Ndërlidhjet

Fitore e brishtë e Romnit



Romni kryeson garën Republikane
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:43 0:00


Kandidati republikan Mit Romni, i ka shtuar gjasat e tij për ta fituar nominimin presidencial për tu ballafaquar me Barak Obamën në zgjedhjet në muajin nëntor.

Në votimet në 10 shtete, Romni fitoi në 6, rivali i tij Rik Santorum, doli fitues në tri, ndërsa Njut Gingriç fitoi në një shtet.

Në votimet në të ashtuquajturën Super e Marte, Mit Romni doli fitues, por megjithatë nuk ia doli që në këto votime ta sigurojë epërsinë vendimtare për nominim republikan.

Në shtetin kryesor Ohajo, ku është numri më i madh i delegatëve, Mit Romni fitoi 38%, ndërsa rivali i tij kryesor, Rik Santorum – 37% të votave. Romni, po ashtu, fitoi edhe në shtetin e tij Masaçusets, e pastaj në Vermnont, Virxhinia, Ajdaho dhe në Alaskë.

Rik Santoruim doli fitues në Okllahoma, Tenesi dhe në Dakotën Veriore.

Kandidati i tretë, Njut Gingriç, poashtu mbetet në garë, pas fitores në shtetin e tij në Gjeorgji.

Fitorja e Mit Romnit në shtetin Ohajo ishte shumë e rëndësishme për të, pasi deri tash asnjë kandidat republikan nuk është zgjedhur president pa fituar në shtetin e Ohajos, në të cilin votuesit janë të përzier dhe paraqesin konservatorët dhe liberalët, që përafërsisht e pasqyron përbërjen e votuesve në Shtetet e Bashkuara.

Gati 40% e numrit të përgjithshëm prej 1144 delegatëve ishin në lojë në votimet e fundit. Republikanët zyrtarisht e zgjedhin të nominuarin e tyre në Konventën Kombëtare, që mbahet në fund të muajit gusht.

Pasi votoi në shtetin Masaçusets, ku ai një kohë kishte shërbyer si guvernator, Romni u shpjegoi gazetarëve mënyrën se si është e organizuar fushata e tij.

Ne organizuam një numër të organizatave për mbledhjen e fondeve apo individë dhe ne e ndërtuam një organizatë, që ju duhet ta keni për të garuar kundër presidentit Barak Obama, i cili do të ketë miliarda dollarë. Ai në masë të madhe do të shpenzoj më tepër se i nominuari republikan, por ne jemi në një pozitë shumë të mirë për të mbledhur para, që ne na duhen për të dalë kundër tij”, tha Mit Romni.

Mit Romni, që është një multimilionar dhe ish ekzekutiv në biznes, e ka fushatën më të mirë të organizuar dhe të financuar. Por, ai ka problem të ndërlidhet me konservatorët, kështu që e nuk ishte në gjendje ta siguroj më shpejt nominimin, ashtu siç pritnin mbështetësit e tij.

Rik Santorum, ish senator nga Pensilvania, e ka fituar mbështetjen e konservatorëve religjiozë, pasi ai e kundërshton martesën e homseksualëve dhe abortin.

Por, komentet e tij të hapura lidhur me kontrollin e lindjeve dhe rolin e fesë janë parë si prirje për largim nga votuesit e moderuar.

Zoti Santorum u tha votuesve në Stojbenville të Ohajos se fitoret e tij tregojnë se ai është kandidati më i mirë për t’i përfaqësuear kosnervatorët e krahut të djathtë:

Sonte është e qartë. Ne kemi fituar gara në gjithë vendin, që janë kundër parashikimeve. Kur ata mendonin, në rregull, ai përfundimisht e kreu garën, ne jemi kthyer. Ne jemi brenda pasi unë dëshiroj shumë të bëhem njeriu më i fuqishëm në këtë vend. Kjo është për arsye se unë dëshiroj aq shumë që fuqinë t’ua kthej juve në këtë vend. Zoti e bekoftë Amerikën”, tha Rik santorum.

Gjatë dhjetë ditëve të ardhshme votimet e republikanëve mbahen në shtetet Kanzas, Allabama, Misisipi dhe Havaji. (f. b.)



