Ndërlidhjet

Kompromis i dhembshëm me pak përfitim


Kryenegociatorja kosovare në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.
Kryenegociatorja kosovare në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.
Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fusnotën, me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet dhe nismat rajonale, nga analistët e çështjeve politike dhe njohësit e rrethanave integruese, vlerësohet si një kompromis i dhembshëm i Kosovës, nga i cili përfitimet janë minimale dhe, siç thonë ata, jo-ekuivalente me kompromisin.

Analisti Ismajl Hasani vlerëson se Kosova ka qenë e detyruar ta bëjë kompromisin, ndërkohë që përfitimi i saj nga nismat rajonale do të jetë fare i paktë.
Nismat rajonale nuk kanë agjendë aq dinamike sa që të peshonin dhe të ishin ekuivalente me kompromisin e dhembshëm, të cilin Kosova është detyruar ta bëjë.


“Nismat rajonale nuk kanë agjendë aq dinamike sa që të peshonin dhe të ishin ekuivalente me kompromisin e dhembshëm, të cilin Kosova është detyruar ta bëjë. Duhet të jetë e vetëdijshme klasa politike e Kosovës se nuk ka bërë kompromise për të përmbushur ose për të arritur ndonjë rezultat, i cili do të ishte frapant në aspektin e integrimeve dhe nismave rajonale. Kompromisi është i kushtëzuar nga diçka tjetër dhe jo nga përfitimi që do të kishte nga nismat rajonale”, vlerëson Hasani.

Analisti Krenar Gashi, duke u bazuar në marrëveshjen e arritur për fusnotën, vlerëson se përfitimet e Kosovës do të jenë minimale krahasuar me kompromisin që ka bërë.

“Kosova do të përfitojë një gjë, që do të jetë fakti se do të ulet me Serbinë, së bashku, në përfaqësimin e shteteve nëpër nismat e ndryshme rajonale. Ndërsa, Kosova nuk ka përfituar asgjë, sa i përket integrimit të saj të mëtutjeshëm ndërkombëtar, qoftë këtu edhe integrimin në organizatat sportive, që do të duhej të ishte prioritet i tanishëm në raport me Serbinë dhe BE-në; integrimin nëpër institucionet tjera ndërkombëtare, nga të cilat Serbia nuk ka marrë kurrfarë përgjegjësie që nuk do ta përdorë veton dhe çdo lobim të mundshëm për të dëmtuar apo mos pranuar Kosovën nëpër këto institucione”, thotë Gashi për Radion Evropa Lirë.

Ndërkaq, Shenoll Muharremi, analist i çështjeve politike dhe njohës i rrethanave integruese evropiane, vlerëson se kompromisi, të cilin e ka bërë Kosova lidhur me fusnotën, nuk do të sjellë asgjë të re sa u përket integrimeve evropiane, për shkak se edhe më parë ka qenë krejtësisht e ditur se Kosova e ka perspektivën evropiane.

Shenoll Muharremi
Shenoll Muharremi

“Tash, nëse po bëhet lojë me terminologji dhe po quhet ‘marrëveshje për stabilizim-asociim’, prapë se prapë, Kosova duhet t’i përmbushë parakushtet, në mënyrë që ta jetësojë këtë agjendë. Paradoksi qëndron se Prishtina nganjëherë po mendon se mund të avancojë në BE, pa i përmbushur kriteret, duke bërë kompromise me Serbinë, në dialogun e sponsorizuar nga Brukseli. Kjo nuk qëndron”.

“Mu për këtë, fokusi duhet të jetë në zhvillimin e brendshëm dhe ndërmarrje të reformave, në mënyrë që Kosova me dinjitet të shkojë dhe të përfaqësohet, si dhe të dialogojë me këdo që ka nevojë”,
thekson Muharremi.

Megjithatë, analisti Hasani shpreh mendimin se pas gjithë këtij skepticizmi, që është shfaqur pas kompromisit të Kosovës për fusnotën, njerëzit në Kosovë ende e kanë shpresën se vendi i tyre do të ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse lexohet me vëmendje deklarata e fundit e ambasadorit Dell, atëherë jep shpresa që të kuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfundimisht, nuk e kanë ndërmend ta lënë (Kosovën) në mëshirën e këtyre kalkulimeve të zyrave të Brukselit, sa i takon përmbushjeve të apetiteve të Serbisë dhe krijimit të favoreve për Serbinë që ta marrë statusin e kandidatit; ose Kosovës, mbase, t’i jepej një propozim për stabilizim-asociim, proces i cili, ne e dimë, se zgjat me vjet”, shpjegon Hasani për Radion Evropa Lirë.

Sidoqoftë, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, Kosova në nismat rajonale do të paraqitet me fusnotën, ku thuhet se ky shënim është pa paragjykim për pozicionin mbi statusin dhe është në linjë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Lexoni edhe këto:
Fusnota me 1244 dhe mendimin e GJND-së

Thaçi: Kjo është formulë e përkohshme
XS
SM
MD
LG