Ndërlidhjet

Produktet “UNMIK/Kosovë”: Nuk lejohen të hyjnë


Produktet me mbishkrimin UNMIK/Kosovë, nga 1 maji nuk po lejohen në Kosovë
Produktet me mbishkrimin UNMIK/Kosovë, nga 1 maji nuk po lejohen në Kosovë
Që nga fillimi i këtij muaji asnjë produkt me mbishkrimin UNMIK/Kosovë nuk është lejuar që të hyjë në territorin e Kosovës.

Këtë të paktën e thonë për Radin Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ata bëjnë të ditur se vendimi, i cili është marrë kohë më parë për ndalimin e importit të prodhimeve të rajonit me akronimin UNMIK/Kosovë, po zbatohet në mënyrë të plotë.

Kryeinspektori i Inspektoratit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ruzhdi Shehu, thotë se mallrat me këtë mbishkrim në të shumtën e rasteve kanë ardhur nga shteti i Serbisë dhe ai i Bosnjë e Hercegovinës.

“Deri më tani nuk kemi asnjë import nga importuesit apo distributorët të deklaruar në pikat kufitare, pra produkte me mbishkrimin UNMIK/Kosovo”, thotë Shehu.

Edhe autoritetet doganore konfirmojnë se në asnjërën nga pikat kufitare nuk është regjistruar hyrja e mallrave me këtë mbishkrim.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, shpjegon më shumë:

“Sipas informatave që kemi nga kufiri, oficerët doganorë nuk kanë hasur në produkte të tilla. Gjithsesi, Dogana e Kosovës, pasi ka marrë vendimin prej Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka shpeshtuar kontrollet ndaj produkteve që kanë origjinë nga Serbia”.

Mirëpo, pavarësisht kësaj gjendjeje, në tregun kosovar vazhdojnë të qarkullojnë prodhime të shumta me mbishkrimet Kosovë/UNMIK.

Por, drejtuesit e institucioneve qarkullimin e këtyre mallrave e arsyetojnë duke thënë se “këto produkte kanë hyrë në Kosova para marrjes së vendimit për ndalimin e tyre”.

Kryeinspektori Shehu, bën të ditur se deri më 1 qershor këto mallra mund të qarkullojnë në treg, dhe për këtë janë të njoftuara të gjitha kompanitë importuese.

“Ne u kemi dhënë një afat shtesë të gjithë distributorëve dhe importueseve të Kosovës, që produktet me mbishkrimin UNMIK/Kosovë, që gjenden akoma në stoqet dhe minimarketet e tyre, deri më 1 qershor do të qarkullojnë lirshëm në tregun e brendshëm”.

“Pas 1 qershorit ato mallra nuk guxojnë të qarkullojnë në tregun e brendshëm. Importuesve u kemi dhënë mundësinë që të vendosin etiketën e mallit, të përmirësojnë atë që është UNMIK/ Kosovo, dhe të vendosin etiketën me emërtimin Kosovë”
, sqaron Shehu.

Ndërsa, pas kësaj periudhe, bizneset, të cilat nuk e respektojnë këtë vendim, Shehu thotë se do të ndëshkohen.

“Mallrat e hasura pas një qershorit me mbishkrimin UNMIK-Kosovo, do të ndalohen nga qarkullimi i lirë”.

“Ndaj të gjitha atyre subjekteve, që nuk e kanë respektuar masën, që kemi dhënë edhe për qarkullimin në tregun e brendshëm, do të iniciohen procedurat e kundërvajtjes, të cilat janë gjoba vërtet të larta, nga 2 mijë deri në 10 mijë euro, për çdo shkelës të këtij vendimi”,
thekson Shehu.

Për këtë çështje, patën reaguar edhe asociacionet ekonomike në vend, duke apeluar te të gjithë përfaqësuesit kosovarë të kompanive serbe që importojnë produkte nga Serbia, të mos pranojnë veprime të tilla të kundërligjshme.
XS
SM
MD
LG