Ndërlidhjet

S'ka integrim në BE me tensione ndëretnike


Pamje në Shkup, ku vërehen kisha dhe xhamia...
Pamje në Shkup, ku vërehen kisha dhe xhamia...
Maqedonia nuk mund të synojë integrimin në strukturat veri-atlantike përderisa raportet ndëretnike dhe ato ndërfetare janë të brishta dhe nuk synojnë tolerancë dhe kultivimin e bashkëjetesës mes dy etniteteve më të mëdha, thonë analistët politikë, duke theksuar se incidentet që kanë për bazë konfliktin, gjithmonë shfaqen para samiteve të NATO-s.

Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik, thotë se tensionimi i raporteve ndëretnike dhe atyre ndërfetare është inskenuar nga strukturat udhëheqëse të vendit, për të alarmuar faktorin ndërkombëtar para samitit të NATO-s në Çikago, që të pranohet me referencën IRJM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ), në të kundërtën kërcënohet stabiliteti i brendshëm që mund të marrë dhe përmasa më të gjera.

“Në një mënyrë është një formë e gabuar për të alarmuar faktorin ndërkombëtar se maqedonasit, gjegjësisht Maqedonia është e rrezikuar nga trazirat e brendshme vetëm e vetëm pse ndërkombëtarët nuk janë aq të kujdesshëm, respektivisht shumë pak angazhohen që Maqedonia të anëtarësohet në strukturat veri-atlantike pa e ndryshuar emrin, ose pa arritur kompromis për emrin me Greqinë”, thotë Ramadani.

Me qëndrim të ngjashëm shprehet edhe Izet Zeqiri nga partia shqiptare në opozitë, Rilindja Demokratike Kombëtare. Zeqiri pohon se konfliktet ndëretnike shfaqen zakonisht para samiteve të NATO-s.

Djegia e flamurit maqedonas...
Djegia e flamurit maqedonas...
“Historia tregon se në Maqedoni ka pasur tensione ndëretnike dhe turbulenca që t’i jepet një mesazh faktorit ndërkombëtar se në vend është e kërcënuar siguria dhe organizatat ndërkombëtare – NATO, duhet të shqyrtojnë mundësinë e presionit që Maqedonia të afrohet kah kjo strukturë duke mos marrë për bazë kushtin që të zgjidhë kontestin me emrin”, pohon Zeqiri.

Problemet ndëretnike në Maqedoni manipulohen nga ana e subjekteve politike si pasojë e mungesës së masës kritike në Maqedoni, vlerëson analisti politik Petar Arsovski.

“Zhvillimi i proceseve në shoqërinë maqedonase gjithnjë e më shumë është nën ndikimin e interesave të partive politike. Pushteti në çdo formë dhe me të gjithë njerëzit e tij brenda, veçanërisht bartësi i proceseve politike në shtet për momentin VMRO-DPMNE, promovon një diskurs agresiv etno-nacionalist te maqedonasit. Pra, ky është faktori i parë që ndikon në këtë që po na ndodh për momentin”, vlerëson Arsovski.

Nga ana tjetër, Ismet Ramadani, thekson se nxitja lehtësisht e konflikteve ndërfetare dhe atyre etnike ka të bëjë me humbjen e shpresave dhe durimit të qytetarëve si pasojë e politikës së kryeministrit Nikolla Gruevski, që ka për bazë elemente nacionaliste, gjë që e mban peng dhe procesin e integrimit.
Në këto rrethana, qytetarët shumë lehtë mund të manipulohen për të krijuar incidente, të cilat mund të shkaktojnë trazira me përmasa më të mëdha.

“VMRO-DPMNE, si pjesë kryesore e Qeverisë, edhe më tej mban qëndrim të fortë rreth kontestit për emrin. Nga ana tjetër, qytetarët dalëngadalë po e humbin shpresën, po e humbin besimin, për një ardhmëri më të mirë në Maqedoni. Në këto rrethana, qytetarët shumë lehtë mund të manipulohen për të krijuar incidente, të cilat mund të shkaktojnë trazira me përmasa më të mëdha”, thekson Ramadani.

Për tejkalimin e situatave të fundit që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike, nevojiten projekte të shumta që të përfshijnë pjesëmarrës nga të gjitha etnitetet, vlerësojnë analistët politikë, duke theksuar se në shtetet multi-etnike siç është Maqedonia, patriotizmi i shfaqur me përmasa më të theksuara nga cilado qoftë palë, anë ose subjekt politik, kërcënon stabilitetin e vendit. Andaj, sipas analistëve, duhet mbajtur llogari për ndjenjat e palës tjetër.
XS
SM
MD
LG