Ndërlidhjet

Lustrimi si mjet frikësimi


Gjykata në Shkup (Foto arkiv)
Gjykata në Shkup (Foto arkiv)
Pas kontestimeve të njëpasnjëshme nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe uljes së besimit të qytetarëve në procesin e lustrimit, shumica parlamentare - VMRO, në koordinim me BDI-në dhe partnerët më të vegjël të koalicionit qeveritar, ka përpiluar ligj të ri për realizimin e procesit të lustrimit.

Për dallim nga ligji i kaluar, ky propozim parasheh që procesi i lustrimit të përfshijë periudhën nga viti 1944 deri në vitin 2006, deri kur ka filluar të zbatohet Ligji për qasje të lirë tek informatat me karakter publik, ka sqaruar koordinatorja e partisë më të madhe maqedonase, VMRO DPMNE, Silvana Boneva.

“Me këtë ligj, të drejtë inicimi për lustrim të ndonjë personi kanë edhe personat e tretë. Procesi i lustrimit, sipas këtij draft-versioni kap periudhën prej 2 gushtit 1944 deri në vitin 2006 kur ka filluar të zbatohet Ligji për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik. Risitë e këtilla janë rezultat i rezolutave të shumta evropiane dhe konkluzionet e 150 ekspertëve të këtij lëmi nga Ballkani Perëndimor”, është shprehur Boneva.

Por, ky qëndrim është kundërshtuar nga partitë politike në opozitë.
Partia më e madhe maqedonase, LSDM, konsideron se rikthimi i Ligjit për Lustrim pas abrogimit(shfuqizimit) nga Gjykata Kushtetuese, është dhe një dëshmi se mazhoranca krijon praktikën e mosrespektimit të institucioneve vetëm që të sigurojë përfitime personale.

Ndërkaq, deputeti i PDSH-së në opozitë, Zeadin Sela, ka thënë se me këtë ligj nuk lustrohet shoqëria në funksion të kultivimit të vlerave demokratike, por krijohet mundësi për t’i frikësuar fqinjët dhe njëkohësisht legalizohet shantazhimi.

“Mendoj se me këtë lustrimi do të shndërrohet në një luftë të paskrupullt mes fqinjëve dhe nga ana tjetër, jashtë procesit do të mbeten figurat politike dhe ato publike, pra nuk do të lustrohen ngase nuk do të vijnë në radhë. Nëse, vërtet, intenca e mazhorancës është që të shkohet deri në fund me lustrimin në një formë të sinqertë, atëherë pse mos të sillet një ligj ku do të jenë të hapura dosjet dhe gjithsesi të mund të shkoj t’i shoh?!”, ka thënë Sela.

Sipas Selës, është jo e sinqertë edhe puna e Komisionit shtetëror për Lustrim, ku vendimet merren me shumicë të thjeshtë, ngase siç është shprehur ai, pavarësisht fakteve se persona të caktuar rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, “nëse votat e shumicës së anëtarëve të komisionit, thonë jo, atëherë ai mbetet i larë për opinionin”

Ligji parasheh që gazetarët, ndërmarrjet radiodifuzive, bashkësitë fetare, partitë politike dhe sektori joqeveritar me kërkesë të tyre mund të përfshihet në procesin e lustrimit dhe verifikimit të dosjeve të tyre. Me ndryshimet e reja parashihet që të bëhet shpallja publike e emrave të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete.

Ndërkohë, Stojan Andov, propozuesi i Ligjit të parë për Lustrim, ka thënë se është e dyshimtë edhe dispozita që parasheh lustrimin e biznesmenëve, të cilët kanë përfituar nga privatizimi i pronës shtetërore deri më 2006.

”Ky kufi i përcaktuar shton dyshimin se tentohet të amnistohen ato grupe të biznesmenëve të rinj, të cilët kapitalin e tyre e kanë krijuar pas 2006-s, pasi në pushtet është Qeveria e kryeministrit Gruevski”, ka theksuar Andov.

Ndryshe, në propozim-ligjin në fjalë nuk janë inkorporuar ndryshimet për dispozitat, të cilat dy muaj më parë i kontestoi Gjykata Kushtetuese të Ligjit për Lustrim, ndërkohë që parashihen sanksione ligjore në rast se bëhet lustrimi përmes mediave dhe jo përmes komisionit përkatës.
XS
SM
MD
LG