Ndërlidhjet

Shala: Do të ketë bisedime për veriun


Blerim Shala
Blerim Shala
Është e sigurt që bisedime për veriun do të ketë, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala. Pas zgjedhjeve në Serbi, kur pritet vazhdimi i dialogut Prishtinë - Beograd, Shala thotë se pala kosovare në koordinim me faktorin ndërkombëtar, duhet të ketë ofertën e vet për integrimin e veriut. Ndërkaq qëndrimet e kryeministrit Thaçi se nuk do të ketë bisedime për këtë pjesë të Kosovës, Shala i konsideron si jo reale.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, dialogu Kosovë - Serbi aktualisht është në pauzë, për shkak të zgjedhjeve serbe. Cilat konsideroni se do të jenë risitë kryesore të vazhdimit të këtij dialogu, duke apostrofuar sidomos çështjen e veriut, e cila këto ditë me të madhe po përmendet në Beograd?

BLERIM SHALA
Dialogu Kosovë - Serbi është zhvilluar gjithmonë kur ka pasur interes për të Beogradi dhe është ndërprerë atëherë kur i është dashur Beogradit. Edhe kësaj radhe do të ndërpritet për shkak të zgjedhjeve të 6 majit. Faktikisht, çfarë dimë ne është që materia e këtij dialogu, që është kualifikuar si teknik është shterur, implementimi nuk është gati askund, ka telashe të shumta edhe marrëveshja për menaxhim të integruar të kufijve.

Natyrisht, Beogradi e ka bërë me dije përmes formave të ndryshme, edhe përmes prononcimit të presidentit Tadiq, ditën kur shpalli dorëheqjen e tij, që tema e veriut të Kosovës do të jetë prioritet për të dhe që kjo temë do të trajtohet në kuadër, sipas qasjes serbe, të katër pikëshit të presidentit Tadiq, i cili nënkupton, si e tha vetë Tadiq, një autonomi substanciale për veriun. Autonomi kjo përfaqësuese, reprezentative që nënkupton që veriu sipas Serbisë, duhet të ketë parlament, qeveri, administratë tatimore, pra duhet të funksionojë në një mënyrë të pavarur prej Kosovës.

Në këtë mënyrë, duhet thënë hapur, Serbia e legjitimon dhe legalizon praninë e saj në Kosovë, njëherë e përgjithmonë. Tash është përkohësisht brenda Kosovës, duke i ditur rrethanat e njohura, e nëse do të ndodhte diçka e tillë, atëherë Serbia do ta legalizonte praninë e përhershme në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa janë këto tendenca të ngjashme me një model që tashmë ekziston në rajon, e që është Republika Srpska në Bosnje?

BLERIM SHALA
Mendoj që janë edhe më shumë. Në fakt, në Republika Srpska kemi një lidership pak a shumë autonom serb, i cili është krijuar gjatë luftës në Bosnje. Në Kosovë nuk do të jetë ashtu. Po qe se do të ketë entitet të veçantë në veri, ai entitet do të jetë absolutisht nën mbikëqyrje, nën kontrollin e Beogradit me të tërat dhe ne do ta kishim Serbinë deri në lumin Ibër me perspektivën e ndërlikimit të mëtutjeshëm të funksionimit të shtetit të Kosovës.

Kjo për faktin se për Serbinë, qëllim i parë e i fundit, gjithmonë ka qenë, që kur është ditur që Kosova do të bëhet shtet, që Kosova të dështojë si shtet. Pra, të tregohet një storie e dështuar, një gabim i madh i perëndimit që një shtet tjetër shqiptar të krijohet në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse iu referohemi deklaratave të kryeministrit Thaçi, ai ka përsëritur në disa raste se nuk do të ketë bisedime, e as status të veçantë për veriun. Ndërkohë, që pretendimet serbe, i përmendët edhe ju se cilat janë. Çfarë parashihni se mund të ndodhë në bazë të këtyre dy pozicioneve krejt të kundërta të dy lidershipeve?

BLERIM SHALA
Çfarë mund të them me siguri të plotë është që bisedime për veriun do të ketë. Ne mund të themi për çdo ditë dhe të luajmë me kartën e patriotizmit dhe të mohojmë se do të ketë bisedime, por objektivisht problemi i veriut ekziston në segmentin e qartë të integrimit të kësaj pjese dhe të popullatës lokale në Kosovë.

Nëse integriteti i Kosovës nuk është problem falë qëndrimit të perëndimit, vendeve të Kuintit - e dëgjuam edhe deklaratën e fundit të sekretares Klinton - megjithatë integrimi i kësaj pjese është problem real, të cilin e kemi pranuar të gjithë dhe që ka dalë në shesh veçmas pas 25 korrikut të vitit të kaluar. Ne, gjithsesi, e kemi një konsensus, gjë që është mirë, që për veriun plani i vetëm duhet të jetë zbatimi i Planit të Ahtisarit, por ne duhet ta bëjmë një ofertë të plotë, e cila natyrisht fillimin dhe fundin e ka në zbatimin e propozimit të presidentit Ahtisari.

