Ndërlidhjet

Ekonomia joformale po dërrmon ekonominë formale


Ilustrim
Ilustrim
Ekonomia joligjore ka zënë hapësirë të madhe në tregun kosovar dhe vështirë se mund të zvogëlohet niveli i saj, thonë përfaqësues të bizneseve dhe njohës të çështjeve ekonomike.

Prezenca e ekonomisë së paligjshme, sipas tyre, po pengon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë.

Ali Jakupi, ekspert i rrethanave ekonomike, thekson se ndikimi i këtij fenomeni në tregun kosovar është shumë negativ, kur merret parasysh se ekonomia e vendit është e brishtë dhe e pa konsoliduar.

Ai ndërkaq thotë se ekonomia joligjore ka dërrmuar ekonominë formale.

Gjenerator i kësaj ekonomie është veriu i Kosovës. Madje, edhe në pjesë tjera të Kosovës ka ekonomi jolegale. Por, duhet kuptohet, se derisa të përmendet në çdo kohë, në çdo hap, korrupsioni dhe format tjera të keqpërdorimit, këto janë elemente qe ushqejnë dhe e përbëjnë ekonominë joligjore. Dhe në një mënyrë, ekonomia joligjore është bërë si ndonjë vërshim që është duke dërrmuar ekonominë që e kemi sot”, thotë Jakupi.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se përqindja e lartë e ekonomisë së paligjshme po dëmton ekonominë e ligjshme dhe konkurrencën në tregun kosovar.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, pohon se në bazë të një hulumtimi që kjo agjenci ka bërë vite më parë, rezulton se mbi 35 për qind është pjesëmarrja e këtij lloji të ekonomisë në tregun kosovar.

Ndërkaq, burim i ekonomisë jolegale, sipas tij, mbetet pjesa veriore e Kosovës.

Ky është dëm i madh për ekonominë, biznesin, por edhe për vetë buxhetin e Kosovës. Më këto parametra është edhe një rrezik i madh për investimet e huaja, sepse investitorët potencialë dhe ata legalë, vështirë vendosin të shkojnë në një shtet ku informaliteti është në masë kaq të madhe prezente”, thekson Shahini.

Autoritetet kompetente, thotë Shahini, duhet që të gjejnë forma, që mos të lejojnë që ekonomia joformale të jetë profit i krimit të organizuar dhe faktor kyç i destabilizimit të gjendjes ekonomike dhe politike në vend.

Nga informaliteti rrjedh edhe destabilizimi politik, korrupsioni dhe informaliteti që çrregullon tërësisht ekonominë e Kosovës”, shprehet Shahini.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se me qëllim të luftimit të kësaj dukurie, kanë krijuar mekanizma ligjorë dhe kanë hartuar Planin e Veprimit të Programit për Parandalimin e Ekonomisë Joformale, që sipas tyre, ka dhënë rezultate të dëshiruara.

Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, thotë për Radion Evropa e Lirë se luftimi i kësaj dukurie është gjithmonë detyrë dhe sfidë e rëndësishme për autoritetet kompetente.

Në kuadër të programit për parandalimin e ekonomisë joformale, si tregues pozitiv, po flas për vitin 2011, mund të merret edhe fakti i rritjes ekonomike mbi 5 për qind, si dhe shtimi i inkasimit të të hyrave në dy agjencitë kryesore të vendit për grumbullimin e të hyrave, siç janë Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Ky është një indikator që tregon se megjithatë, është një shenjë e zvogëlimit të informalitetit”, thekson Ibra.

Por, njohës të çështjeve ekonomike thonë se përveç deklaratave publike për luftimin e kësaj dukurie, ekzekutivi i vendit nuk ka treguar vullnet dhe gatishmëri të duhur për parandalimin e ekonomisë joformale.
XS
SM
MD
LG