnë investimet në ekonomi, zhvillimi ekonomik, këto që na interesojnë neve të rinjve, edhe situatën në veri e përcjelli shumë. Politika është e përzier në çdo sektor të jetës, kështu që me ose pa dashje duhet të merrem me të. Thjesht, politika është bërë vetë jeta jonë”.

Por, ka edhe nga ata të rinj që nuk u intereson dhe nuk dëshirojnë që politika të jetë e pranishme në jetën e tyre.

Njëra nga to është Albina Qorri nga Ferizaj. Albina mendon se njerëzit që udhëheqin politikën kanë neglizhuar çdo çështje kundrejt të rinjve si ardhmëri e vendit. Dhe, për këtë arsye, ajo nuk dëshiron që politika të futet në jetën e saj private dhe shoqërore.

“Deri më tani kurrfarë përshtypje nuk kanë gëzuar politikanët tanë, në mënyrë që t’i përcjellim ata. Për të rinjtë autoritetet kompetente fare nuk kanë krijuar kushte”, shprehet e vendosur Albina Qorri.
XS
SM
MD
LG