Por, mendoj që me qëndrime të prera negative duke thënë se nuk do të ketë bisedime dhe që ne nuk pranojmë asgjë tjetër pos Ahtisarit, duke mos u përgatitur fare për këtë temë, ne faktikisht po punojmë kundër vetvetes.

Është e qartë që, si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni, do të insistojnë që kjo temë të mbyllet. Ju e dini fare mirë që KFOR-i duhet ta përmbyllë misionin, e po ashtu dihet që edhe EULEX-i i ka 2-3 vjet më së shumti në Kosovë dhe një strategji dalëse e perëndimit prej Kosovës nënkupton që Kosova të mbetet një shtet funksional. Tekefundit, ne synojmë që deri në shtatorin e këtij viti, apo deri në vjeshtën e vonë të këtij viti ta përmbyllim mbikëqyrjen e pavarësisë. Të gjitha këto së bashku tregojnë që ne duhet t’i adresojmë të gjitha problemet e mbetura.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet vazhdimisht Pakoja e Ahtisarit si oferta më e mirë për veriun. Por, disa vjet nuk ishin të mjaftueshme që kjo Pako të zbatohet në veri. Çka atëherë do të ndodhë me të, në veri, pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, do të mbetet gjendje e njëjtë?

BLERIM SHALA
Mendoj që mbeti apo nuk mbeti Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë, problemi i veriut nuk zgjidhet. ICO-ja ka pasur mjaft kohë, mbi katër vjet që të bëjë ndonjë gjë në veri dhe nuk ka bërë gjë prej gjëje. Tash, asnjë justifikim i Zyrës Civile Ndërkombëtare në këtë aspekt nuk qëndron, sepse ka pasur mandat të qartë edhe në bazë të propozimit të presidentit Ahtisari dhe Kushtetutës së Kosovës që ta krijojë zyrën në Mitrovicë dhe ta zbatojë pakon në veri.

Ne, vetë, nuk mund ta zgjidhim problemin e veriut. Duhet një partneritet i qartë mes nesh, SHBA-së dhe BE-së ashtu që me dialog, me një ofertë politike, e cila bazohet në Pakon e Ahtisarit, pasi që ndryshe ne e prishin funksionalitetin e shtetit të Kosovës, por duke bërë edhe disa përpjekje shtesë që të krijohen rrethanat që kjo pjesë e Kosovës të integrohet. Pra, ne duhet së bashku, në aspektin politik t’i adresojmë problemet me SHBA-në dhe BE-në, në aspektin ekonomik veçmas me Komisionin Evropian, ndërsa në aspektin e sigurisë ne e kemi KFOR-in si garant të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Problemi më i madh në veri, është e qartë, ka qenë zbatimi i Pakos së Ahtisarit. Cilët mekanizma mund ta zbatojnë këtë pako atje dhe si mund të zbatohet ligjshmëria në këtë pjesë të Kosovës?

BLERIM SHALA
Kur u hartua strategjia për veriun e Kosovës, e cila ka pasur përmbajtje gjithsesi të mirë me të gjitha elementet e duhura për një strategji të tillë, që ne shprehëm shqetësimet tona dhe dyshimet tona se kjo pako, gjegjësisht kjo strategji do të zbatohet, sepse nuk pati garantues ndërkombëtar që të zbatohet. KFOR-i tha nuk kam të bëj fare me këtë strategji, gjithashtu EULEX-i, Bashkimi Evropian i lau duart prej strategjisë se s’kishte kush të merrej me strategjinë. Kështu që, në këtë rast, nëse i kthehemi pyetjes suaj, faktikisht ne duhet gjithsesi të përfshijmë Uashingtonin dhe Brukselin si garantë të zbatimit të një marrëveshjeje.

Blerim Shala, pjesë e Ekipit të Unitetit...
Blerim Shala, pjesë e Ekipit të Unitetit...

Ju e dini fare mirë gjithë këtë historinë tonë të Kosovës të mbushur me tragjedi, që asnjë marrëveshje e mundur me Serbinë nuk mund të zbatohet nëse nuk ke garant të fuqishëm në trajtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Kështu që edhe rreth veriut, mendoj që partneriteti ynë do të bëjë që jo vetëm të arrihet një dakordim se si do të integrohet veriu i Kosovës, por gjithsesi edhe të zbatohet ai dakordim në një periudhë afatmesme kohore.

Marrë në përgjithësi, mendoj që ne jemi pengje të politikës, të pritjes pasive, defensive. Duhet të kalojmë në politikë shumë më aktive me një ofertë shumë të qartë se si duhet ta shohim veriun të integruar në pjesë të tjera të Kosovës, duke funksionuar një rend kushtetues, një rend ligjor duke qenë një gjyqësi, një politikë, një polici, sepse ndryshe nuk bën - ndryshe vihet në pikëpyetje shteti i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse iu referohemi sërish zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, ata shpesh e kanë ndërlidhur çështjen e veriut me kandidaturën e Serbisë për integrim në BE. Sa konsideroni se rruga drejt BE-së e Serbisë do ta ndryshojë mentalitetin politik të saj në raport me Kosovën?

