Ndërlidhjet

Këtë vit shpallet kompania fituese


Termocentrali "Kosova A"
Termocentrali "Kosova A"
Gjatë këtij viti pritet të shpallet kompanie fituese për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pas kundërthënieve të shumta që janë ngritur kohëve të fundit në shoqërinë kosovare, se a do ta përkrahë Banka Botërore realizimin e këtij projekti.

Beqaj tha se përfaqësues të Bankës Botërore, tashmë kanë konfirmuar përkrahjen për ndërtimin e projektit “Kosova e Re”. Sipas tij, me realizimin e këtij projekti synohet stabiliteti në furnizimin me energji elektrike, pagesa e faturave të shpenzuara dhe ruajtja e ambientit.

“Gjatë kësaj jave, jo si shumë herë në vendet tjera, kemi pasur vizitën e tre zëvendës-presidentëve të grupit të Bankës Botërore, të cilët kanë dhënë në parim përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’. Ata tani janë duke proceduar për të na ndihmuar për financimin e një projekti të tillë, sepse flasim për një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të komplikuar për t’u realizuar në kushte kur ekonomia e tregut është relativisht në gjendje të rëndë financiare në nivel evropian dhe në nivel më të gjerë”, tha Beqaj.


Aktualisht, në garë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, janë katër konsorciume ndërkombëtare, për të cilat thuhet se i kanë përmbushur kriteret për realizimin e projektit.

Në anën tjetër, Ethem Çeku, ish-ministër për Energji dhe Miniera, tha se institucionet qeveritare duhet të jenë të kujdesshme gjatë negociatave të kontratave për “Kosovën e Re”, sepse ashtu siç është hartuar pakoja tenderuese, Çeku konsideron se shteti i Kosovës, i vë në gatishmëri investitorit potencial të gjitha asetet.
.
“Ne besojmë fuqishëm se Ministria, Komiteti Drejtues, së bashku, e them me theks të veçantë, me këshilltar profesional të USAID- it, të përzgjedhin kompaninë më të mirë për ndërtimin e Ksoovës së Re, sepse Kosova ka pasur shumë këshilltarë dhe kemi mbetur vendi më i varfër në Evropë. Kemi bërë shumë studime, por që kemi mbetur qe 12 vite, pa e ndërtuar asnjë megavat të ri të energjisë elektrike”, theksoi Çeku.

Këto komente u bënë gjatë një konference të quajtur “Resurset njerëzore dhe natyrore në Kosovë, organizuar nga Qendra për Zhvillim Ekonomik dhe Shoqëror, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Instituti për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Universiteti i Prishtinës.

Hasan Muja, dekan në Fakultetin e Edukimit, tha se kuadrot e këtij fakulteti janë të përkushtuar dhe të interesuar të japin kontributin e tyre në zbatimin e projekteve të rëndësishme për vendin. Megjithatë, sipas tij, në Kosovë ka munguar dhe mungon një koordinim i shkencës, teorisë dhe praktikës.

“Mendoj se është koha që të krijojmë një integrim dhe një ndërlidhje më të fuqishme të hulumtimeve shkencore dhe të praktikës në terren. Natyrisht se këtu ka munguar edhe një infrastrukturë ligjore, e cila do të ishte si pikënisje për zbatimin e hulumtimeve në fushat e ndryshme të shkencave”, u shpreh Muja.

Vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri, me të cilin do të përmirësohej gjendja energjetike në Kosovë, është marrë në vitin 2005, periudhë kjo kur edhe kanë filluar përgatitjet.

Mirëpo, puna për realizimin e këtij projekti, që konsiderohet kapital, thuhet të jetë neglizhuar vit pas viti.

Megjithatë, sipas autoriteteve kompetente shpresohet që punimet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” të fillojnë vitin 2013.
XS
SM
MD
LG