Ndërlidhjet

Aspirata për anëtarësim në BERZH


Një ndër objektivat e Ministrisë së Financave për vitin 2010, por edhe për 2011, ka qenë anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në fund të 2010-ës ish Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, pat thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, që u mbajtjen më 12 dhjetor, penguan anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Ndërsa, në atë kohë, Shala pat premtuar se në muajt e ardhshëm, që nënkuptonte muajit e parë të 2011-ës, Kosova do të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë bankë.

Ahmet Shala
Ahmet Shala
Ne kemi pasur premtime që kjo do të realizohet në fund të vitit 2010, por fatkeqësisht ndodhi cfarë ndodhi me presidentin e shtetit dhe më qeverinë, dhe ishte vështirë për të pritur që ndonjë shtet të japë votën, kur mungonte kreu i shtetit dhe qeveria”.

Ne kemi prioritet anëtarësimin në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, që ka qenë shumë afër dhe më vjen keq që nuk është realizuar në këtë vit”, pat thënë Shala në fund të vitit 2010.

Por, vonesat në konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, lanë nën hije këtë proces.

Nga mesi i vitit 2011, kjo cështje prapë u aktualizua, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se marrëveshja Stand By, për Kosovën është ndërprerë.

Ekspertë të ekonomisë, konsideruan se mosrespektimi i marrëveshjes me FMN-në nga ana e autoriteteve kosovare, do të ndikojë në përkeqësimin e raporteve edhe tek institucionet tjera financiare, e sidomos, sipas tyre, vështirësitë do të paraqiten në anëtarësimin e Kosovës në BERZH.

Agron Demi, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara GAP, pat thënë se mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë edhe një argument shtesë që disa nga shtetet anëtare të këtij institucioni të hezitojnë të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës.

Prishja e marrëveshjes së FMN-së do të shërbejë si argument shtesë për shtetet të cilat janë duke u luhatur për të dhënë votën pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm”.

Gjatë kësaj periudhe, në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës, edhe deputetë të partive opozitare shprehën shqetësimet e tyre se pas ndërprerjes së marrëveshjes se FMN-në, vendet anëtare të BERZH-it do të hezitojnë të votojnë pro anëtarësimit.

Por, Ministri i Financave, Bedri Hamza, në këtë seancë pat premtuar se deri në fund të 2011-ës, Kosova do të anëtarësohet në këtë institucion bankar, pasi siç pat thënë ai, autoritetet kompetente janë duke punuar në këtë drejtim.

Kosova është duke punuar dhe është shumë afër BERZH-it. Jemi afër dhe shpresojmë se, duke punuar të gjithë bashkërisht, brenda këtij viti do të arrijmë të jemi anëtarë të këtij institucioni ndërkombëtar shumë të rëndësishëm”, shprehi bindjen Hamza.

Në anën tjetër, këshilltari politik i ministrit të Financave, Mendëres Ibra, në muajin nëntor, tha se në vitin 2012 Kosova do të jetë anëtare e këtij mekanizmi.
Aktualisht, na mungojnë edhe dy vota për anëtarësim në këtë mekanizëm të rëndësishëm...

Aktualisht, na mungojnë edhe dy vota për anëtarësim në këtë mekanizëm të rëndësishëm, por janë duke u bërë negociata të vazhdueshme në nivele diplomatike rreth sigurimit të votave të mjaftueshme për anëtarësim”.

Por, meqë janë duke u vazhduar negociata dhe biseda të ndryshme, nuk mund të emërtoj shtetet, pasi ka më tepër vende, me të cilat jemi duke biseduar”, tha Ibra.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli në muajin dhjetor, ka theksuar se hapja e dialogut për marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian, i hapë rrugën Kosovës për anëtarësim në Bankën Për Rindërtim dhe Zhvillim .
XS
SM
MD
LG