Ndërlidhjet

Shtetet e rajonit privatizojnë pronat në Kosovë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Disa shtete të rajonit tashmë kanë privatizuar disa ndërmarrje shoqërore që gjenden në territorin e Kosovës, thonë autoritetet përgjegjëse, por nuk japin emra dhe numra konkretë.

Përderisa shtete fqinje kanë privatizuar pronat e tyre, institucionet kosovare as që i kanë identifikuar të gjitha objektet afariste të shteteve të ish-Jugosllavisë që gjenden në territorin e Kosovës.

Në qendër të Prishtinës gjendet një objekt afarist i ndërmarrjes “Treska” nga Maqedonia, lokal ky i cili nga viti 2002 është pronë e Hysen Sadikut nga Prishtina.

Sadiku thotë se këtë objekt e ka blerë në bazë të ankandit publik nga kompania “Treska”. Sipas tij, “Treska” në atë kohë ka qenë shoqëri aksionare, andaj dhe “ka qenë e lehtë blerja”.

“Çdo objekt, i cili është shoqëri aksionare - nuk ka lidhje a është i Kroacisë, apo Sllovenisë - ka të drejtë të shitet. Ato objekte që janë shoqërore, nuk mund të shiten. Ka qenë i ‘Treskës’ dhe ka kaluar në shoqëri aksionare para vitit 1994”, thotë Sadiku.

Në anën tjetër, Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se shteti serb, por edhe disa republika të ish-Jugosllavisë kanë bërë disa privatizime në lokacionet e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por edhe në pjesë të tjera të vendit.

Ai shprehet i shqetësuar lidhur me këtë, pasi, siç thotë, autoritetet kompetente nuk po arrijnë t’i privatizojnë ndërmarrjet shoqërore që gjenden në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

“Janë bërë disa privatizime, për shembull nga Republika e Maqedonisë. Disa kompani maqedonase që kanë pasur prona në Prishtinë apo në qytete të tjera të Kosovës, i kanë privatizuar disa - në radhë të parë objektet tregtare, lokalet afariste dhe të njëjtat i kanë shitur te personat fizikë në Kosovë”.

“Nuk e di nëse është privatizim i ligjshëm, por në realitet ka ndodhur”,
thotë Bektashi.

Ilustrim
Ilustrim
Zyrtarët qeveritarë thonë se ende nuk kanë ndonjë listë me emrat e pronave të ndërmarrjeve të shteteve rajonale, që gjenden në Kosovë.

Artan Behrami, këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë se është kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që t’i evidentojë të gjitha këto prona.

I pyetur nëse Ministria e Punëve të Jashtme ka informacione se disa vende të rajonit kanë shitur asetet e tyre në Kosovë, Behrami përgjigjet:

“Të gjitha informacionet lidhur me këtë dukuri janë të njohura për Ministrinë e Punëve të Jashtme, por tash është herët të flitet për to. Pritet që gjatë negociatave që do t’i kemi me shtetet, të diskutohet edhe për këtë çështje”, thotë Behrami.

Por, sipas disa të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, janë rreth 40 ndërmarrje shoqërore të rajonit që kanë asete në territorin e Kosovës.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se më së shumti ndërmarrje ka në territorin e komunës së Prishtinës.

Edhe Kaloshi pranon se ka pasur disa raste kur asetet e këtyre ndërmarrjeve janë privatizuar nga shtetet fqinje, porse agjencia, sipas tij, ka vepruar kundër këtyre shitjeve.

“Agjencia ka dërguar njoftime publike për qytetarët e shteteve të rajonit, me ç’rast ka kërkuar që të mos bien pre e këtyre privatizimeve të paligjshme, pasi që ato nuk kanë kurrfarë baze ligjore në territorin e Kosovës”.

“Transaksionet e tilla janë plotësisht të papranueshme, antikushtetuese dhe konsiderohen inekzistente, si për agjencinë, ashtu edhe për institucionet e tjera të vendit tonë. Si të tilla nuk kanë kurrfarë vlere juridike”,
thekson Kaloshi.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se autoritetet kosovare janë duke punuar që problemet me pasuritë e ndërmarrjeve që gjenden në Kosovë, të zgjidhen në rrugë diplomatike.
XS
SM
MD
LG