Ndërlidhjet

Maqedoni: Regjistrimi nën monitorim ndërkombëtar


Shkup
Shkup
Pas dështimit të procesit të regjistrimit të popullsisë tetorin e kaluar, për shkak të dallimeve se duhet ose jo të përfshihet në regjistrim edhe ajo pjesë e popullatës, e cila gjendet me punë të përkohshme jashtë vendit, partitë politike gjithnjë e më vështirë e kanë të arrijnë ujdi për miratimin e të njëjtit gjatë këtij viti.

Ekspertët vlerësojnë se autoritetet shtetërore duhet të gjejnë një rrugë, e cila plotësisht anashkalon politikën për të realizuar procesin e regjistrimit përmes inkuadrimit të monitorimit të misioneve ndërkombëtare, si dhe sektorit civil.

“Si të anashkalohen mosmarrëveshjet që kanë partnerët e koalicionit në këtë moment, vërtet është vështirë për t`u përgjigjur, përpos nëse arrihet ujdi për inkuadrimin e misioneve ndërkombëtare dhe sektorit civil me atë që të krijohen rrethana për një besueshmëri më të lartë të rezultateve”, thotë Vlladimir Misev, nga Instituti për Demokraci në Maqedoni.

Ndërkaq, sipas analistit shqiptar, Albert Musliu, i cili drejton organizatën jo qeveritare “ADI”, përderisa Ligji për regjistrim ka hapësirë të interpretohet në forma krejtësisht të ndryshme nga shqiptarët dhe maqedonasit, është pothuajse i pamundur realizimi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni.
Për t`u realizuar një regjistrim sipas standardeve evropiane, fillimisht duhet të evropianizohen dhe vetë politikanët.

“Për t`u realizuar një regjistrim sipas standardeve evropiane, fillimisht duhet të evropianizohen dhe vetë politikanët. Si? Fillimisht duke lënë anash deklarimet e së kaluarës që çuan kah dështimi i këtij procesi".

"Gjatë procesit të realizimit të regjistrimit, madje edhe gjatë seancës parlamentare ku u mor vendim që të ndërpritet ky proces, dëgjuam deklarime nga më të ndryshmet ku politikanët, deputetët nuk e matnin fjalën e tyre duke mos mbajtur llogari fare në atë se ç’efekt mund të reflektojë te qytetarët. Maqedonia duhet kuptuar se ka nevojë për regjistrim objektiv të papolitizuar. Por, gjithashtu, ka nevojë dhe për shprehjen e qytetarëve lirshëm për këtë proces”
, vlerëson Musliu.

Sipas Musliut, partitë politike, veçanërisht ata të koalicionit qeverisës, duhet unifikuar qëndrimet në përzgjedhjen dhe interpretimin e metodologjisë për përfshirjen e popullatës në procesin e regjistrimit.

Ndërkohë, polemika të ashpra zhvillohen mes partive politike shqiptare, rreth asaj se cila nga to “fshin numrin real të shqiptarëve në Maqedoni.

Javën që po e lëmë pas Parlamenti hodhi poshtë projektligjin për regjistrimin e popullsisë, të propozuar nga opozita maqedonase. Gjatë debatit, deputetët shqiptarë theksuan se numri i shqiptarëve është shumë më i madh se sa që është paraqitur në regjistrimin e 2002-s.

Zeadin Sela nga PDSH-ja, vlerëson se çelësi për një regjistrim i cili nuk do të kontestohej, qëndron në arritjen e një konsensusi të gjerë politik.
Një proces i regjistrimit, i cili nuk do të ishte objektiv dhe do të kontestohej, mund të vë në pikëpyetje stabilitetin e shtetit.


“Regjistrimi në Maqedoni assesi nuk praqet vetëm proces statistikor, por regjistrimi në Maqedoni është dhe politik. Në bazë të numrit të popullatës, një pjesë e të drejtave të qytetarëve shqiptarë janë ose jo të realizueshme për shkak se kështu fatkeqësisht janë ligjet për shumë qytetarë të Republikës së Maqedonisë. Një proces i regjistrimit, i cili nuk do të ishte objektiv dhe do të kontestohej, mund të vë në pikëpyetje stabilitetin e shtetit”, konsideron Sela.

Nga ana tjetër, partia politike shqiptare në pushtet jep garanci se do t’i filtrojë të gjitha problemet që çuan kah dështimi i këtij procesi.

“Besoj se këtu duhet përfshirë edhe ndryshimin, si dhe plotësimin e Ligjit për regjistrim, veçanërisht në pjesën e shpjegimit të metodologjisë në kuptimin e njëjtë, si për maqedonasit, ashtu edhe për shqiptarët”, shprehet Milaim Ademi, anëtar i Komisionit Shtetëror për Regjistrim, nga radhët e BDI-së.

Ademi thotë se partia që e përfaqëson ai, angazhohet për përfshirjen e shqiptarëve edhe në Entin Statistikor Shtetëror.

Pas dështimit të procesit të regjistrimit në tetor të vitit të kaluar, opozita akuzoi partitë politike në pushtet për politizim të procesit. Që atëherë dy herë u ndryshua përbërja e anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, si pasojë e mosharmonizimit të qëndrimeve për interpretimin e Ligjit për regjistrim sa i përket përfshirjes së qytetarëve jashtë vendit në këtë proces gjë që çoi dhe në dështimin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG