Ndërlidhjet

Krizë energjetike në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë mbledhjes së që u mbajt në mbrëmjen e së dielës, Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme krize energjetike, ku do të merren disa masa preventive për mirëmbajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në sistemin energjetik në Maqedoni.

Ndalesa për eksport të energjisë elektrike për vendet e rajonit si dhe ndryshimet e shpeshta klimatike, dhe kërkesa në rritje e konsumatorëve për shfrytëzimin e energjisë elektrike kanë qenë pjesë e shqyrtimit të komisionit për krizë, i cili i ka sugjeruar qeverisë që të sjellë vendim për shpalljen e krizës energjetike në vend.
Kjo krizë në fazën e parë nuk do të thotë restrikcione tek amvisëritë dhe kompanitë e mëdha të vendit , por më duhet të theksoj se me këtë vendim faktikisht ne ndalim eksportin e energjisë elektrike nga Maqedonia për vendet tjera, gjithashtu kemi rënë dakord për aplikimin e disa masave që në formë direkte do të ndikojnë në kursimin e energjisë elektrike
”, tha ministri i ekonomisë Valon Saraqini.

Qeveria ka angazhuar dhe termocentralin “TEC Negotino” që të fillojë me prodhimin e energjisë elektrike, me qëllim që në periudhën e ardhshme nëse do të shpallet nevoja për energji elektrike të ketë mundësi të futet në sistemin aktual elektrik të Maqedonisë.

Po qe se ballafaqohemi me kërcënim edhe më serioz të situatës nga moti i ligë, do të aktivizohet dhe termoelektarna e Negotinos e cila disponon me rreth 5 mijë ton rezerva të mazutit, të cilat mundësojnë furnizim të energjisë elektrike nga 6 deri në 10 ditë”, -tha Sarqini.

Nga mbledhja që u mbajt në mbrëmjen e së dielës...
Nga mbledhja që u mbajt në mbrëmjen e së dielës...
Drejtori i kompanisë energjetike të Maqedonisë “ELEM”, Vllatko Cingov, tha se masa të tilla për reduktimin e energjisë elektrike paraprakisht kanë marrë Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria.

Cingov tha se temperaturat e ulëta kanë shkaktuar rritje enorme nga ana e konsumatorëve gjatë muajit janar dhe 10 ditëve të para të shkurtit.

Gjithashtu, edhe ai ka apeluar për konsum racional të energjisë, për të mos u detyruar të merren masa të restrikcionit

Kërkesa për konsum të energjisë elektrike për muajin janar shënon rritje për 7.71 për qind, krahasuar me mesataren nga 2006 deri në vitin 2011, për të njëjtën periudhë kohore. Gjersa për muajin shkurt, kërkesat janë zmadhuar për më shumë se 13 për qind vetëm në dhjetëditëshin e parë. Këtë trend të rritjes nuk mund ta përcjellë asnjë kompani në botë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, trupi koordinues pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza bën të ditur se janë më shumë se njëqind fshatra të cilat janë plotësisht të shkëputura, për shkak të borës.

Me ndalimin e reshjeve ka filluar edhe pastrimi i borës në të gjitha akset rrugore të cilat janë të bllokuara. Janë angazhuar edhe mekanizma plotësues nga firmat private për të bërë pastrimin e rrugëve. Kemi diku 130 fshatra me numrin e mbrëmshëm që u është bllokuar rruga. Në gjithë këto fshatra po punohet për shkak se lartësia e borës nuk është shumë e lartë dhe mund të bëhet pastrimi i menjëhershëm”, deklaroi Fitim Lloga, zëdhënës i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Gjersa meteorologët parashikojnë që vala e të ftohtit do të vazhdojë edhe gjatë tërë javës.

Reshjet e dendura të borës kanë kufizuar lëvizjen e të gjitha llojeve të automjeteve në akset e ndryshme rrugore dhe qafat malore, ndërsa ka anulim edhe të linjave të autobusëve, si dhe në komunikacionin hekurudhor.

Për shkak të reshjeve të borës, ndalesë për lëvizje të çdo lloj të automjeteve ka në akset rrugore Mavrovë-Dibër, Dibër-Strugë si dhe në qafën malore Presekë.
XS
SM
MD
LG