Ndërlidhjet

Opozita po mendohet


Kuvendi i Kosovës(Foto arkiv)
Kuvendi i Kosovës(Foto arkiv)
Subjektet politike nga tabori opozitar në Kosovë janë në pritje të rezultateve të bisedimeve Prishtinë - Beograd që po zhvillohen në Bruksel, para se të vendosin për hapat që mund të ndërmarrin eventualisht në lidhje me kundërshtimin, si thuhet, të përdorimit të fusnotës gjatë prezantimit të Kosovës në nismat rajonale.

Zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se qëndrimi mbetet i njëjti me atë që ky subjekt politik ka shprehur edhe të mërkurën, e që konsiston në synimet e Vetëvendosjes për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend dhe organizimin demonstratave në rast të vendimit për përdorim të fusnotës.

Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se përdorimi i fusnotës tek emri i Kosovës gjatë përfaqësimit të saj në nismat rajonale, është i dëmshëm dhe duhet kundërshtuar.

“Kombinimi i një seance të jashtëzakonshme me një rezolutë dhe i një demonstrate gjithë-popullore kundër kësaj (fusnotës) në Prishtinë, sigurisht që do të jenë hapa shumë të fuqishëm për të parandaluar dhe bërë presion mbi Qeverinë e Kosovës dhe për të treguar se populli dhe vullneti i deputetëve, të cilët janë të pavarur, janë kundër koncesioneve që (kryeministri dhe Qeveria) tashmë kanë vendosur t’i bëjnë”, tha të mërkurën Molliqaj, duke e përsëritur se qëndron në të njëjtin mendim edhe një ditë pas.

Mirëpo, pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme duket se nuk po gëzojnë mbështetjen e dy partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, tha se opozita nuk e ka shumicën në Kuvend që të marrë vendime, ngase nismat e saj mund të mbivotohen nga shumica.

“Momentalisht, mbizotëron mendimi se efekti nuk do të ishte i duhuri për shkak të shumicës së votave që i ka koalicioni qeverisës në Kuvend dhe besoj që nuk do ta mbështesim ndonjë mocion të tillë pikërisht për shkak të efektit praktik që do të ishte negativ”, u shpreh Ramadani.

Ndërkohë, subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse e kundërshton ashpër përdorimin e fusnotës, në lidhje me nismën për seancë të jashtëzakonshme, preferon që së pari të priten rezultatet e bisedimeve Prishtinë-Beograd në Bruksel.

Deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani, tha se kjo fusnotë po e betonon neutralitetin ndaj statusit të Kosovës, edhe atë me vendim të Qeverisë.

LDK
LDK
“Ne besojmë fuqishëm që çdo referencë në Rezolutën 12 44 përfundimisht betonon neutralitetin ndaj statusit, sepse ashtu siç e ka thënë edhe vetë GJND-ja, Rezoluta 12 44 është dokument neutral ndaj statusit të Kosovës. Ne mendojmë që kjo përfundimisht do ta dëmtojë Kosovën në këto raporte, sepse tani edhe vetë Kosova po deklarohet se ajo është neutrale ndaj statusit të saj”, theksoi Osmani.

Sidoqoftë, pëlqimi i kryeministrit Hashim Thaçi për fusnotën, e cila Kosovën do ta paraqiste në bazë të Rezolutës 12 44, pastaj Mendimit të GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë dhe Deklaratën e pavarësisë, është interpretuar nga Qeveria si zgjidhje e balancuar dhe kompromisi.

Për dallim nga opozita, Qeveria e ka vlerësuar këtë si zgjidhje që ndihmon dhe shpejton përafrimin e Kosovës në nismat dhe proceset integruese evropiane.
XS
SM
MD
LG