Nën ethet e “Super të martës”


Votuesit amerikanë votojnë të martën në serinë e zgjedhjeve dhe të komiteteve drejtuese të republikanëve në 10 shtete, në atë që njihet si “Super e marta”, ku mund të qartësohet se kush do të jetë kandidati që do të përballet me presidentin në detyrë, Barak Obama në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Zgjedhjet paraprake në Ohajo, Gjeorgjia, Masaçusets, Vermont, Virxhinia, Oklahoma dhe Tenesi, si dhe komitetet drejtuese në Adaho, Dakotën Veriore dhe Alaskë, do ta bëjnë të martën ditën më të ngjeshur të sezonës së zgjedhjeve paraprake.

Sondazhet sugjerojnë se tre nga katër kandidatët – Mit Romni, Rik Santorum dhe Njut Gingriç – do të fitojnë secili të paktën në njërin nga shtetet.

Shteti që do të fitojë vëmendjen është Ohajo.

Asnjë republikan nuk është zgjedhur president pa fituar në shtetin veri-qendror, ku votuesit janë të përzier, dhe pasqyrojnë edhe kombin në tërësi.

Një sondazh i Reutersit, i publikuar të dielën, tregoi se Romni, kandidati kryesor i republikanëve, do zhvillojë garë të ngushtë me në këtë shtet kryesor me Santorumin, ish senatorin nga Pensilvania.

Në sondazh, 32 për qind e të anketuarve kanë mbështetur Romnin dhe 32 për qind Santorumin.

Anketa tregoi se votuesit i mbështesin të dy kandidatët për arsye të ndryshme.

Ata që mbështesin Romin thanë se këtë e bëjnë, pasi që besojnë se ai ka shanse më të mëdha për të mposhtur Obamën në zgjedhjet e nëntorit dhe se ai mund ta përmirësojë ekonominë.

Vetë Romni, të hënën në Ohajo ka dhënë këtë mesazh për mbështetësit.

Po e përcjell këtë fushatë, dhe shoh shumë njerëz të flasin për shumë gjëra, por, ajo për të cilën duhet të flasim, për mposhtjen e Barak Obamës, po bëhet në formë të mire, dhe zvogëlimi i administratës, kjo është ajo që bëj unë. Ajo që unë di është ekonomia. E kam kaluar jetën në ekonomi të vërtetë. E kuptoj si fitohen e si humbin vendet e punës”, ka thënë Romni.

Santorum, një konservator i krahut të djathtë për çështjet sociale, siç është aborti dhe të drejtat e homoseksualëve, ka joshur votuesit të cilët thonë se janë të interesuar për parimet e tij.

Edhe Santorum mbajti tubim në Ohajo.

Mos i vini re sondazhet. Mos i dëgjoni hipotezat e mediave dhe të gjitha gjërat në lidhje me këtë garë. Fokusoheni nëse na duhet një njeri që ngrihet dhe ka një vizion krejt tjetër për vendin e tij, dikush që shënoi rekord për parimet. Dikush që është i gatshëm të dalë dhe flasë për çështjet me të cilat përballet ky shtet- të gjitha çështjet- jo vetëm se si të menaxhojmë ekonominë më mirë. Ky shtet është më tepër sesa vetëm ekonomi”, ka thënë Santorum.

Me Romnin dhe Santorumin, që dominojnë garën republikanë në plan kombëtar, dy sfiduesit tjerë kanë mbetur në hije. Ata janë ish kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Njut Gingriç, i cili vetëm shkurt ishte në epërsi dhe kongresisti amerikan Ron Pol.

Gingriç ka luftuar me Santorumin, për t’iu bërë alternativë konservatore Romnit. Por, pas fitores së janarit në Karolinën e Jugut, fushata e Gingriçit është dobësuar.

Kongresisti Pol, që është shumë i popullarizuar në mesin e të rinjve, mori vrull në muajt e kaluar, por konsiderohet se atij i duhet edhe më tej të fitojë mbështetjen adekuate të njerëzve të zakonshëm.

Për të gjithë kandidatët, performansa e tyre e “Super të martës” do të përcaktojë nëse mbështetësit financiarë do të vazhdojnë të derdhin para për fushatat e tyre.

Ata që dalin mirë, do të ecin në luftë me gjoks përpara. Ata që paraqiten keq, rrezikojnë të shohin se si donacionet për fushatën e tyre do të bien aq shumë, sa në fund të fundit, do të detyrohen të tërhiqen vetë nga gara.(a.i.)
XS
SM
MD
LG