BLERIM SHALA
Fatkeqësisht, u pa që nuk ka ndryshuar shumë. Përkundrazi, raportet Kosovë - Serbi në muajt e fundit kanë përjetuar një degradim, e jo një përmirësim siç po shpallet në Prishtinë dhe në Beogradin zyrtar. Është shumë e vërtetë, që një opinion mbizotërues në Bruksel ka qenë që duke ecur Serbia më afër Brukselit, në një mënyrë politikisht ndodh një pjekuri në Beograd dhe automatikisht kuptohet që Kosova është një barrë e panevojshme dhe që duhet të mendohet, para së gjithash për integrimin në Bashkimin Evropian.

Por, kjo nuk po ndodh. Më 2008 menjëherë pas pavarësisë së Kosovës, Kosova ka qenë temë e dorës së dytë në zgjedhjet parlamentare të majit të vitit 2008 kur Tadiqi fitoi bindshëm me kartën evropiane. Sot, Kosova është temë shumë më e madhe në zgjedhjet serbe, sesa që ka qenë para 4 vjetësh - kjo do të thotë që kemi degradim, kemi prapakthim, e jo ecje kah Evropa.

Duhet një prerje e qartë radikale, i ndihmon edhe Serbisë, jam i bindur që i ndihmon edhe asaj që të qartësohet, se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur shtetin e Kosovës. Nëse lihet anash kjo temë për më vonë, ne vetëm po i thërrasim telashet të dalin në skenë, e këto telashe herët a vonë mund të marrin trajtën shumë të padëshirueshme për stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Shala, dialogu me Serbinë po përmendet edhe kur është fjala për procesin e liberalizimit të vizave apo ai i perspektivës integruese evropiane. Sa ishte politikë e qëlluar kjo nga ana e Prishtinës që ta ndërlidhë fatin e integrimeve me një proces dialogimi?

BLERIM SHALA
Parimisht është e gabuar, sepse çështja e liberalizimit të vizave, çështja e studimit të fizibilitetit, e raporteve Kosovë - Bashkim Evropian do të duhej të trajtohej pikërisht ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit dhe ne kemi krijuar rrethanat kur ecja para apo përparimi në dialogun Prishtinë-Beograd po merret si një lloj “lënde djegëse”, për të ecur kjo makina jonë në drejtim të Bashkimit Evropian. Ne jemi pengje të një dialogu, të cilin nuk e kemi dashur.

Këto janë bisedimet e para, të cilat Prishtina nuk i ka dashur e Beogradi i ka dashur. Edhe në Konferencën e Rambujesë, edhe në procesin e Vjenës, Beogradi pa vullnet ka hyrë në ato bisedime, sepse pak a shumë e ka ditur epilogun e tyre. Ne në këto bisedime kemi hyrë pa kurrfarë vullneti, sepse menduam disi që përmes tyre, me logjikën që e përmendët, ne do ta përshpejtojmë procesin e inkuadrimit në BE - gjë që nuk po ndodh, sepse gjithë kjo çfarë është ofruar nga BE-ja, ka qenë mbi tavolinë në 2-3 vjetët e fundit.

Ne ende nuk e kemi marrë këtë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ndërsa na është premtuar që nga shtatori i vitit 2010; studimi i fizibilitetit – mund të shkarkoni dokumentin e Bashkimit Evropian të Zyrës në Prishtinë, është premtuar për vitin 2009; anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka qenë temë që nga viti 2008-2009, që nga hyrja jonë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Domethënë ne kemi vetëm një iluzion që po ecim para, objektivisht ne vetëm po vendnumërojmë. Dhe, ky vendnumërim është bërë shumë i rrezikshëm.

Po shihet që në Bruksel është krijuar një përshtypje e gabuar, që gjendja në Kosovë është stabile, nuk ka telashe të mëdha, që disi po mbahet stabiliteti ekonomik, social dhe politik - gjë që nuk është e vërtetë. Nëse i lexojmë raportet e Basnkës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ne shohim se çfarë gjendje ekonomike kemi në Kosovë. Raportet tjera, Transparency International dhe të të gjitha instancave tjera ndërkombëtare, flasin se çfarë shkalle të korrupsionit, dhe të krimit te organizuar kemi në Kosovë.

Kështu që, gjendja në Kosovë është shumë e keqe dhe ne nuk duhet tash, për shkak të një profiti, nëse mund të them ashtu, në bisedat me Beogradin në Bruksel, t’i lëmë mënjanë të gjitha problemet objektive që kemi në Kosovë. Duke i zgjidhur ato, ne kualifikojmë veten për të hyrë në BE, e jo duke bërë dialog pseudo të suksesshëm në Bruksel.
XS
SM
MD
LG