Ndërlidhjet

Opozita: Po tolerohet agresioni serb në veri


Ligjvënësit kosovarë (foto arkiv)
Ligjvënësit kosovarë (foto arkiv)
Qeveria po lejon agresionin e Serbisë në veri të Kosovës, thotë opozita në Prishtinë. Spektri opozitar kritikon ashpër Qeverinë për pasivitet në raport me zhvillimet në veri të vendit. Ndërkaq, deklarimet e Qeverisë se në veri nuk do të lejohet organizimi i zgjedhjeve serbe pa shtrirjen e autoritetit të Kosovës atje, nga opozita konsiderohet si retorikë dhe pajtim me gjendjen faktike në këtë pjesë të Kosovës.

Deputeti Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se ajo që po ndodh sot në veri dhe paralajmërimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe atje, paraqet agresion të Serbisë në Kosovë, i cili po tolerohet nga Qeveria aktuale.

“Është detyrë kushtetuese dhe ligjore e institucioneve të Kosovës që të shtrijnë autoritetin e vet në tërë territorin e Kosovës dhe të ndalin çfarëdo lloj forme të agresionit që mund të ushtrohet mbi territorin e Kosovës. Në këtë rast kjo mund të konsiderohet si një agresion mbi territorin e Kosovës në kuptimin e organizimit të zgjedhjeve nga një shtet tjetër brenda territorit të Kosovës”, thotë Gashi.

Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se gjendja në veri vazhdon të jetë e njëjtë që nga viti 1999. Në veri, vijon Konjufca, tolerohet krimi i organizuar dhe ka mungesë të sundimit të ligjit nga institucionet e Kosovës, përderisa atje vazhdojnë të funksionojnë strukturat ilegale të qeverisë së Serbisë.

Konjufca thotë, po ashtu, se Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë plan veprues për veriun dhe se pritjet e saj janë të ndërlidhura kryesisht me qëndrimin dhe pozicionin që do ta ndërmarrë komuniteti ndërkombëtar atje.

“Vetë fakti që zëvendëskryeministri dje (të enjten) tha që nuk do të kenë legjitimitet juridik këto zgjedhje, kjo na tregon që Qeveria nuk do të ndërmarrë asgjë, por do të llogarisë vetëm në reagimin ndërkombëtar ndaj këtyre zgjedhjeve. Pra, ky raport i Qeverisë sonë me veriun dhe me Serbinë, tregon që kjo Qeveri mund të përfundojë në negociata, sepse bashkësia ndërkombëtare na ka treguar fare qartë se ajo nuk e shtrin sovranitetin e Kosovës në atë pjesë”, thekson Konjufca.

Edhe subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikon, por edhe akuzon Qeverinë për mungesë vizioni dhe vendosmërie për të shtrirë sundimin e rendit ligjor në veri.

Deputeti dhe sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se angazhimet e Qeverisë në veri duhet të kenë si pikësynim tri fusha, institucionet demokratike, sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomik. Ai thotë se ky pasivitet i Qeverisë, po ndikon në zvarritjen e zgjidhjes së problemit.

“Epilogu, përfundimisht, do të jetë prapë nën shtetin e Kosovës dhe krejt kjo çka po ndodh është humbje e kohës dhe përgjegjës për këtë humbje kohe janë elita qeveritare në Prishtinë dhe elita politike në veri të Kosovës e nxitur nga Beogradi”, shprehet Ramadani.

Serbët e komunave veriore së fundi kanë mbajtur një referendum, me të cilin kanë kundërshtuar integrimin në institucionet e shtetit të Kosovës.

Por, ky referendum është konsideruar pa efekte juridike si nga institucionet e Kosovës, ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar. Tani, sfidë mbetet nëse do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në këtë pjesë, ku institucionet e Kosovës nuk kanë shtrirë autoritetin e tyre, kurse forca shumëkombëshe e NATO-s, KFOR-i, dhe misioni për sundim të ligjit i BE-së, EULEX, sadopak mbajnë një qetësi të brishtë.
XS
SM
MD
LG