Ndërlidhjet

Kthimi i pronave nga rajoni


Harta e Ballkanit
Harta e Ballkanit

Edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës, dhe 4 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, që gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë, nuk udhëhiqen dhe nuk shfrytëzohen nga autoritetet kosovare.

Zyrtarë qeveritarë pohojnë se ekziston vullneti dhe gatishmëria që kjo çështje të zgjidhet, por megjithatë, e konsiderojnë proces të vështirë dhe të ngadalshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka 172 prona të subjekteve ekonomike në shtete të ndryshme të rajonit.

Autoritetet kompetente kanë identifikuar pronat, por ende nuk kanë arritur që t’i identifikojnë të gjitha adresat se ku gjenden, për çka shfrytëzohen, dhe kush është pronari i vërtetë i tyre.

Për këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme ka formuar një komision të veçantë.

Artan Behrami, këshilltar në këtë ministri, thekson se gjatë vizitave që kanë pasur në vendet e ndryshme të rajonit, është ngritur edhe problemi i pronave .

Komisioni është duke funksionuar, është mbledhur disa herë, dhe në vizitat që kemi pasur në vende të ndryshme të rajonit, është ngritur kjo çështje. Ka një gatishmëri shumë të madhe edhe nga shtetet e rajonit, që të ketë zgjidhje të problemeve që janë grumbulluar gjatë këtyre periudhave”, shprehet Behrami.

Ndërkaq, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, tashmë kanë deklaruar se që nga fillimi i punës së kësaj agjencie, ka qenë e vështirë të ketë qasje në ndërmarrjet kosovare që janë të vendosura jashtë Kosovës.

Problem të theksuar në këtë kuadër paraqet Serbia dhe Mali i Zi.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa në Mal të Zi 42 asete.

Çështjen e kthimit të pronave të ndërmarrjeve shoqërore e ka ngritur edhe Oda Ekonomike e Kosovës, gjatë takimeve që ka pasur me përfaqësuesit të odave të rajonit.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, shprehet se subjektet ekonomike të rajonit nuk kanë treguar gatishmëri që të diskutohet kjo çështje.

Ndryshe, Rukiqi tregon se edhe disa prona të Odës Ekonomike të Kosovës ekzistojnë në Mal të Zi, e që ende nuk shfrytëzohen nga ky asociacion.

Është ngritur, dhe kemi menduar që do të kemi diskutime, mirëpo shumë pak prej odave kanë pasur gatishmërinë për të biseduar për shkak të problemeve politike që ekzistojnë, dhe nuk kanë dashur që të jenë të involvuar në këtë çështje”, thekson Rukiqi.

Ai thotë se për këtë çështje duhet të bisedohet me të gjitha vendet e rajonit, duke filluar së pari nga shteti fqinj i Serbisë.

Ne kemi hyrë në një cikël të dialogut, dhe besoj se në këtë cikël të dialogut duhet të trajtohet edhe çështja e pronësisë, si një nga temat kryesore, për shkak se prona është e shenjtë dhe nuk bën të tjetërsohet, është e dënueshme kjo”.

Kështu që Serbia ka vepruar, dhe shumë vende të rajonit nuk kanë pasur gatishmëri që të diskutojnë, prandaj duhet të fillohet me Serbinë fillimisht, e pastaj me vendet tjera, që kjo çështje një herë e përgjithmonë të zgjidhet”, shprehet Rukiqi.

Ndryshe, ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, dhe kombinati metalurgjik “Trepça”, kanë prona më së shumti në Republikat e ish Jugosllavisë. Pastaj vijnë “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export”, e tjera.
XS
SM
MD
LG